Panairi i 5-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor
-Fjala përshëndetëse e zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Vasil Tole-
Fjala e plotë:
E nderuar akad. Justina Shiroka Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
I nderuar zv/president i TIKA-s z. Jahja Xhoshkun,
I nderuar Ambasador i Turqisë në Shqipëri, Barësh Xhejhun Erxhijes,
E nderuar Znj. Arta Marku, Drejtore e QKLL,
Të nderuar pjesëmarrës, drejtues, rektorë, përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut e Mal të Zi;
Të nderuar autorë e botues të librit shkencor; akademikë dhe profesorë, studiues, studentë e lexues, dashamirës të librit e shkencës;
Është bërë traditë tashmë që zhvillimi i Panairit mbarëkombëtar të librit akademik e shkencor, që këtë vit shënon edicionin e tij të pestë, kulmon me një ditë të rëndësishme për autorët e botuesit, Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit.
Ky manifestim, më i madhi i deritashëm për këtë fushë të gjerë dhe unike botimesh, organizohet me shumë përkushtim nga dy akademitë tona, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Ky Panair nuk është vetëm një pasqyrë e librit shkencor, as thjesht festë e një botimi të veçantë me treg të vështirë, po një moment reflektimi e promovimi i faktit se në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, shkenca dhe shkencëtarët janë pjesë integrale e zhvillimit.
Si rrallë organizim tjetër, ky panair i jep vëmendjen e merituar figurës së kërkuesit dhe produktit shkencor, botimeve, projekteve e të tjerë.
Librat dhe botimet që prezantohen këtu, jo vetëm nëpër stenda, por edhe me seanca maratonë promovimesh në sallat e akademisë, nuk janë thjesht rezultate pune; ato janë kontribute konkrete në ndërtimin e një shoqërie të hapur për të përballuar sfidat në rrugën integruese në Bashkimin Europian.
Botimet akademike e shkencore duhet ta gjejnë më lehtë rrugën drejt lexuesit, para së gjithash atje ku kërkimi është institucional, në bibliotekat shkencore, universitare, publike, brenda e përtej kufijve, edhe në diasporë. Prandaj akademitë tona ofrojnë edhe publikime digjitale dhe e-book, duke mundësuar akses të hapur për lexuesin.
Sot, ky panair, na gjen me një zhvillim shumë të rëndësishëm. Falë mbështetjes financiare të TIKA-s u bë e mundur që Akademia e Shkencave e Shqipërisë të ketë sot shtypshkronjën e saj digjitale dhe entin e saj botues me emrin AKADEMIA të cilën e përurojmë po sot, në ditën e parë të Panairit. Nuk është hera e parë që TIKA bashkëpunon me Akademinë në të mirë të kërkuesve dhe produktit shkencor në Shqipëri.
Për këtë i jemi shumë mirënjohës TIKA-s, zyrës në Tiranë dhe qendrës në Ankara. Vetë fakti që zëvendëspresidenti i TIKA-s na nderon me pjesëmarrjen e tij është shenja më e qartë e këtij bashkëpunimi dhe mirëkuptimi maksimal.
Ky aktivitet le të shërbejnë si një mundësi e mirë për të krijuar ura lidhjeje midis kërkuesve, botuesve e lexuesve, në përputhje me strategjinë tonë të hapjes ndaj sistemit të kërkimit shkencor, madje edhe si një hapësirë dialogu e ndërveprimi: mes brezave të studiuesve, mes disiplinave e institucioneve, mes kërkuesve në vend dhe diasporës shkencore. Pasi, pikërisht në këtë dialog lind përparimi i vërtetë shkencor.
Me besimin që këto tri ditë panairi do të shndërrohen në festë të librit shkencor dhe akademik, ju uroj mbarësi të gjithë pjesëmarrësve, sukses të plotë botuesve e autorëve, posaçërisht atyre që do të përurojnë veprat e tyre, dhe sa më shumë lexues ta gjejnë veten në stendat e pasura të tij.
Mirë u takofshim vitin tjetër në Prishtinë!
Faleminderit.
