Nisi punimet konferenca shkencore ndërkombëtare “AI Horizon – Një hapësirë e re krijimtarie dhe inovacioni”

Konferenca shkencore ndërkombëtare dyditore me temën “AI Horizon – A New Area of Creativity and Innovation” (AI Horizon – Një hapësirë e re krijimtarie dhe inovacioni) nisi punimet më 12 nëntor 2026 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Veprimtaria u organizua nga Seksioni i Shkencave Natyrore Teknike dhe Njësia Kërkimore për Inteligjencën Artificiale pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me universitete, institute dhe qendra kërkimore-shkencore.

Punimet e konferencës u hapën nga akademike Kozeta Sevrani, e cila vlerësoi rëndësinë e kësaj veprimtarie për komunitetin akademik dhe shkencor, në një periudhë kur inteligjenca artificiale po riformëson ekonominë, shoqërinë, institucionet dhe mënyrën e funksionimit të shumë fushave të veprimtarisë njerëzore.

Ajo theksoi se zhvillimi i kësaj teknologjie nuk duhet parë vetëm në këndvështrimin e mundësive teknologjike, por edhe në funksion të përmirësimit të jetës së njerëzve dhe ndërtimit të një të ardhmeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.

Duke iu referuar lidhjes ndërmjet inteligjencës artificiale dhe zhvillimit të qëndrueshëm, akad. Kozeta Sevrani evidentoi potencialin e teknologjive inteligjente në menaxhimin e burimeve, tranzicionin energjetik, zhvillimin e bujqësisë, mbrojtjen e mjedisit dhe hartimin e politikave publike të mbështetura në të dhëna dhe vendimmarrje shkencore. Një vëmendje të veçantë ajo i kushtoi gjuhës shqipe në kontekstin e zhvillimit të inteligjencës artificiale, duke nënvizuar domosdoshmërinë që kjo teknologji ta kuptojë, ta ruajë dhe ta pasurojë atë, në mënyrë që Shqipëria të mos mbetet vetëm përdoruese e teknologjive të zhvilluara nga të tjerët, por të kontribuojë edhe në krijimin e zgjidhjeve që pasqyrojnë veçoritë gjuhësore dhe kulturore kombëtare.

Në përfundim, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet akademisë, universiteteve, biznesit, institucioneve publike dhe komunitetit shkencor, duke nënvizuar se suksesi i konferencës duhet të vlerësohet nëpërmjet ideve, partneriteteve dhe iniciativave konkrete që do të burojnë prej saj. Teknologjia mund të na japë mundësi të jashtëzakonshme, por janë vizioni, vlerat dhe zgjedhjet tona ato që do të përcaktojnë drejtimin e saj.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përshëndeti akademike Anila Hoda, e cila vuri në dukje ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në mënyrën se si punohet, mësohet dhe zhvillohet kërkimi shkencor.

Ajo evidentoi mundësitë që ofron kjo teknologji në fusha të ndryshme, veçanërisht në analizën e imazheve mjekësore dhe identifikimin e hershëm të problematikave shëndetësore, personalizimin e proceseve mësimore dhe analizën e sasive të mëdha të të dhënave në kërkimin shkencor. Duke iu referuar edhe gjuhës shqipe, ajo theksoi mundësitë që inteligjenca artificiale krijon për zhvillimin e mjeteve që lehtësojnë qasjen në dije dhe në shërbimet digjitale.

Njëkohësisht, akademike Hoda theksoi se vlera e këtyre zbatimeve varet nga cilësia e të dhënave, mënyra e testimit të sistemeve, besueshmëria e rezultateve dhe përgjegjësia njerëzore në vendimmarrje. Duke iu referuar reformës institucionale të Akademisë së Shkencave, akademike Hoda u ndal te roli i Njësisë Kërkimore për Inteligjencën Artificiale, si një strukturë që bashkon anëtarë të Akademisë, pedagogë të universiteteve dhe studiues të qendrave kërkimore, me synimin për të zhvilluar projekte të përbashkëta, për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e studiuesve të rinj në kërkimin shkencor.

Sekretarja shkencore e ASHSH-së shprehu besimin se konferenca do të shërbejë si një mundësi për shkëmbimin e përvojave, krijimin e ideve të reja dhe forcimin e bashkëpunimit shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në vijim, punimet e konferencës u zhvilluan në katër sesione tematike, ku u prezantuan 15 kumtesa që trajtuan aspekte teorike, metodologjike dhe aplikative të inteligjencës artificiale.

Sesioni i parë, “Bazat e inteligjencës artificiale dhe metodat e të nxënit” (Foundations of AI and Learning Methods), u përqendrua në modelet e të nxënit, mekanikën statistikore të modeleve Transformer dhe përdorimin e rrjeteve nervore në analizën dhe parashikimin e dukurive komplekse. Sesioni i dytë, “Sistemet inteligjente, IoT dhe inteligjenca artificiale në industri” (Smart Systems, IoT and AI in Industry), trajtoi zbatimet e inteligjencës artificiale në optimizimin e proceseve industriale, sektorin bankar, modelet e mëdha gjuhësore dhe klasifikimin inteligjent të të dhënave.

 

Sesioni i tretë, “Inteligjenca artificiale në kujdesin shëndetësor” (AI in Healthcare), iu kushtua përdorimit të inteligjencës artificiale në diagnostikimin mjekësor, analizën dhe interpretimin e të dhënave klinike, si dhe sigurinë e sistemeve të informacionit shëndetësor. Ndërsa sesioni i katërt, “Inteligjenca artificiale për inxhinierinë softuerike dhe sigurinë” (AI for Software Engineering and Security), trajtoi rolin e modeleve të inteligjencës artificiale në zhvillimin e softuerëve, identifikimin dhe korrigjimin e cenueshmërive, analizën e kodit burimor dhe sigurinë e sistemeve softuerike.

Konferenca do të vijojë punimet më 13 nëntor me diskutime dhe kontribute të tjera shkencore kushtuar zhvillimeve bashkëkohore në fushën e inteligjencës artificiale, potencialit të saj inovativ dhe sfidave që shoqërojnë integrimin e këtyre teknologjive në kërkimin shkencor dhe në shoqërinë e së ardhmes.