Aktiviteti fizik dhe trashëgimia kulturore: Kontributi i valleve popullore shqiptare në promovimin e shëndetit
Sot, më 16 nëntor 2026 u zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare me temën “Promovimi i shëndetit dhe traditat kombëtare: Rasti i valleve popullore shqiptare si formë e aktivitetit fizik”, e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Komisioni i përhershëm i mjekësisë pranë saj, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), me mbështetjen e projektit “Public Health Resonance”.
Kryetari i Komisionit të mjekësisë akad. Genc Sulçebe në fjalën e mirëseardhjes e vlerësoi si të rëndësishëm aktivitetin fizik në parandalimin e sëmundjeve dhe ruajtjen e shëndetit publik. Ai u ndal te mënyra moderne e jetesës, e karakterizuar nga qëndrimi i zgjatur përpara kompjuterit dhe përdorimi i shpeshtë i automjeteve, faktorë që kanë reduktuar kohën që njerëzit i kushtojnë aktivitetit fizik. Promovimi i aktivitetit fizik përmes valleve, veçanërisht duke ndërthurur vallet e Havait me ato shqiptare është një qasje interesante dhe me vlerë për shëndetin publik, theksoi akad. Sulçebe.
Veprimtaria u përshëndet nga zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Eugena Tomini. Duke i përgëzuar organizatorët për veprimtarinë, ajo u ndal në vlerat aktuale të tematikës së trajtuar, ku nëpërmjet këtij forumi të rëndësishëm ndërdisiplinor që ndërthur shkencën, shëndetin publik, kulturën dhe traditat kombëtare, evidentohet roli thelbësor i aktivitetit fizik në parandalimin e sëmundjeve kronike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Më tej ajo e vuri theksin te problematika e pasivitetit fizik te fëmijët dhe të rinjtë, e lidhur me përdorimin në shkallë të gjerë të teknologjisë dhe qëndrimin e zgjatur përpara ekraneve. Duke iu referuar potencialit të valleve popullore shqiptare, znj. Tomini evidentoi vlerën e tyre të dyfishtë, si trashëgimi kulturore dhe si formë e natyrshme e aktivitetit fizik, që nxit ndërveprimin shoqëror dhe kontribuon në mirëqenien individuale e kolektive.
Në fund, ajo u shpreh për rëndësinë e integrimit të traditave kulturore në politikat bashkëkohore të shëndetit publik, përmes promovimit të aktivitetit fizik që në moshë të hershme dhe zhvillimit të programeve konkrete në shkolla e komunitete, të mbështetura në bashkëpunimin ndërinstitucional.
Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, dr. Ardita Baraku, argumentoi se ndërhyrjet në promovimin e shëndetit janë më efektive kur mbështeten në elemente të përshtatura me kontekstin kulturor të popullatës. Vallet tradicionale janë një formë lehtësisht e realizueshme dhe me kosto të ulët për parandalimin e sëmundjeve kronike, përmirësimin e shëndetit mendor dhe forcimin e ndërveprimit shoqëror.
Në vijim, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, dr. Fabio Scano, u ndal te koncepti shkencor i aktiviteteve fizike që përjetohen me kënaqësi e motivim të brendshëm, duke argumentuar se kanë më shumë mundësi të shndërrohen në zakone të qëndrueshme sesa ushtrimet e imponuara. Ai vuri në dukje se OBSH-ja mbështetet në qasje shkencore për të kuptuar normat shoqërore dhe motivimet që ndikojnë në zgjedhjet e individëve.
Punimet e konferencës u zhvilluan në dy sesione shkencore. Sesioni i parë u përqendrua në ndikimin e aktivitetit fizik në shëndet, dimensionet sociale dhe kulturore të tij, monitorimin e sjelljeve shëndetësore te fëmijët, si dhe politikat për promovimin e aktivitetit fizik në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë.
Sesioni i dytë iu kushtua veçanërisht rolit të valleve popullore dhe traditave kulturore si forma të aktivitetit fizik, duke trajtuar përvojën e vallëzimit tradicional Hula në Havai, kategorizimin etnografik të valleve shqiptare, inventarizimin e lojërave popullore, performancën fizike te fëmijët, “K’cimin e Tropojës” dhe mundësitë e integrimit të kulturës tradicionale në politikat e promovimit të shëndetit.
Në konferencë u sollën gjithashtu përvoja ndërkombëtare nga SHBA-ja, Kosova dhe Brazili, si dhe modele të promovimit të aktivitetit fizik në mjedisin shkollor.
Në përfundim, konferenca nënvizoi nevojën që këto diskutime shkencore të përkthehen në hapa konkretë: integrimin e valleve popullore në kurrikulën e edukimit fizik në shkolla, krijimin e nismave komunitare për të gjitha grupmoshat dhe zhvillimin e kërkimeve të mëtejshme mbi matjen e saktë të shpenzimit energjetik (MET) për secilën valle rajonale.
