Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh dhe akademikut Ismail Kadare, Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë organizoi veprimtarinë “Përkujtimore në nderim të Ismail Kadaresë”
Akad. Skënder Gjinushi: Vepra e Kadaresë do të ruhet si një nga thesaret e kulturës sonë e të shkencave albanologjike
-Akad. Gjinushi: Kadareja ishte një busull e përcaktimit europian të Shqipërisë, avokati më me influencë i pranimit të Shqipërisë në familjen europiane, i mbështetjes së zgjidhjes së çështjes së Kosovës e pavarësimit të saj.
****
Fjala e plotë:
E dashur znj. Helena Kadare
Të nderuar familjarë të shkrimtarit Ismail Kadare
E nderuar kryetare e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali
Të nderuar akademikë dhe miq
Si sot, një vit më parë, i dhamë lamtumirën në emër të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, të tërë botës akademike shqiptare, anëtarit të saj të nderuar për 35vjet me radhë, gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare; kryeakademikut, për nga vlera e jehona e veprës së tij, e mirënjohur e vlerësuar ndërkombëtarisht.
Humbja fizike e Kadaresë është pa dyshim humbja më e madhe e letërsisë sonë; është një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë europiane e botërore, e akademizmit shqiptar e atij europian.
Vepra e Kadaresë i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë e të botës shqiptare, dhe bën pjesë në patrimuanin e letërsisë botërore.
Kadareja do të lexohet e vlerësohet në vazhdimësi, pasi mesazhet e veprës së tij, stili e forca e fjalës dhe mendimit e bëjnë veprën e tij aktuale, tërheqëse dhe emancipuese për të gjitha kohërat.
Kadareja shkroi nën diktaturë, por vepra e tij përkthehet, lexohet e vlerësohet njëlloj nga lexuesit në të gjithë botën, pavarësisht cilës kulturë apo cilit sistem politik i përkasin. Ajo vazhdon të vlerësohet me çmimet më të larta, duke fituar garën edhe me homologët e tij, me letërsinë dhe veprat e shkruara në demokraci; duke treguar se vlera e krijimtarisë letrare çmohet me sa ajo nxit emancipimin e shoqërisë, lirinë e lexuesit, e jo nga sa ka kushtëzuar lirinë fizike të shkrimtarit; çmohet kur ajo e bën mendjen e lirë të shkrimtarit pjesë të zgjimit të madh të popujve që rrëzuan “perden e hekurt”, si do ta çmonte Presidenti i Francës kontributin e Kadaresë.
Fjalën e fundit e thotë lexuesi, dhe lexuesit e Kadaresë, të shtrirë tashmë në tërë botën e në të gjitha gjuhët, vijnë vetëm duke u shtuar; dhe e tillë do të jetë vepra e Kadaresë për dhjetëvjeçarë me radhë, krahas veprave të pavdekshme të letërsisë botërore, që nuk njohin epokë, por bëjnë epokë.
Ne do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për gjithçka i la trashëgim popullit shqiptar me krijimtarinë e tij, por veçanërisht edhe për kontributin e dimensionin e tij si akademik.
Kadareja është hulumtuesi, zhvilluesi e mbrojtësi më i zjarrtë e më me influencë i gjuhës shqipe, i origjinës e lashtësisë së saj, i vlerave e pasurisë së saj. Gjuha shqipe, si një gjuhë që arriti të shfaqë talentin e gjenialitetin e Kadaresë në tërë larmishmërinë e thellësinë e tyre, renditet tashmë në gjuhët e mëdha të një populli të vogël.
Kontributi i tij si lëvrues i gjuhës është po aq i çmuar sa ai i Çabejt e i plejadës së tij, si studiues të saj.
Kadareja qe korifeu i përkatësisë europiane të popullit shqiptar, të vlerave e karakteristikave të kulturës së tij ndër shekuj, të origjinës e lashtësisë së tij ilire e parailire, të zgjedhjes së tij perëndimore që në periudhën e mesjetës.
Kadareja ishte një busull e përcaktimit europian të Shqipërisë, avokati më me influencë i pranimit të Shqipërisë në familjen europiane, i mbështetjes së zgjidhjes së çështjes së Kosovës e pavarësimit të saj.
Kadareja është tashmë një figurë identitare e popullit shqiptar, krahas figurave të tilla si Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, e si i tillë do të zërë vend në enciklopedinë shqiptare e kujtesën e popullit shqiptar, kudo që ndodhet.
Akademia e Shkencave ka pasur privilegjin ta kishte anëtar të saj për 35 vjet me radhë,çka çdo anëtar i saj e quan një nder të veçantë dhe i është mirënjohës për mbështetjen e peshën që i ka dhënë Akademisë e botës akademike shqiptare në tërësi. Emri i Kadaresë i jep një shkëlqim të veçantë Librit të Artë të Albanologjisë të Akademisë së Shkencave, të cilin ai vetë e cilësonte si: “amza e më të shquarve në studimet shqiptare, që prej themelimit të saj deri më sot…kodiku i nderit i atyre që e kthyen shkencën për shqiptarët nga ekzotike në paradigmatike, pa të cilën nuk bëjnë dot studimet ballkanistike, europiane dhe indoeuropiane”.Cilësime, të cilave vepra e emri i Kadarese u jep edhe më kuptim.
Ne sot kujtojmë me hidhërim këtë humbje të madhe, për largimin nga jeta të anëtarit e kolegut tonë, për humbjen e ikonës së inteligjencës e kulturës shqiptare, por dhe me krenari e mirënjohje për veprën e Kadaresë, vepër e cila do të ruhet si një nga thesaret e kulturës sonë e të shkencave albanologjike, do t’u përcillet brezave si një testament qytetërimi e identiteti, si një pasuri e vyer kombëtare.