Nderohet në 90-vjetorin e lindjes prof. dr. Skënder Aliu, një nga personalitetet e spikatura të arkeologjisë shqiptare
Veprimtaria jubilare kushtuar 90-vjetorit të lindjes së prof. Skënder Aliut, u mbajt sot më 17 nëntor 2026 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Aktiviteti u organizua nga Komisioni i përhershëm i arkeologjisë dhe Instituti i Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave me pjesëmarrjen e akademikëve, kolegëve dhe miqve të arkeologut të shquar.
Kryetari i Komisionit, prof. dr. Neritan Ceka, në fjalën hapëse të veprimtarisë vlerësoi marrëdhënien e gjatë profesionale dhe miqësore me prof. dr. Aliun, që nga viti 1958 kur kishin nisur së bashku studimet universitare. Ai solli në vëmendje faktorët ndikues në formimin e tyre akademik në vitet e para të zhvillimit institucional të arkeologjisë shqiptare, nën drejtimin e themeluesve të kësaj disipline. Prof. dr. Ceka e vlerësoi më tej prof. dr. Skënder Aliun për arritjet në zbulimet arkeologjike dhe karrierën e spikatur shkencore, pavarësisht vështirësive e kohës, duke u afirmuar si një nga arkeologët më të njohur të vendit.
Në mënyrë të veçantë, ai vuri në pah veprimtarinë e palodhur kërkimore të prof. dr. Aliut në vendlindjen e tij, në trevën e Kolonjës, ku ai u shqua në zbulimin dhe studimin e monumenteve arkeologjike. Gjithashtu prof. dr. Ceka vuri në dukje disa nga botimet e prof. dr. Aliut për vlerën e paçmuar në njohjen e prehistorisë shqiptare.
Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, veprimtarinë jubilare e përshëndeti kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha. Ai e vlerësoi prof. dr. Skënder Aliun si një nga personalitetet më të shquara të arkeologjisë shqiptare.
Akad. Hoxha vuri në dukje se prof. dr. Skënder Aliu i përket brezit të arkeologëve që hodhën themelet e kërkimit modern arkeologjik në Shqipëri, duke u dalluar për punën sistematike në terren, analizën shkencore dhe botimin e rezultateve. Ai nënvizoi veçanërisht studimet kushtuar tumave të Shqipërisë juglindore dhe kërkimet në Rehovë, të cilat përbëjnë referenca të rëndësishme për studimet e mëvonshme. Në përfundim, ai shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e Akademisë së Shkencave për veprën dhe përkushtimin shumëvjeçar, duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë prof. dr. Skënder Aliut me rastin e 90-vjetorit të lindjes.
Më pas, drejtori i Institutit të Arkeologjisë akad. Adem Bunguri mbajti një prezantim me powerpoint mbi jetën dhe kontributin shkencor të prof. dr. Skënder Aliut, duke paraqitur periudhat më të rëndësishme të kontributit të tij në zhvillimin e kërkimeve prehistorike në Shqipëri. Përmes këtij prezantimi të ilustruar me fotografi, ai evidentoi gjerësinë e veprimtarisë kërkimore, duke u ndalur veçanërisht te puna e tij shumëvjeçare në trevën e Kolonjës dhe përpjekjet e pareshtura për njohjen dhe dokumentimin e pasurisë arkeologjike të kësaj treve.
Akad. Bunguri vlerësoi se, falë kërkimeve sistematike në terren, artikujve shkencorë dhe monografive të botuara nga prof. Aliu, Kolonja përfaqëson sot një nga trevat me rëndësi të veçantë për trashëgiminë arkeologjike shqiptare.
Në vijim të veprimtarisë, arkeologia dr. Rovena Kurti, shprehu mirënjohjen e saj për rolin e prof. dr. Skënder Aliut në themelimin dhe zhvillimin e studimeve të prehistorisë shqiptare. Ajo vuri në dukje përkushtimin e tij shkencor të dëshmuar përmes gërmimeve në vendbanimet neolitike, si dhe cilësitë e tij njerëzore, ndër të cilat veçoi thjeshtësinë, mikpritjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët.
Më pas, miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e prof. dr. Skënder Aliut sollën kujtime dhe vlerësime për kontributin e tij në fushën e arkeologjisë, duke i përcjellë urimet e tyre me rastin e 90-vjetorit të lindjes. Në përfundim të veprimtarisë, prof. dr. Aliu falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për nderimin e bërë përmes kësaj veprimtarie jubilare, si dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe bashkudhëtarëve të veprës së tij shkencore ndër vite.
