Ndahet nga jeta Akad. Emeritus Bashkim Resuli

Tiranë, 12.04.2023

Nekrologji

Njoftojmë me hidhërim të thellë se është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare, në Zyrih të Zvicrës, “akademik emeritus” dr. Bashkim Resuli, anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mjek specialist në gastro – hepatologji.

Akad. Bashkim Resuli lindi në Tiranë dhe u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Punoi si mjek ordinator në Klinikën II të Sëmundjeve të Brendshme të Spitalit Nr. 1, asistent në Katedrën e Terapisë së Fakultetit, pedagog në Shërbimin Universitar të Gastro-Hepatologjisë, e më pas, drejtues i Departamentit të Sëmundjeve të Brendshme dhe shef i Shërbimit Universitar të Gastro-Hepatologjisë. Përgjatë viteve 2005–2008 luajti rolin e kryemjekut të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës “Nënë Tereza”. Që nga viti 2008 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

 

Akad. Resuli do të mbahet mend si nismëtar i programit të vaksinimit të detyrueshëm të fëmijëve të porsalindur të mbarë vendit kundër hepatitit viral B, si dhe për përfshirjen dhe aplikimin e teknikave dhe protokolleve të kohës në ekzaminimin, diagnostikimin dhe trajtimin e të sëmurëve me patologji të tubit tretës, mëlçisë e të rrugëve biliare. Në punën e tij si pedagog do të zbatonte metodat bashkëkohore të mësimdhënies me studentët e specializantët, duke përgatitur në këtë kuadër, programin e zhvillimit interaktiv të praktikave klinike në të gjitha lëndët e Fakultetit të Mjekësisë.

 

Akad. Resuli është autor/bashkautor i një numri të konsiderueshëm tekstesh dhe monografish, si dhe një sërë publikimesh shkencore në revista shkencore dhe në konferenca kombëtare e ndërkombëtare. Akad. Resuli dha kontributin e tij edhe si themeluesi dhe drejtuesi i “Shoqatës Shqiptare të Mjekësisë Interne”, i “Shoqatës Shqiptare të Gastro – Hepatologjisë ”, bashkëthemelues i “Shoqatës Ballkanike të Gastroenterologjisë”, si dhe anëtar i “Shoqatës Europiane për Sëmundjet e Mëlçisë”, i “Shoqatës Botërore të Gastroenterologjisë” dhe i “Shoqatës Ndërkombëtare të luftës kundër kancerit të mëlçisë”.

 

Kryesia e Akademisë së Shkencave në emër të të gjithë akademikëve dhe institucionit të ASH i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Resuli, miqve si dhe bashkësisë së kolegëve mjekë që i la në pikëllim.

 

Së shpejti do të bëjmë me dije edhe cermonitë e nderimit të kolegut tonë të dashur.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë