Mbyllet Simpoziumi Solemn “Jeta dhe vepra e akad. Eduard Sulstarovës dhe prof. Betim Muços”
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, si dhe Njësia e Gjeofizikës dhe Sizmologjisë, organizuan Simpoziumin Solemn “Jeta dhe vepra e akad. Eduard Sulstarovës dhe prof. Betim Muços”. Ky simpozium i mbajtur mesditën e së premtes, më 15 janar 2021, pati pjesëmarrje të gjerë të akademikëve dhe personaliteteve të njohura të shkencës dhe kulturës, ku për shkak të pandemisë Covid-19 një pjesë ishin online dhe një pjesë mbajtën kumtesat e tyre në sallën “Aleks Buda” të ASHSH-së.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, në fjalën e tij përshëndetëse foli për veprimtarinë e gjatë dhe frytdhënëse të dy personaliteteve që kanë kontribuar në ngritjen e shërbimit sizmologjik në Shqipëri. “Përgjatë 25 vjetëve që i kushtoi vetëformimit, duke u certifikuar me rezultat të shkëlqyeshëm në të gjitha fazat, me të drejtë konsiderohet se Eduard Sulstarova e ktheu sizmologjinë nga shërbim në shkencë, duke marrë meritën e themeluesit të një disipline që shkencave shqiptare u mungonte.” – tha akad. Skënder Gjinushi. Kryetari i ASHSH më tej kujtoi edhe kontributin e akad. Sulstarovës në drejtimin e këtij institucioni. “Akademiku Eduard Sulstarova kreu detyrën e sekretarit shkencor të Akademisë së Shkencave qysh në vitin e pranimit deri më 2008, kur një pseudoreformë arbitrare u bë shkak që të ndërprisnin karrierën profesionale dhe madje edhe që të humbnin të drejtën e votës shumë prej anëtarëve të Asamblesë së saj.
Kjo ndodhi pikërisht në përmbyllje të dy dekadave më të rëndësishme në aspektin dhënës të dijeve të tij. Studimet sizmologjike ballkanike dhe europiane u kthehen e u rikthehen konkluzioneve të artikujve të tij sidomos në kohëra të shfaqjes së rreziqeve dhe fatkeqësive natyrore, siç qe dhe tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.”- u shpreh akad. Skënder Gjinushi. Kryetari i ASH, akad. Skënder Gjinushi, vlerësoi gjithashtu kontributin e prof. Betim Muços.
“Betim Muçon shumica e shqiptarëve e njohin si shkrimtar. Kjo jo vetëm për shkak se pritshmëritë e letërsisë janë shumë më të mëdha se ato të specialiteteve shumë të ngushta, si sizmologjia, por edhe për arsye të dhuntive cilësore krijuese të tij. Betim Muço i takon brezit post-Kadare, brez që bashkoi disa shkrimtarë që bënë emër duke qenë përkrah njëri-tjetrit, si Bardhyl Londo, Moikom Zeqo, Nasi Lera, Kiço Blushi, Xhevahir Spahiu, Natasha Lako, Ndoc Gjetja e Hamit Aliaj.”
Profesor Shyqyri Aliaj theksoi edhe njëherë kontributin e madh të akad. Sulstarovës në ngritjen e shërbimit sizmologjik në Shqipëri dhe për drejtimin me sukses për vite me radhë të institucioneve shkencore të Akademisë së Shkencave dhe më pas spikati kontributin e veçantë të prof. Betim Muços për Njësinë e Gjeofizikës dhe Sizmologjisë. “Ai ndihmoi në pajisjen me teknologji moderne të rrjetit tonë sizmologjik, që në vitin e mbrapshtë të 1997-s u dëmtua rëndë. Në vitin 1998-2001 u ngrit një rrjet me gjashtë stacione sizmologjike, të dhënat e të cilëve regjistroheshin nëpëmjet linjës telefonike në stacionin qendror të Tiranës. Nga viti 2001 me propozim të Betimit dhe financim të Akademisë së Shkencave filloi ngritja e një rrjeti të ri modern satelitor, i tipit VSAT, prodhim kanadez, dhe deri në vitin 2007, u instaluan gjashtë stacione të tillë.” -tha profesor Shyqyri Aliaj, duke theksuar edhe kontributin e prof. Betim Muços nga 1998 -2005 nga SHBA- ja për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e projekteve sizmologjike për vendin e tij. Kontributet e dy personaliteteve të sizmologjisë u prezantuan në panelin e këtij simpoziumi solemn edhe nëpëmjet kumtesave të prof. Siasi Koçiut, dr. Arben Pitarkës, prof. Llambro Dunit, poetes Natasha Lako, e cila foli për profilin e Betim Muços në krijimatrinë letrare, në publicistikë dhe në përkthim.
Prof. Dëfrim Shkupi, prof. Niko Pojani, prof. Rexhep Koçi, prof. asoc. Ylber Mucekut, prof. Marta Muço e znj. Alma Sulstarova sollën në këtë simpozium solemn kujtime të veçanta nga jeta dhe vepra e dy personaliteve. Eduard Sulstarova lindi në Korçë më 12 nëntor 1934 dhe u nda nga jeta më 15 janar 2014. Betim Muço, lindi në Tiranë më 1947 dhe u nda nga jeta më 15 janar 2015.