Mbledhje informuese e RV (redaksisë vendore) dhe anëtarëve të redaksisë qendrore të "Enciklopedisë shqiptare", me pjesëmarrjen e kryeredaktorit Skënder Gjinushi
Pas fjalës së kryeredaktorit Gjinushi, i cili u përqendrua në kuptimin e zbatimin e rekomandimeve të RQ (redaksisë qendrore), relatuan për gjendjen e punës për fjalësin e përbashkët (të bashkuar) akad. Shaban Sinani (drejtues i redaksisë vendore) e dr. Arian Leka (QBEA), si dhe anëtarët e pranishëm: akad. Kosta Barjaba, akad. Anila Hoda, prof. Perikli Qiriazi, akad. Dhimitër Haxhimihali, akad. Adem Bunguri, prof. Aljula Jubani dhe akad. Marenglen Verli.
U raportua prej tyre për punën si koordinatorë të grupfushave të redaksive.
Nga pikëpamja teknike e formale vërehet se fjalësi, në pjesën sunduese, është numerizuar dhe alfabetizuar me rendin mbiemër-emër, gjë që lehtëson hapat e mëtejshëm të procesit drejt fondit themelor.
Nga 27 redaksi, 21 prej tyre kanë tashmë fjalës të përbashkët me redaksitë gjegjëse në Kosovë. Takime paraprake në grupfusha janë bërë 7 nga 11 të parashikuara; takimet e pjesës së dytë do të zhvillohen sipas kalendarit.
Fjalësi i propozuar për trashëgiminë shqiptare nga redaksia e posaçme në MV (i fundmi i dërguar më 22 gusht) është integruar në fjalësit e redaksive të fushave.
Puna me fjalësin e përbashkët e ka kaluar fazën e inventarizimit të artikujve enciklopedikë dhe është përqendruar në konkretizimin e kritereve të unifikuara të përzgjedhjes (pragjeve) dhe riadresimin e propozimeve e mangësive të hasura, si dhe në rregullimin e raporteve midis termave të përgjithshëm (ngjarje, dukuri, zhvillime, pasuri të tokës e nëntokës, terma teknikë) e atyre të përveçëm (personalitete, vende, male, lumenj, subjekte, ente, institucione).
Krahas me njëjtësimin e pragjeve të pranimit të propozimeve, punë e rëndësishme është bashkimi i të ngjashmëve në artikuj të përbashkët, shmangia e mbivendosjeve, saktësimi i imët i përkatësisë së njësisë enciklopedike drejt redaksisë ku termi gjen shprehjen më të plotë.
Redaksitë që u janë bashkuar së fundmi atyre që punojnë me fjalës të përbashkët janë: trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar, arkeologjia dhe lashtësia, historia ushtarake dhe ajo e Luftës së Dytë Botërore (nga ana ushtarake) dhe ekonomia e financat, ndërkohë që redaksia e letërsisë ka kryer bashkimin formal të fjalësit.
Takimet mes redaksive të grup-fushave të afërta, sipas ngjashmërive apo interesit të shprehur, filluan sipas një kalendari të miratuar në fund të muajit korrik dhe vijuan përgjatë muajit gusht. Takimet do të mbyllen më 13 shtator, për t’u vijuar më tej me redaksitë në Prishtinë.
Në fjalën e tij Kryetari akad. Skënder Gjinushi pati në fokus kryesor vazhdimësinë e punës për hartimin e listave të unifikuara e të stabilizuara të artikujve. Ai tha se ky është një vit që duhet të mbyllet me një lista të njësuara.
Kryetari foli dhe për rolin e anëtarëve të redaksisë vendore si koordinues për respektimin e kritereve prej redaksive të fushave dhe për shmangien e vonesave. Ai theksoi se përgjegjësia për cilësinë e lëndës përfundimtare e të veprës në tërësi nuk është vetëm e autorit që shkruan artikullin, por edhe e redaksive vendore e të asaj qendrore. Kur materialet bashkohen e marrin formën përfundimtare përgjegjësia u shkon gjithë redaksive. Ndarja e redaksive në grupfusha është bërë për të ndihmuar që fushat të konsultohen me njëra-tjetrën e të zbatojnë njëlloj kriteret e udhëzimet, dhe këtu koordinatorët kanë një rol të veçantë.