Marrveshje Bashkëpunimi
Sot, më datë 11 dhjetor 2020, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi finalizoi dy marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi dhe konkretisht:
- Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit të Tiranës (UT).
- Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT).
Rektorët e të dy universiteteve, atij të UT-së, prof. dr Artan Hoxha, si dhe atij të UPT-së, prof. dr Andrea Maliqari ishin të pranishëm për nënshkrimin e marrëveshjeve respektive në ambientet e Akademisë së Shkencave.
Secila nga marrëveshjet e bashkëpunimit ka si qëllim kryesor rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis palëve dhe strukturave përbërëse të tyre; përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe mënyrën e zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi e në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta. Parim themelor rregullues për bashkëpunimin e palëve është autonomia akademike dhe universitare. Ato bashkëpunojnë duke respektuar njëra-tjetrën në vetëveprimin e tyre, të rregulluar me ligje dhe me akte nënligjore.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, sqaroi për mediat se të dyja marrëveshjet e bashkëpunimit me këto dy universitete janë një hap shumë i rëndësishëm dhe konkretizues lidhur me të gjitha fushat e dijes. Gjithashtu, qëllim është edhe bashkëpunimi për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume, kryerja e studimeve të përbashkëta, aplikimi dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe europiane, nxitja dhe promovimi i studiuesve të rinj, si dhe hartimin i strategjive të zhvillimit dhe të akteve normative në zbatim të tyre.
Akad. Gjinushi veçoi përparësitë për marrëveshjen e bashkëpunimit të lidhur me UPT-në, duke përmendur: shkencat inxhinierike, energjetikën, teknologjinë e informacionit, inteligjencën artificiale, burimet ujore, shkencat e tokës, urbanistikën e ndërtimtarinë. Palët do të bashkëpunojnë gjithashtu në disiplinat që lidhen me çështje imperative, si tërmetet etj.
Ndërsa, për sa i përket marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur me UT-në, përparësi mbeten shkencat albanologjike: gjuhësia, arkeologjia, historia, antropologjia kulturore, trashëgimia shpirtërore e identitare, studimet letrare e kulturore; në disiplinat e reja të shkencave natyrore dhe teknike: nanoshkencë dhe nanoteknologji; bioshkencë, bioteknologji dhe shkenca të jetës; inteligjencë artificiale; si dhe në disiplinat imperative, si sizmologjia dhe pandemitë.
Për më tepër, në secilën prej marrëveshjeve të lartpërmendura parashikohen edhe bashkëpunime të veçanta.