Liria akademike dhe autonomia institucionale
ALLEA, EUA dhe Science Europe bëjnë thirrje për të mbrojtur lirinë akademike dhe për të ruajtur autonominë institucionale nëpërmjet një sistemi të fortë rregullator.
Berlin/Bruksel, 10 prill 2019. Federata Europiane e Akademive të Shkencave Natyrore dhe Shoqërore (ALLEA), Shoqata e Universiteteve Europiane (EUA) dhe Science Europe kanë lëshuar sot një deklaratë të përbashkët mbi nevojën e menjëhershme për të mbështetur me veprime konkrete zotimet e bëra ndaj lirisë akademike dhe autonomisë universitare. Tre partnerët, të cilët përfaqësojnë një sektor të gjerë të punës kërkimore europiane dhe të sistemit të arsimit të lartë, shprehen se liria akademike dhe autonomia institucionale kanë rëndësi dhe vlerë thelbësore për shoqërinë. “Shoqëritë tona të bazuara mbi dijen janë të varura ndaj zhvillimit shkencor, por brishtësia e parimeve bazë të jetës akademike, liria dhe autonomia, shpesh shpërfillen. Vetëm me to mundet shkenca t’i shërbejë më së miri shoqërisë, – u shpreh Antonio Loprieno, Presidenti i ALLEA-s. – Ngjarjet e fundit në Europë të lidhura me rritjen e presionit politik në disa shtete na kanë ndërgjegjësuar ndjeshëm për nevojën e mbrojtjes me çdo kusht të këtyre vlerave. Është koha që shkencëtarët, por edhe shoqëria në përgjithësi, të ngrihen ndaj shkeljeve të pajustifikuara dhe të kërkojnë mbrojtje më të fortë.” Deklarata bën thirrje për qeveritë dhe autoritetet publike që të mbrojnë lirinë akademike dhe të ruajnë autonominë institucionale duke mundësuar sisteme të forta rregullatore dhe të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të institucioneve kërkimore dhe atyre të arsimit të lartë. Gjithashtu i nxit që t’u mundësojnë studiuesve dhe studentëve të drejtat që përbëjnë lirinë akademike, ashtu si liria e të shprehurit, e mendimit dhe e opinionit. Për më tepër, tri organizatat bëjnë thirrje ndaj universiteteve, agjencive që mundësojnë fonde, akademive dhe organizatave të tjera kërkimore që të nxisin një kulturë në të cilën liria e të shprehurit dhe shkëmbimi i hapur i opinioneve të vlerësohen, si dhe të ruhet liria akademike e studiuesve, mësuesve dhe studentëve.Universitetet dhe akademitë kanë qenë së fundmi shënjestra e presioneve të vazhdueshme politike. Parlamenti europian ndërmori një procedurë disiplinore për të përcaktuar nëse vlerat demokratike, përfshirë lirinë akademike, ishin shkelur në Hungari. Në vitin 2018 qeveria ndali mësimdhënien e studimeve gjinore dhe detyroi Universitetin e Europës Qendrore (Central Europe University) të zhvendosë pjesën më të madhe të aktiviteteve të tij jashtë vendit. Pas një debati të gjatë me qeverinë hungareze në lidhje me buxhetin, Akademisë së Shkencave të Hungarisë iu desh të pranonte, pa dëshirë, të reformonte institucionet e saj kërkimore, duke i vendosur nën një organ qeverisës të përbërë si nga akademikë, ashtu edhe nga shkencëtarë, por të drejtuar nga dikush i caktuar prej kryeministrit. Në Turqi, sektori akademik ka pasur një presion më të madh që prej tentativës së vitit 2016 për grusht shteti dhe me mijëra punonjës publikë u larguan prej pozicioneve të tyre të punës, përfshirë akademikë pjesëtarë të ALLEA-s dhe administratorë të arsimit të lartë.
ALLEA ka ndërhyrë me një sërë veprimesh, përfshirë ndërmjetësimin, deklaratat dhe letrat e hapura, në mbrojtje të institucioneve akademike të rrezikuara përgjatë këtyre viteve të fundit. Kjo deklaratë dhe partneriteti me EUA dhe Science Europe, janë një thirrje për veprim dhe për të reflektuar mbi shqetësimin e përbashkët të organizatave se liria akademike dhe autonomia institucionale e kanë humbur forcën e tyre në Europë dhe në botë, gjë që sjell pasoja të rënda për studiuesit, shkencën dhe shoqërinë.
Shkarkoni deklaratën