Ligjëratë e hapur: Një 80-vjetor i akademizmit albanologjik në Shqipëri, nga prof. dr. Aurel Plasari, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, në prani të një grupi profesorësh e studiuesish, kryesisht të fushave albanologjike. (19 nëntor 2017).


80 vjet më parë shënohet në studimet albanologjike një ngjarje historike e lënë, pothuajse në t’errët: themelimi i një institucion të parë akademik të albanologjisë nën emërtimin “Akademia Albanologjike Saveriane”. E themeluar në Shkodër më 1937, ajo u brendashkruhet dy palë rrethanave të favorshme të atij viti: nga njëra anë 60-vjetori i themelimit dhe veprimit në Shqipëri të Kolegjit të Shën Ksavierit, nga ana tjetër 25- vjetori i pavarësimit të Shqipërisë. Një ngjarjeje e tillë e shënuar e studimeve shqiptare në Shqipërinë e 80 viteve më parë është lënë në t’errët jo për nga rezultatet e mbërritura ose të pambërritura të Akademisë në fjalë, por prej barrës së paragjykimeve përkundrejt një organizimi dituror të përftuar si nismë e mjedisit të përqendruar rreth atij institucioni që në dhjetëvjetëshat e parë të shek. XX njihej me emrin meritor “Kolegji Saverian” ndërsa mbas Luftës II Botërore emri iu shndërrua në “njollë”. As është vënë re dhe as është dashur të kuptohet që, sikurse vetë aktet themeluese të Akademisë Albanologjike Saveriane e dëshmojnë, ajo ishte produkt i një shoqate civile, intelektuale dhe njëherësh atdhetare. Në këtë ligjëratë u trajtuan çështjet kryesore që kishin të bënin me bazën kulturore mbi të cilën kjo Akademi u ngrit, me organizimin e saj, me arritjet e saj dhe, më në fund, edhe me shkrirjen e saj.