Ligjëratë e hapur Katërungjillëshi i dekoruar i Korçës (Kodiku i Korçës), me autorë Andi Rëmbecin dhe Sokol Çungën, fitues të çmimit Kërkuesi i ri më i suksesshëm, në edicionin I të konkursit shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. (5 qershor 2017).
Përgatitësit e këtij botimi përshkruan në mënyrë të hollësishme përpara studiuesve, akademikëve, profesorëve e studentëve, këtë botim specifik, në të cilin bashkohen disa kompetenca: të njohjes së historisë së krishterimit, të paleografisë dhe historisë së shkrimeve dhe dorëshkrimeve, të gjuhës greke mesjetare, të metodave të transkriptimit dhe transliterimit, të hermeneutikës. Libri përmban studimin introduktues, tejshkrimin dhe përkthimin, si dhe riprodhimin anastatik dhe shënjon një arritje në fushën e tekstologjisë kritike biblike-ungjillore si dhe përbën një shembull për vënien e burimeve kishtare. Prezantimi u përmbyll me diskutime e pyetje të shumta nga pjesëmarrës në këtë takim.