U mbajtën punimet e konferencës së parë shkencore ndërkombëtare kushtuar enciklopedizmit shqiptar

Sot, më 29 qershor 2026, nisi punimet konferenca shkencore ndërkombëtare “Enciklopedizmi dhe bota shqiptare”, një veprimtari e organizuar nga Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, njësi e përhershme e kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtare me të drejta të plota në Rrjetin Europian të Enciklopedive dhe të Bibliotekës Kombëtare.

Kjo është konferenca e parë që i kushtohet tërësisht kësaj tematike, ndaj kumtesat dhe diskutimet e paraqitura paraqesin një interes të veçantë, sidomos në kuadër të punës që po zhvillohet për hartimin e “Enciklopedisë Shqiptare”, një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Konferenca u moderua nga drejtori i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, z. Andreas Dushi, i cili paraqiti procesin e hartimit të “Enciklopedisë Shqiptare”.

Veprimtarinë e përshëndeti kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare”, akad. Skënder Gjinushi. Ai foli për qëllimin kryesor të konferencës, ku nënvizoi shkëmbimin e përvojave në fushën e enciklopedizmit, një fushë relativisht e re për institucionet shqiptare, sidomos në tre-katër vitet e fundit, ku Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë ndërmarrë projektin e përbashkët për hartimin e enciklopedisë kombëtare.

Akad. Gjinushi nënvizoi më tej, se vizioni për Qendrën e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike shkon përtej përgatitjes së një enciklopedie apo fjalori të madh. Ajo synon të shndërrohet në një qendër të përhershme kërkimore pranë Akademisë së Shkencave, e mbështetur në një rrjet të gjerë specialistësh nga fusha të ndryshme, të cilët do të kontribuojnë në hartimin, redaktimin, përditësimin dhe pasurimin e vazhdueshëm të botimeve enciklopedike. Ai theksoi se enciklopedia nuk është një vepër që përfundon me botimin e saj, por një projekt që kërkon mirëmbajtje, përmirësim dhe përditësim të vazhdueshëm.

Punimet e konferencës u përshëndetën edhe nga akad. Frashër Demaj, Sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili vlerësoi organizimin e kësaj veprimtarie si një mundësi të rëndësishme për prezantimin e studimeve, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit akademik.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Majlinda Toçi, e cilësoi organizimin e konferencës një nismë sa ambicioze, aq edhe të domosdoshme, duke e parë si një moment historik për albanologjinë dhe kulturën shkencore shqiptare.

Veprimtaria u zhvillua në dy seanca. Seanca e parë përfshiu ceremoninë e hapjes, fjalët përshëndetëse dhe kumtesat e para. Më pas, seanca e dytë u organizua paralelisht në tri salla të ndryshme. Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u mbajtën seancat me temat: “Një vështrim historik rreth dijes enciklopedike shqiptare” dhe “Tematikat në enciklopedi dhe veçori të enciklopedizmit në botën shqiptare”. Në sallën “Akademikët” (ASHSH) u zhvillua seanca me temën “Standardizimi gramatikor dhe historik i enciklopedizmit shqiptar”, ndërsa në auditorin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë u mbajt seanca “Enciklopedizmi dhe bibliotekonomia.

Dr. Bruno Kragić drejtor i Institutit “Miroslav Krleža” dhe Rrjetit Europian të Enciklopedive, trajtoi çështjen e hartimit të enciklopedisë universale. Më tej, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Majlinda Toçi, foli mbi rolin e fondit kombëtar dhe kalimin drejt enciklopedive digjitale. Drejtori i QBEA-së, z. Andreas Dushi, paraqiti procesin e hartimit të “Enciklopedisë Shqiptare”. Një kumtesë e veçantë ishte edhe ajo e akad. Vasil S. Toles, zv. kryetar i ASHSH-së, i cili solli tipologjitë dhe modelet e enciklopedizmit muzikor në botën shqiptare.

Seanca “Tematikat në enciklopedi dhe veçori të enciklopedizmit në botën shqiptare” vijoi me kumtesën e Azis Pollozhanit, i cili prezantoi rolin e redaksisë së posaçme për Maqedoninë e Veriut në ndërtimin e kujtesës kolektive dhe identitetit kombëtar; Frashër Demaj analizoi versionin shqip të “Enciklopedisë së Jugosllavisë”; Marin Haxhimihali solli në kujtesën e të pranishmëve figurën e Sami Frashërit si urë kulturore midis Lindjes dhe Perëndimit; ndërsa akad. Shaban Sinani trajtoi stabilizimin e ligjërimit enciklopedik shqip.

Në vijim, akad. Dhimitër Haxhimihali paraqiti kategoritë teknologjike në “Enciklopedinë shqiptare”; Mimoza Priku foli për toponiminë dhe onomastikonin historik si përveçime për enciklopedinë; Vehbi Miftari solli perspektivën e Vatikanit mbi burimet referenciale shqiptare.

Në sallën “Akademikët” u zhvillua seanca me temën “Standardizimi gramatikor dhe historik i enciklopedizmit shqiptar”, ku u trajtuan çështje të transkriptimit dhe transliterimit të emrave të huaj në shqip nga prof. dr. Valbona Toska dhe dr. Mirushe Hoxha. Më tej u trajtuan elementët enciklopedikë në veprat e Ndre Mjedës nga dr. Zamira Shkreli e Erzen Kopëraj. Gjergj Sinani trajtoi dukurinë e paragjykimeve në shkrimin e historisë së një kombi, ndërsa prof.dr. Naser Zabeli vuri në dukje disa nga problematikat e terminologjisë pedagogjike e didaktike. Arbenita Morina paraqiti një analizë të thelluar mbi ndryshimet në diskursin e përkthimit enciklopedik nga anglishtja në shqip.

Ndërkohë, në Auditorin e Bibliotekës Kombëtare u mbajt seanca me temën “Enciklopedizmi dhe bibliotekonomia”, ku akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj trajtoi temën e të shkruarit si proces krijues dhe Luan Topçiu trajtoi imagologjinë dhe njohjen e tjetrit përmes botimeve albanologjike në kontekstin rumun. Elsa Bitri prezantoi organizimin bibliografik dhe fizik të enciklopedisë në Bibliotekën Kombëtare. Kumtesat e tjera sollën problematika të historisë së teatrit nga Anxhela Çikopano, si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në enciklopedi të huaja nga Zeqirja Ibrahimi. Për rolin e botimeve arbëreshe foli Vilma Proko. Çështje të tjera të rëndësishme si qasjet e reja mbi digjitalizimin, ndërmjetësimin kulturor dhe bibliografitë tematike lokale u trajtuan nga Alda Banushi, Jola Tasellari, Irena Buzi, Eglantina Shtylla, Elton Gjurra, Eris Rusi, Beneta Dhima.

Temat e trajtuara pasuruan mozaikun e kërkimeve shkencore mbi enciklopedizmin shqiptar, duke e vendosur këtë fushë në qendër të vëmendjes shkencore dhe kulturore.