Lidhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademisë së Sigurisë (AS)
Sot, më 6 mars 2024, u lidh një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademisë së Sigurisë (AS).
Në nënshkrimin e marrëveshjes morën pjesë Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi; zëvendëskryetari i ASHSH, akad. Vasil Tole; sekretari shkencor i ASHSH, akad. Shaban Sinani dhe Kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike në ASHSH, akad. Neki Frashëri.
Nga Akademia e Sigurisë morën pjesë Rektori i Akademisë së Sigurisë, prof. Ilirjan Mandro; dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, drejtues i parë, Xhevahir Karaj; drejtori i Kolegjit Profesional të Formimit Policor, drejtues, Mithat Tola, dhe shefi i Sektorit të Kërkimit Shkencor të Projekteve dhe Inovacionit, prof. asoc. dr. Zaho Golemi.
Prof. Ilirjan Mandro informoi për ecurinë e zhvillimit të arsimit të lartë policor, për akreditimin institucional 5-vjeçar të AS-së, akreditimin e programeve bachelor dhe hapat drejt nivelit master e doktoraturë.
Më tej, ai foli për hapat që janë hedhur, që ndikojnë në zhvillimin e policisë së shtetit, por edhe të vendit, siç është bashkëpunimi me policinë italiane dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet akademike, që në rastin e kësaj marrëveshjeje do të konkretizohet me konferenca shkencore në nivel ekspertësh, mbështetje të Akademisë së Sigurisë me publikime të Akademisë së Shkencave dhe strukturave të Instituteve kërkimore Shkencore, etj.
Akad. Skënder Gjinushi falënderoi prof. Ilirjan Mandron dhe drejtuesit e Akademisë e Sigurisë për ftesën për marrëveshjen me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe tha se propozimi për këtë marrëveshje është mirëpritur.
Akad. Gjinushi kujtoi se bashkëpunimi ka nisur më herët me praktikën e dhurimit të librave nga ASHSH dhe kjo praktikë do të vijojë me dhurimin e librave që hyjnë edhe në kulturën e përgjithshme të shkollimit të lartë.
Akad. Gjinushi përgëzoi faktin që Akademia e Sigurisë po shkon drejt objektivave për një shkollim të mirë dhe premtoi mbështetjen me bashkëpunime në kërkime shkencore.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi nga pala përfaqësuese e Akademisë së Sigurisë u propozua edhe bashkëpunimi për ndihmë nga arkeologët, në rastin e gjetjes së veprave arkeologjike apo veprave të artit që janë vjedhur, e më gjerë.
Akad. Gjinushi foli rreth pikëtakimeve institucionale, ku palët do të bashkëpunojnë me përparësi për çështje kërkimore që lidhen me sigurinë dhe paqen shoqërore, me projekte dhe me veprimtari të tjera të përbashkëta.
Akademia e Shkencave në bazë të kësaj marrëveshjeje do të inkurajojë kërkimet ndërdisiplinore në funksion të shkencave të sigurisë dhe të atyre të përafërta me to; duke siguruar ndërsjelltas praninë e ekspertëve në kërkim dhe në formimin e kërkuesve të rinj në ciklin e doktoratës e të postdoktoratës për fushën e sigurisë.
Përfaqësues të AS do të përfshihen sipas fushave në komisionet e përhershme që funksionojnë pranë ASHSH, në përputhje me kriteret e përfaqësimit referuar gradave shkencore dhe titujve akademikë. ASHSH nxit krijimin e një komisioni të përkohshëm për çështje të sigurisë dhe kriminologjisë.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ASHSH fton ekspertë të AS të kontribuojnë në projektet shkencore të saj, si Enciklopedia shqiptare dhe Historia e shqiptarëve dhe për projekte të tjera, kryesisht të atyre që lidhen me sigurinë, hetimin e kriminologjinë.
Palët do të përfshihen në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve shkencore, ku Akademia e Shkencave do të inkurajojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre në to dhe do t’u mundësojnë studiuesve të tyre hapësira botimi në periodikët e tyre, në përputhje me kërkesat për origjinalitet e cilësi.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Akademinë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, dhe Rektori i Akademisë së Sigurisë, prof. Ilirjan Mandro. Kjo marrëveshje nënshkruhet për një periudhë katërvjeçare.