KUVENDI KOMBËTAR PËR GJUHËN SHQIPE | “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”

Sot, më 21 nëntor 2024, në ceremoninë e çeljes së Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe me temë “Sfidat e gjuhës shqipe në shekullin XXI”, akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbajti një fjalë përshëndetëse.
Kuvendi që do të mbahet për dy ditë rresht zhvillohet me rastin e Ditës së Alfabetit, festës mbarëkombëtare të gjuhës shqipe.
Në emër të ASHSH, akad. Gjinushi ka përshëndetur e mbështetur nismën e Qeverisë për shpalljen e vitit 2024 Vit të Gjuhës Shqipe, që u bë pjesë e një kalendari mbarëkombëtar: në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, në Arbërinë e arbëreshëve e në Mal të Zi, në ngulimet historike e në diasporë.
Më poshtë, fjala e plotë e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i ASHSH:
“I nderuar z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë;
E nderuar znj. Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sporteve;
E nderuar znj. Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës;
Të nderuar të pranishëm: akademikë e profesorë, studiues të gjuhës shqipe dhe të trashëgimisë kombëtare;
Ju uroj gëzuar Ditën e Alfabetit, festën mbarëkombëtare të gjuhës shqipe, në emër të Akademisë së Shkencave, që sivjet, për herë të parë, kremtohet zyrtarisht në tri shtete dhe nderohet gjithashtu me status të njohur ligjor edhe në dy shtete të tjera.
Gëzuar mësuesve të shqipes, shkrimtarëve, përdoruesve publikë dhe gjithë shqiptarëve e shqipfolësve.
Akademia e Shkencave, si një institucion me mision kryesor zhvillimin, përurimin, mbrojtjen nga keqpërdorimi dhe përparimin e shqipes sonë të përbashkët, e ka përshëndetur e mbështetur nismën e Qeverisë për shpalljen e vitit 2024 Viti i Gjuhës Shqipe, që u bë pjesë e një kalendari mbarëkombëtar: në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, në Arbërinë e arbëreshëve e në Mal të Zi, në ngulimet historike e në diasporë.
Siç dihet, zgjedhja e datës 22 nëntor, si dita e gjuhës, është bërë në nderim të vendimeve të Kongresit të Manastirit.
Pa njësimin e alfabetit dhe latinizimin e shkrimit, të vendosura aty, nuk mund as të kuptohet, as të përfytyrohet rruga historike që ndoqi gjuha shqipe përgjatë një shekulli e më shumë që nga viti 1908.
Kombi shqiptar u formua dhe shteti shqiptar u pavarësua përmes kontributit të shoqërive atdhetare, klubeve kulturore e lëvizjeve mendore e vendimeve të marra në kongrese e evente si ai i Manastirit.
Iluminizmi e Rilindja shqiptare, për dallim prej shumë vendeve të tjera, kanë lindur e janë zhvilluar kryesisht si iluminizëm gjuhësor, sepse gjuha ka qenë tipari bazë i identitetit të kombit shqiptar; kombi ynë ka mbijetuar prej gjuhës dhe përmes gjuhës. Shqiptarët patën mençurinë që, përkundër dallimeve të shumta mes tyre: etnografike e dialektore, fetare e kulturore, shtuar dhe ato të diktuara nga kufijtë gjeopolitikë e padrejtësitë historike, të zgjedhin si faktorin më të rëndësishëm përdallues, gjuhën kombëtare.
Prandaj dhe shqiptarët e komuniteti shkencor kanë qenë e janë mjaft të ndjeshëm ndaj origjinës e lashtësisë së gjuhës amtare. Për këtë arsye, brezi i gjuhëtarëve të pas çlirimit, një brez i formuar në universitete të mirënjohura europiane, me Eqrem Çabejn si emblemë të tij, iu përkushtua studimit të gjuhës, duke themeluar shkollën vendëse të albanologjisë pranë Akademisë së Shkencave, shkollë tashmë e njohur dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, çka bëri, siç thoshte profesori, që albanologjia të vinte e mbetet në shtëpinë e saj.
Tezat e formuluara e provuara nga kjo plejadë studiuesish e akademikësh për lashtësinë e shqipes, për origjinën e saj indoeuropiane, për lidhjen e saj me ilirishten, jo vetëm i kanë qëndruar kohës, por ato janë pasuruar e rikonfirmuar së fundi edhe nga studimet më të reja në gjuhësinë europiane, të mbështetur në metoda filogjenetike dhe në rindërtimin e ADN-së së gjuhëve indoeuropiane, të cilat mundësojnë të përcaktohet jo vetëm qenia e shqipes si degë më vete, por edhe koha e fillimit të shkëputjes së saj 6 mijë vjet më parë, si dhe drejtimi i rrugëtimit të paraardhësve tanë drejt Europës.
Artikulli më i komentuar i Paul Hagerti me 33 bashkautorë, të Institutit të mirënjohur “Max Planck” dhe të disa qendrave akademike dhe universitare, paraqitur në konferencën e organizuar në Tiranë me Universitetin e Mynihut, këto rezultate i nxori duke u mbështetur në fjalë-çelës, të zgjedhura nga studimet e botimet shkencore të Çabejt dhe të gjuhëtarëve të tjerë të atij brezi e jo nga burimet diletante e amatoreske. Dhe këto janë lajme të mira për shkencën dhe gjuhën shqipe.
Të njëjtat rezultate përkojnë e konfirmohen edhe nga studimet e bazuara mbi ADN-në e popullatave e gjetjet arkeologjike ndër vite, të cilat dëshmojnë lashtësinë e vijimësinë e popullimit të rajonit tonë që prej 8 mijë vjetësh.
Këto studime nuk flasin për supremaci të një gjuhe ndaj të tjerave, as të një popullsie ndaj të tjerave, por i japin shqipes e shqiptarëve, historisë së tyre, vendin që iu takon; tregojnë gjithnjë e më qartë rrugëtimin e formimit të etnosit shqiptar e gjuhës shqipe, krahas e në dallim me gjuhët e popujt e tjerë, shkallën e ndërthurjes midis ardhësve e vendësve, e ky proces 6 mijë vjeçar, me zanafillë parailire e parapellazge ka dhënë këtë gjuhë të mrekullueshme me të cilën Kadare diti të shkruajë kryevepra botërore, dëshmi kjo e pasurisë së saj.
Ne të gjithëve na takon ta mbrojmë këtë pasuri e vlerë kombëtare. Së pari, ta mbrojmë nga vetja, nga keqpërdorimi a mospërdorimi. E këtu vlen të theksohet rëndësia që ka gjuha standarde, tregues ky i një stadi të avancuar të zhvillimit të kulturës e gjuhës së një kombi. Ashtu si intelektualët e mendimtarët e Rilindjes dhe Pavarësisë ditën të kuptojnë rëndësinë e të bëjnë kompromisin për një alfabet të unifikuar, ashtu dhe brezi i intelektualëve shqiptarë, këtu e në Kosovë, iu përgjigjën nivelit historik të ndërgjegjes kombëtare duke përgatitur Kongresin e Drejtshkrimit më 1972-shin, duke marrë vendimin e bërë kompromisin për një shqipe të njësuar letrare.
Detyra e Akademisë së Shkencave dhe e specialistëve të fushës është mirëmbajtja, përmirësimi e promovimi i saj në vazhdimësi, pasi gjuha është në zhvillim të vazhdueshëm, ndërsa detyra e çdo qytetari është mirëpërdorimi i gjuhës shqipe e veçanërisht i shkollës dhe i folësve publikë.
Gjuha duhet mbrojtur dhe nga humbja e folësve të saj. Këtu, ne, mbështesim Ministrinë e Arsimit për të nxitur e organizuar mësimin e gjuhës shqipe nga shqiptarë të larguar, a lindur jashtë vendit. Ne vlerësojmë se programet e mësimit të gjuhës në shkolla duhet të jenë sa më profesionale e lehtësisht të kapshme nga nxënësit dhe Instituti ynë e ka për detyrë e është i gatshëm të kontribuojë në përmirësimin e tyre, por edhe vetë familjet shqiptare duhet ta transmetojnë këtë gjuhë të vyer.
Sigurisht, për këto do të flasin specialistët me më kompetencë, prandaj, dhe një herë, i uroj punime të mbara këtij kuvendi për gjuhën tonë, organizuar me mjaft kujdes prej Ministrisë së Arsimit.
Faleminderit për vëmendjen.”