Komisioni i Mjekësisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi tryezën e rrumbullakët “Autizmi në Shqipëri”
Komisioni i Mjekësisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në datën 15 prill 2025 organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë: “Spektri i Autizmit dhe problemet aktuale të lidhura me të në Shqipëri”.
Ky aktivitet i zhvilluar në kuadër të planit vjetor të veprimtarive shkencore të Komisionit u drejtua nga kryetari i Komisionit të mjekësisë, akad. Genc Sulçebe, i cili theksoi rëndësinë e kësaj problematike në rritje dhe nevojën për një trajtim multidisiplinar dhe të koordinuar.
Nisma për këtë veprimtari u propozua nga prof. Albana Fico, e cila theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme dhe bashkërendimit të punës ndërmjet specialistëve të ndryshëm për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me çrregullime të spektrit autik (ASD).

Të ftuar specialë dhe raportues në këtë tryezë ishin dr. Florida Dobi, drejtore e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët (QKTRF), dhe prof. dr. Ariel Çomo, specialist në fushën e shëndetit mendor dhe kërkimeve mbi autizmin.
Dr. Dobi ofroi një panoramë të gjerë mbi institucionet që ofrojnë shërbime për fëmijët me ASD në Shqipëri, si dhe sfidat kryesore me të cilat përballen familjet dhe profesionistët në këtë fushë.
Ajo theksoi:
Mungesën e protokolleve të standardizuara për diagnostikim dhe trajtim; Nevojën për pajisje me instrumenta bashkëkohorë vlerësimi si ADOS; Mungesën e stafit të trajnuar në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë vendin; Mbingarkesën e qendrave ditore dhe mungesën e shtrirjes gjeografike në zona rurale; Nevojën për krijimin e qendrave satelitë sipas modelit të QKTRF; Domosdoshmërinë për hartimin e protokolleve të specializuara rehabilituese në fusha të ndryshme: logopedike, psiko-motorike, edukim special, terapi grupi dhe okupacionale.
Dr. Dobi theksoi gjithashtu se identifikimi i hershëm i rasteve – që në fazën e konsultorit të nënës dhe fëmijës – është kyç për ndërhyrjen efektive dhe të suksesshme.

Prof. Çomo analizoi situatën nga këndvështrimi i të dhënave epidemiologjike dhe ekonomiko-financiare. Ai vlerësoi se në Shqipëri mund të ketë mbi 6000 deri në 14.000 fëmijë me autizëm, ndërkohë që sistemi shtetëror identifikon vetëm rreth 2500 raste që përfitojnë KEMP, nga të cilët rreth 1500 me kujdestari.
Ai theksoi disa problematika të rëndësishme:
Rreth 40 milionë euro në vit shpenzohen nga familjet jashtë sistemit publik për terapi dhe shërbime mbështetëse; Shumë nëna dalin nga tregu i punës për të kujdesur për fëmijët; Shpenzimet për terapi dhe mësues mbështetës arrijnë mesatarisht në 10,000 euro në vit për familje; Mungesë e infrastrukturës kërkimore dhe diagnostike; Fragmentarizimi i qendrave terapeutike dhe mungesa e një databaze të unifikuar.
Ndër rekomandimet e dhëna prej tij përfshihen: shtrirja e shërbimeve në të gjithë vendin, organizimi në njësi të vogla funksionale, dhe rritja e investimeve në infrastrukturë dhe burime njerëzore për diagnostikim dhe kërkime shkencore.

Tryeza u vlerësua nga pjesëmarrësit si një moment i rëndësishëm për reflektim dhe propozime konkrete në drejtim të forcimit të politikave publike për autizmin në vendin tonë.
Akademia e Shkencave do të vazhdojë të promovojë shkencën dhe debatin profesional mbi temat me impakt të lartë shëndetësor dhe social.