Fjala e lamtumirës e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi për akademik emeritus Bardhyl Golemin
Të dashur familjarë të akademik Bardhyl Golemit,
Të nderuar akademikë!
Të nderur kolegë, miq e dashamirës të profesorit,
Jemi sot këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një miku të veçantë e shumë të shtrenjtë, një prej figurave emblematike të akademizmit shqiptar inxhinierit të talentuar, profesorit të mirënjohur, anëtarit e kolegut tonë të vyer, akademik Bardhyl Golemi.

Bardhyli ka lindur në Dhrovjan të Sarandës më 11 maj të vitit 1932 e prej asaj dite ai u rrit, edukua e formua duke kaluar me sukses tërë hallkat e arsimimit që ndjek çdo i ri me ëndrra e ambicie të mbështetura vetëm tek aftësitë e veta. Në të gjitha nivelet e shkollimit, nga shkollimi i mesëm në Vlorë, tek ai i lartë në Institutin Politeknik në Tiranë e deri te specializimi pasuniversitar në Grand Ecole D’electricite, në Paris, për Bardhylin pati vetëm një vlerësim: nxënës e student i shkëlqyer. I tillë do të ishte vlerësimi për të në tërë rrugëtimin e tij që ndali sot, në çdo hap e fazë të jetës si njeri, profesor e shkencëtar, që përcillte në çdo moment urtësi, dashamirësi e dituri.
Me të njëjtin përkushtim e meritë, me të njëjtat cilësime nga kolegët e tërë komuniteti akademik, arsimor e shkencor, ai mbrojti e fitoi gradat e titujt docent, doktor i shkencave e profesor në fushat e tij të jetës, ato të elektricitetit e elektroteknikës, për t’u zgjedhur më 1999 anëtar i Akademisë sonë, si një përfaqësues i denjë i shkencave inxhinierike, si një personalitet i spikatur i kësaj fushe, si një pedagog e shkencëtar i devotshëm e erudit.

Profesor Bardhyli ka një kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit në Shqipëri, të të gjitha niveleve, e veçanërisht të arsimit të lartë, si drejtues e pedagog; si një prej themeluesve të Universitetit të Tiranës ku punoi si mësimdhënës që prej vitit 1958; si themelues e drejtues i katedrës së parë të elektroteknikës; si kontribuues i shkollës doktorale të inxhinierisë elektrike; udhëheqës i dhjetëra diplomave universitare e pasuniversitare; hartues i disa kurrikulave universitare; anëtar senati e këshillash shkencor të universitetit; anëtar redaksie i revistave shkencore. Me veprimtarinë e tij profesori kontribuoi në formimin e dhjetëra gjeneratave të inxhiniereve elektrikë në Shqipëri e Kosovë, mbi 5000 studentë kanë pasur fatin të dëgjojnë ligjëratat e tij në aulat universitare në Tiranë e mbi 500 në Prishtinë; ata patën fatin të mësojnë bazat teorike të elektroteknikës prej babait themeltar të kësaj lënde në shkollën tonë të lartë, për të cilën ruajnë edhe sot mbresat më të mira.
Pasioni i tij për arsimin, të cilit i kushtoi tërë jetën, interesi i tij i vazhdueshëm për formimin e brezave të rinj, kërshëria e vizioni i tij për nevojën që ka arsimi, për reforma reale e të guximshme u shfaqën me profesionalizëm e kompetencë sa herë që iu ngarkua përgjegjësia të jetë një nga drejtuesit e këtij sektori delikat e veçanërisht gjatë ushtrimit të funksionit të zëvendësministrit të arsimit; pa asnjë mëdyshje arsimi shqiptar ka vulën e kontributin e akademik Golemit në kapërcimin e mjaft momenteve delikate.

Të njëjtin pasion e vizion tregoi deri në fund miku ynë për reformimin e rrugën që duhet të ndjekë Akademia e Shkencave dhe shkenca shqiptare, në kohën e sotme, çdo bisedë me profesorin në çdo moment, edhe kur kishte probleme të veta të shëndetit, drejtohej menjëherë tek problemet e arsimit e të shkencës e këtu nuk fliste vetëm bazuar mbi përvojën e tij shumëvjeçare e si ish sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, por dhe mbi tërë informacionet e prirjet e reja me të cilat ai njihej përditë, sikur të ishte në jetën aktive.
Profesori i shihte të pandara arsimin nga shkenca, punën e pedagogut si mësimdhënës nga ai i kërkuesit shkencor që kur shkenca shqiptare hidhte hapat e parë. Në veprimtarinë e tij mbi 60-vjeçare zë një vend të veçantë veprimtaria e tij shkencore e botuese, ku përfshihen botime bazike si “Praktikumi i bazave teorike të elektroteknikës”, “Lëkundjet në transformatorët e tensionit”, “Sinteza e qarqeve elektrike”, “Probleme të veçanta të bioelktromagnetizmit”, “Zhvillimi i arsimit të lartë në Shqipëri”, “Shkolla shqiptare e elektroteknikës”, hartimin e “Fjalorit Enciklopedik shqiptar”, si dhe një sërë artikujsh shkencorë e pedagogjikë e referimesh në konferenca ndërkombëtare. Profesori është hartues i veprës me tri vëllime “Bazat teorike të elektroteknikës”, vepër që do t’i bënte nder çdo profesori e shkolle të lartë të nivelit europian.

Për veprimtarinë e tij të gjithanshme e të shkëlqyer, si inxhinier, pedagog, profesor e akademik ai është vlerësuar me një sërë çmimesh si “Çmimi i Republikës”, Urdhri “Naim Frashëri”, Urdhri “Flamur i Kuq i Punës” e si një qytetar i devotshëm, si një njeri me zemër të madhe gjithnjë dashamirës e i lidhur me vendin e tij, është zgjedhur dhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Vlorës.
Mbi të gjitha, profesor Golemi, kolegu e miku ynë, ka vlerësimin e mirënjohjen e tërë Asamblesë së Akademisë së Shkencave, si shkencëtar e njeri, si koleg e bashkëpunëtor, si përfaqësues i denjë i gjeneratave të para e të ndritura të akademikëve shqiptarë. Për akademinë e anëtarët e saj, të vjetër e të rinj, do të jetë gjithnjë një nder e krenari që në radhët e saj ushtroi veprimtarinë e tij për 26 vjet me radhë profesor Bardhyli. Këtë vlerësim e mirënjohje ne u përpoqëm t’ia shprehnim mikut tonë duke i akorduar me meritë e përulje në vitin 2021 çmimin e karrierës me motivacionin: “Personalitet me veprimtari intelektuale universitare dhe akademike gjurmëlënëse brenda dhe jashtë vendit për mbi gjashtë dekada; anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1999; i shquar për studimet e tij themeluese me rëndësi bazale në fushën e inxhinierisë elektrike dhe elektroteknike; autor i katër monografive dhe gjashtë teksteve universitare që u kanë shërbyer e u shërbejnë për më shumë se një gjysmë shekulli dhjetëra brezave studentësh e studiuesish; me një rol të dukshëm cilësor në drejtimin e qendrave dhe organizatave shkencore prej njësive bazë deri te Komisioni Kombëtar i UNESCO-s; duke ushtruar me sukses funksione të larta në administratën shtetërore dhe institucionet shkencore; i vlerësuar në botën shkencore jashtë vendit dhe i përfshirë në borde të tribunave shkencore të njohura; fitues i mirënjohjeve të larta qytetare në nivel kombëtar”.

E tillë do të mbetet figura e Bardhyl Golemit në historikun e Akademisë së Shkencave e të Universitetit të Tiranës, në kujtesën e tërë komunitetit arsimor e shkencor, të të gjithë miqve e dashamirësve të tij. Po aq krenarë janë e do të jenë për profesorin si njeri e shkencëtar, si bashkëshort e prind shembullor, familjarët e tij, të cilëve më lejoni t’iu shpreh në emër tuaj, të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, ngushëllimet më të përzemërta.
Të nderuar miq e kolegë!
Sot, në këtë ditë e moment trishtimi, ikën fizikisht prej nesh një shkollë e madhe e dijes kombëtare, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të jetës e veprës së akademik Bardhyl Golemit.
Lamtumirë, mik i shtrenjtë!