“Fizika në shekullin XXI”, veprimtari përkujtimore për fizikanin e shquar akademik Artan Boriçi
Në datën 16 prill 2025 u zhvillua veprimtaria përkujtimore “Fizika në shekullin XXI” për fizikanin e shquar akademik Artan Boriçi, e organizuar nga Instituti Kombëtar i Fizikës, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe Departamenti i Fizikës, Universiteti i Tiranës.
Në këtë veprimtari morën pjesë akad. Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave; anëtarë të kryesisë së ASHSH-së; prof. dr. Eglantina Kalluçi, dekane në Fakultetin e Shkencave të Natyrës; akad. Mimoza Hafizi, drejtore e Institutit Kombëtar të Fizikës, ASHSH; familjarë të akademikut Artan Boriçi, studiues, kolegë, studentë që kanë mbrojtur doktoraturën dhe kanë marrë mësime nga akad. Boriçi.

Akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave, mbajti një fjalë përkujtimore në emër të Kryesisë. Ajo përshëndeti të pranishmit dhe veçanërisht familjarët e akad. Artan Boriçit. Në fjalën e saj ajo theksoi se në këtë ditë të veçantë kujtohet dhe nderohet me përulësi dhe mirënjohje një prej mendjeve më të ndritura të shkencës shqiptare, kolegu i dashur, akademiku Artan Borici, i cili, po të ishte mes nesh, do të festonte 60-vjetorin e lindjes. Më tej shprehu vlerësimet për përkushtimin e veçantë të akad. Boriçit në shkencën e fizikës. Ai kontribuoi pa zhurmë, me modesti të rrallë, në themelimin e një shkolle të re kërkimore në vend dhe la pas një trashëgimi që do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë studiuesish.
Dekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. dr. Eglantina Kalluci, vlerësoi kontributin shkencor të akademik Artan Boriçit dhe theksoi se puna kërkimore-shkencore e tij ishte avangardë jo vetëm për kohën, por ai ishte i pari që futi nocione, të cilat ende sot mbeten të reja për grupin e studiuesve. Ai ka lënë gjurmë që na kanë bërë krenarë për punën dhe veprën e lënë pas.

Në këtë veprimtari u prezantuan punimet shkencore, duke kujtuar kontributin e akad. Boriçit në jetën akademike, marrëdhënien me kolegët dhe mbështetjen që ai u ka dhënë brezave të rinj të studiuesve.
Akad. Mimoza Hafizi paraqiti një punim me temën “Zbulimi i jetës jashtëtokësore-Sfida e shekullit të 20-të”. Ajo theksoi se zgjedhja për të zhvilluar këtë veprimtari shkencore është bërë që kujtimi i Artan Boriçit të ndërtohet përmes ngjarjeve më madhore që po përjeton fizika e shekullit ku ai jetoi dhe kontribuoi si një fizikan i shquar. Sfida e zbulimit të jetës jashtëtokësore ishte e preferuara e tij. Akad. Hafizi u ndal në temën e ekzoplanetëve për të përkujtuar akad. Boriçin, i cili 6 vjet më parë ishte bashkorganizator i një veprimtarie të ASHSH-së lidhur me ekzoplanetët dhe zbulimin e tyre. Më tej ajo foli për profilin e shkencëtarit Boriçi si studiues i shquar i mikrobotës së bërthamës e të grimcave elementare dhe për kontributin që ka dhënë në veprimtaritë shkencore të ASHSH-së e më gjerë.
Prof. asoc. Rudina Osmanaj (Departamenti i Fizikës, Universiteti i Tiranës) rrëfeu për punën e madhe dhe sfidat e tij në shkencë, dhe më pas paraqiti punimin “Në botën e fermioneve rrjetore. Fermionet minimalisht të dubluara”. Në këtë punim ajo u përqendrua te kromodinamika kuantike.
I biri i akad. Artan Boriçit, Dalin Boriçi, i cili është i diplomuar në matematikë e fizikë në Francë dhe që po ecën në gjurmët e të atit, përshëndeti online pjesëmarrësit në këtë veprimtari. Ai prezantoi një punim për izolatorët topologjikë në prani të fushës elektrodinamike kuantike, fushë studimi që e ka ndjekur falë pasionit që kishte edhe i ati, akad. Boriçi.
Tre ish-studentë të akad. Boriçit rrëfyen kujtimet, ndihmën që u ka dhënë në udhëtimin e tyre në rrugën e shkencës dhe më pas prezantuan kërkimet shkencore: Giulio Boraka prezantoi punimin “Bazat fizike të relativitetit të përgjithshëm”; dr. Floran Milo prezantoi studimin me temën “Bashkëveprimi magneto-akustik për llogaritje kuantike” dhe Sergei Çelaj prezantoi një studim për pikat kuantike të integruara në mikrostruktura polimeresh për studimin e efektit laser.
Prof. dr. Dod Prenga (Departamenti i Fizikës, Universiteti i Tiranës) prezantoi studimin “Kërkimi dhe teknikat llogaritëse në Departamentin e Fizikës”. Duke cekur arritjet e këtij departamenti, i cili është diversifikuar në disa drejtime, dhe mbulohen kërkime doktorale të një diapazoni të gjerë si studime të parametrave fizikë, analizë dhe përpunim të të dhënave, studime në sisteme biofizike, si dhe simulim-modelime ndërdisplinare, ai ia kushtoi këto arritje punës së madhe të akad. Boriçit. Ai u kujtoi të pranishmëve se në mesin e viteve 2000 u bë pjesë strukturore e Departamentit të Fizikës Grupi i Fizikës Llogaritëse drejtuar nga prof. Artan Boriçi, entitet që energjizoi dukshëm në sasi dhe cilësi punimet që bazohen ose aplikojnë teknika të avancuara llogaritëse dhe simulime. Prof. dr. Prenga vlerësoi më tej edhe faktin që të diplomuarit që kanë vijuar specializimet jashtë apo janë larguar pas viteve ‘90, e kanë pasuruar traditën me suksesin e tyre në institucionet kërkimore dhe universitetet ku janë atashuar, duke certifikuar pa mëdyshje nivelin e arrirë në shkollimin e këtushëm.
Dr. Aleksandër Çipa prezantoi punimin “Artani në shtypin shqiptar”, përmes të cilit dha një pasqyrë të plotë të kontributit të akad. Boriçit në gazetari. Ai i vlerësoi shkrimet e tij për qasjen analitike dhe idetë që jepte për zgjidhjen e problemeve, duke u përfshirë në të gjitha tematikat sociale, politike e shkencore. Dr. Çipa e vuri theksin te roli i akad. Boriçit me shkrimet për çështje të arsimit e shkencës shqiptare.
Në fund, dr. Mirela Boriçi, bashkëshortja e akad. Boriçit, falënderoi Kryesinë e Akademisë së Shkencave dhe organizatorët e veprimtarisë shkencore që u zhvillua në nderim të 60-vjetorit të akad. Boriçit. Pasi shprehu mirënjohjen, dr. M. Boriçi mbajti një kumtesë me titull “Përse të bëhemi fizikanë?”, përmes së cilës hodhi dritë në mesazhet që ka lënë akad. Artan Boriçi. Ai e çmonte shkencën e fizikës për ndikimin dhe rëndësinë e madhe që ka jo vetëm në fushat e shkencës, por edhe në ekonomi, industri, e sfera të tjera të jetës.
Akad. Artan Boriçi ka dhënë kontribute të rëndësishme në studimet e fizikës teorike. Ai është një prej pionierëve të rëndësishëm që ka shtyrë përpara metodologjitë e reja llogaritëse në LQCD dhe është i pari që u orientua drejt paraqitjeve ekzakte të fermioneve kirale në rrjet dhe simulimin e tyre. Në funksionet e tij si kërkues i mirënjohur dhe fizikan akad. Boriçi ka treguar qartë kompetencën më të lartë shkencore.