Departamenti i Studimeve Letrare, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi konferencën shkencore me tematikë letërsinë biografike dhe autobiografike shqipe
Sot, më 15 prill 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua konferenca shkencore me tematikë letërsinë biografike dhe autobiografike shqipe, e organizuar nga Departamenti i Studimeve Letrare, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH, në bashkëpunim me degën e Letërsisë pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm: drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë akad. Valter Memisha; përgjegjëse e Departamentit të studimeve letrare, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH, prof. dr. Evalda Paci; drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Naim Berisha; drejtori i degës së Letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës prof. dr. Gëzim Aliu; drejtori i Departamentit të Letërsisë pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër: prof.asoc.dr. Arben Prendi, si dhe studiues që prej vitesh u kushtohen hulumtimeve të aspekteve të tipologjisë së kësaj letërsie, autorëve përfaqësues dhe reflektimeve përkatëse nga tradita tipike të botës europiane.
Seanca u drejtua nga prof. dr. Evalda Paci, prof. asoc. Gëzim Aliu, dr. Virion Graçi.
Drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë akad. Valter Memisha, në fjalën përshëndetëse ceku historikun e bashkëpunimit mes IGJL-së, pjesë e ASHSH-së dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së kësaj veprimtarie shkencore që përfshiu në pjesëmarrje studiuesit e të dyja institucioneve. Ai tha se prej vitesh është vendosur një bashkëpunim i frytshëm i konkretizuar në veprimtari të ndryshme shkencore mbajtur në Prishtinë dhe Tiranë me orientim gjurmimet albanologjike, figura të shquara në historinë e studimeve shqiptare, leksikografinë shqipe, periodikun letrar e shkencor shqiptar, gjinitë letrare, kritikën letrare, etj. Më tej akad. Memisha premtoi organizime të frytshme në kuadër të projekteve të përbashkëta, nismave që shërbejnë për të kontribuar në kërkimet albanologjike dhe në fusha të ngushta të tyre.
Konferenca u përshëndet dhe nga prof. dr. Naim Berisha, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, i cili e cilësoi si mjaft të vlefshme këtë veprimtari, si një tjetër nismë të konkretizimit të bashkëpunimit të sipërpërmendur.
Në këtë veprimtari shkencore u mbajtën kumtesa që kishin në qendër të vëmendjes pikërisht letërsinë biografike dhe autobiografike, kryesisht në letërsinë shqipe, vështruar në disa periudha e qasje studimore.

Prof. dr.Hysen Matoshi (Instituti Albanologjik i Prishtinës) paraqiti kumtesën me temë “Ditari si autobiografi”, duke sjellë në ilustrim shembuj e modele nga tradita të përveçme letrare. Ai identifikoi autorë të ditarëve në letërsinë shqipe dhe atë botërore dhe theksoi se ditarët, përtej rëndësisë që kanë si pjesë e korpusit të gjerë letrar e kulturor, janë një trashëgimi shkrimore me interes të përgjithshëm shoqëror.
Akad. Memisha paraqiti kumtesën me titull “Kundrime autobiografike në veprën “Retë dhe gurët” (intervistë me vetveten të Petro Markos”. Ai përshkruan karakterin palimpsestor të veprës, në të cilën gjejnë tema të gjithë studiuesit dhe qëndroi në disa vëzhgime gjuhësore. Ai vuri në dukje se prurjet e shumta gjuhësore në këtë vepër kanë krijuar regjistra të formuar gjuhësisht dhe një spektër shprehjesh që të magjepsin si të jetë prozë e mirëfilltë artistike.
Prof. dr. Gëzim Aliu mbajti kumtesën “Autobiografi në letërsi”. Ai tha se autobiografia mund të lexohet edhe si fakt edhe si letërsi e mirëfilltë (fiction). Studimin e tij prof. Aliu e fokusoi tek elementet narrative për të ndërtuar tekstin dhe dëshmitë letraro- artistike për jetën e autorit dhe botën ku jetonte. Analiza e tij u përqendrua në veprat biografike të Marin Barletit, Jeronim de Radës, Mitrush Kutelit, Migjenit, Faik Konicës, Nolit, Ismail Kadaresë e më gjerë. Ai argumentoi shndërrimin e tyre në personazhe letrare dhe figuracionin e narrativës letrare.

Prof. dr. Evalda Paci mbajti kumtesën me titull “Elemente të biografisë dhe të autobiografisë në përpilime të autorëve të letërsisë romake (vështrim mbi shqipërime e përshtatje)”. Ajo nënvizoi aspekte të profilizimit të letërsisë biografike në autorë e vepra të lashtësisë greke e romake, me një referim konkret ndaj shqipërimesh mbi këto të fundit. Prof.dr. Paci theksoi se në vështrim tipologjik e konstruktiv rreth kësaj letërsie gjurmohen prurje të shumta që dëshmojnë interesin e gjallë ndaj letërsisë antike greke, duke qenë kjo e fundit e pasur në subjekte dhe personazhe që ngjallin shtysa për vështrime të natyrës antropologjike dhe kritike. Ajo foli më tej për pasurinë e personazheve dhe subjekteve në letërsinë latine me trajtesa biografike të transmetuar në gjenerata në të gjitha format e mundshme të ruajtjes së veprës së shkruar.
Prof. asoc. Arben Prendi mbajti kumtesën me titull “Elemente biografizmi në romanet e Ridvan Dibrës dhe Stefan Çapalikut. Ai u ndal në aspekte të tipologjisë së shkrimtarisë së dy autorëve të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe në vëzhgimin e elementeve biografike e autobiografike në veprat e tyre, të cilat përkojnë me një prirje të romanit bashkëkohor shqiptar për të bërë objekt të rrëfimit artistik traumat individuale dhe kolektive të jetës nën regjimin komunist dhe të tranzicionit shqiptar.
Prof. asoc. Adil Olluri (Dega e Letërsisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës) u ndal në një vështrim kritik të studimeve të Agron Gashit mbi autobiografinë. Ai vuri në dukje dhe risitë dhe pasurimin e studimeve përkatëse mbi këtë prirje të rëndësishme në letërsi. Gjithashtu, ai theksoi se shkrimi autobiografik letrar i dha letërsisë një frymë të tejshqueshme të raportit personal mes veprës dhe autorit të saj. Kjo mënyrë shkrimi i dha letërsisë një diskurs që e shndërron autorin në një personazh tejet të rëndësishëm të veprës së tij. Ngjyrimin personal në letërsi shenja e autobiografisë e bëri më transparente, më qenësore.

Dr. Virion Graçi (Departamenti i Studimeve Letrare, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH) paraqiti kumtesën me temë “Vitalizim i romanit bashkëkohor shqiptar nga prurje autobiografike: raste e risi”. Ai trajtoi aspekte qenësore të reflektimit të kësaj letërsie në disa autorë të letërsisë shqipe, pa lënë jashtë vëmendjes dhe prurje referenciale mbi këtë tematikë nga autorë e vepra të letërsisë evropiane. Ai vuri në dukje se autobiografizmi në letërsinë bashkëkohore të çon menjëherë drejt një fondi përherë e në pasurim romanesh cilësorë, më përfaqësuesit dhe me besueshmëri e interes të veçantë në radhë të parë për publikun. Në dhjetëvjeçarët e fundit në letërsinë tonë kemi prurje të bollshme romanesh autobiografikë, të cilët shënojnë lartësi cilësore, jo vetëm sa i përket krijimtarisë autoriale, por edhe në fondin e krejt romanit shqip.
Meliza Krasniqi (Dega e Letërsisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës) mbajti kumtesën “Letërsia si akt kujtese: Gratë që rikrijojnë heroinat”. Ajo trajtoi në veçanti shfaqje të elementeve biografike në autore të letërsisë dokumentare shqipe dhe theksoi se letërsia dokumentare dhe biografike është kthyer në një formë narrative të fuqishme dhe të vlerësuar gjerësisht e të rrëfejë të vërteta historike përmes emocioneve dhe përjetimeve personale. Në këtë mënyrë ajo forcon lidhjen midis lexuesit dhe kujtesës historike, duke e bërë të kaluarën më të prekshme dhe më të kuptueshme.
Dr. Rovena Vata (Departamenti i Studimeve Letrare, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASHSH) mbajti kumtesën me titull “Zëri biografik i Dritëro Agollit në poezinë e tij”. Ajo veçoi elemente të biografisë së këtij shkrimtari në disa krijime të mirënjohura të tij. Dr. Vata vuri në dukje se zëri biografik i Dritëro Agollit vjen me ngjyrim të theksuar sociologjik dhe filozofik, që në parim artistikisht, fuqizon njësinë e individuales në shërbim të së përgjithshmes.
Në përmbyllje të kësaj veprimtarie shkencore u mbajtën diskutime mbi vetë letërsinë biografike dhe shfaqjet e saj në tradita të caktuara letrare, si dhe mbi ndërlidhjen mes disiplinash të të shkruarit veçanërisht kur bëhet fjalë për një tematikë të tillë, përherë në pasurim dhe në qendër të vëmendjes studimore mbi zhvillimet letrare të kohëve të fundit.