Arkivat
Në përbërje të Akademisë së Shkencave janë dhe Arkivat e mëposhtme:
- Arkivi i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë ruan në fondet e tij dorëshkrime tekstesh të vjetra të shqipes, materiale dokumentare nga fusha e albanologjisë që mund të shfrytëzohen nga çdo studiues. Në të ruhen gjithashtu dorëshkrime të punimeve, monografike e veprave gjuhësore a historiko-letrare, të studiuesve të ndryshëm, të botuara ose jo.
- Arkivi i Institutit të Historisë ka vlerë të veçantë dhe shumë të rëndësishme në fushën e studimeve për historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ky Arkiv është një pasuri e krijuar nga kërkimet arkivore, të ndërmarra nga punonjësit e këtij institucioni ndër vite, në shtete të ndryshme. Fondet e tij përbëhen nga dokumente të sjella nga ekspeditat e studiuesve pranë arkivave të huaja, nga materiale të ndryshme të sjella nga biblioteka dhe institucione të tjera shkencore etj.
Fondet e AIH përbëjnë bazën kryesore burimore jo vetëm për punimet e botimet shkencore të deritanishme nga punonjësit e IH, por edhe më gjerë. AIH, për arsye të vlerave burimore dhe shkencore që zotëron, do të vazhdojë të shërbejë edhe në të ardhmen si një ndër referencat kryesore të hulumtimeve shkencore, me qëllim kryerjen e studimeve të larmishme nga ana e shkencëtarëve. Rëndësia tjetër e këtij arkivi qëndron në faktin se ai shfrytëzohet si nga studiuesit shqiptarë, ashtu dhe nga studiues të huaj jashtë vendit.
Në këtë arkiv përveç studiuesve punojnë edhe një numër i madh studentësh të masterit dhe doktoraturës nga universitetet shqiptare, si dhe doktorantë nga universitetet jashtë vendit, me të cilat Instituti i Historisë ka nënshkruar marrëveshje për këtë qëllim.
Arkivi i Institutit të Historisë është i pasur me dokumente arkivore dhe monografi të pabotuara. Ai ruan dokumente të sjella nga arkivat amerikane, arkivat britanike, arkivat franceze, arkivat austriake, arkivat italiane, arkivat turke, arkivat greke, bullgare, arkivat e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë e Serbisë.
Ky arkiv është i përbërë nga:
- Arkivi i literaturës: Përmban materiale në dorëshkrim apo të daktilografuara (rreth 4.000 dosje).
- Arkivat digjitale: Përmban dokumente të marra nga arkivat e huaja me rreth 700.000 imazhe). Këto janë koleksione të plota mbi Shqipërinë që janë sjellë gjatë viteve 2010-2016.
- Arkivi i fotokopjeve: Përmban materiale të fotokopjuara nga arkiva të huaja (rreth 3.800 dosje).
- Fototeka: Këto arkiva ndahen sipas fondeve, të cilat u korrespondojnë periudhave përkatëse dhe sipas arkivave të huaja nga janë marrë.
Organizimi i materialeve është bërë në bazë të skedarëve, ku çdo skede i përgjigjet dosja përkatëse.
- Pjesë integrale e Institutit të Antropologjisë janë edhe arkivat shkencorë me një lëndë të pasur etnografike dhe folklorike. Fondet etnografike datojnë që prej vitit 1947, kur u ngrit Sektori i Etnografisë, dhe ndihmuan në hapjen e Muzeut Arkeologjik-Etnografik (1948) pranë Institutit të Shkencave. Pjesa kryesore e reperteve është mbledhur ndër dekada gjatë ekspeditave studimore prej etnografëve shqiptarë, ndërsa një pjesë është dhuruar nga dashamirës të ndryshëm.
Në aspektin strukturor, fondet etnografike që ndodhen në arkivat e Institutit të Antropologjisë ruhen të ndara në disa kategori:
- Arkivi i fotografisë është i ndarë në disa fonde: fondi i filmotekës (me rreth 38 000 negativë filmi), fondi i negativëve prej xhami, ndër më të veçantët në Shqipëri, pasi përmban negativë të fondeve fotografike të Kolë Idromenos, Margaret Hasluck, Kiço Venetikut, Ugolinit etj. (me rreth 2700 negativë); fondi i fotografisë (me rreth 50. 000 foto), skicoteka (me rreth 4000 skica).
- Arkivi i shkruar i etnografisë dhe folklorit është i ndarë në disa fonde: fondi i shkruar i etnografisë, fondi i shkruar i folklorit, fondi i përkthimeve.
- Arkivi i kulturës materiale është i ndarë në dy fonde: fondi tekstil-lesh (12,597 objekte) dhe fondi dru-metal (8.785 objekte).
- Arkivi audiovizual përmban1700 bobina me shirit magnetik të incizuar, rreth 221 kinofilme, 215 videokaseta, 202 disqe magnetofoni etj
Kjo pasuri arkivore është kontribut i shumë brezave studiuesish që kanë kryer ekspedita dhe kanë gjurmuar pasurinë kulturore në trevat shqipfolëse, duke e dokumentuar atë vizualisht, në të shkruar dhe në mbledhjen e objekteve të trashëgimisë materiale.
- Fondet arkeologjike: Ky koleksion është një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, e cila është e brishtë dhe e parinovueshme, ndaj, ruajtja, digjitalizimi dhe studimi shkencor i tij është një nga prioritetet e Institutit të Arkeologjisë.