Akademiku i asociuar Rrapo Ormëni shpallet fitues i çmimit “Vepra më e mirë studimore” në Panairin e 5-të mbarëkombëtar të librit akademik e shkencor

Panairi i 5-të mbarëkombëtar i librit akademik e shkencor ditën e tretë të promovimeve e nisi me një minutë heshtje në nderim të personalitetit të madh të letërsisë dhe albanologjisë, akademik Rexhep Qosja, që u nda nga jeta më 23 prill 2026.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Vasil Tole në emër të Kryesisë shprehu vlerësimin për akademikun Rexhep Qosja, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai tha se akademik Rexhep Qosja është një personalitet unik i kulturës sonë dhe duke qenë se kjo ngjarje e rëndë na gjeti në aktivitet kujtimin e tij në ditën e tretë të panairit do ta nisim me një minutë heshtje.
Panairi i 5-të mbarëkombëtar i librit akademik e shkencor, i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, për tri ditë rresht u shndërrua në një festë të dijes, ku u prezantuan botime të reja dhe u vlerësuan arritjet më të spikatura në fushën e shkencës dhe kulturës.
Zv. Kryetari i Akademisë, akad Tole në hapjen e aktiviteteve të ditës së tretë shprehu vlerësimin për Qendrën Kombëtare e Librit dhe Leximit si partneri kryesor në organizimin e këtij panairi. Ai tha se në kuadër të misionit të saj për promovimin e librit në Republikën e Shqipërisë dhe të figurës së autorit të librit që është figura e shkencëtarit qendra në bashkëpunim me dy akademitë ka ideuar dhënien e këtij çmimi që do të vazhdojë për gjithë kohën që ky panair do të vazhdojë.

Çmimi prestigjioz “Vepra më e mirë studimore” e akorduar nga QKLL iu akordua akademikut të asociuar Rrapo Ormëni, për përgatitjen e kolanës madhore me katër volume “Akademik Eduard Sulstarova – Vepra të zgjedhura në fushën e sizmologjisë”.
Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit znj. Arta Marku vlerësoi mbajtjen e panairit në kuadër të Ditës Kombëtare të Librit dhe bashkëpunimin e QKLL-së me Akademinë e Shkencave. Ajo u shpreh se bashkëpunim me një institucion si Akademia i jep dinjitet institucional qendrës së librit.
Duke lexuar motivacionin e jurisë, znj. Marku theksoi se kjo vepër është një monument shkencor, që jo vetëm ruan trashëgiminë e një figure të shquar, por edhe hap horizonte të reja për kërkime në fushën e sizmologjisë dhe gjeoshkencave. Përmes këtij botimi përmblidhen e dokumentohen kontributet më përfaqësuese të tij në fushën e sizmologjisë, duke i paraqitur ato si dëshmi e zhvillimit shkencor në vend dhe si burim frymëzimi për brezat e rinj të kërkuesve shkencorë.
Botimi përfaqëson një arkiv shkencor dhe kulturor të pazëvendësueshëm, ku dokumentohet evolucioni shkencor dhe institucional i sizmologjisë shqiptare nga fundi i viteve ’60 deri në vitin 2011. Në këtë vepër evidentohet rolin themeltar i Akademikut Eduard Sulstarova (1934–2014) si pionier i monitorimit sistematik sizmik në Shqipëri. Kontributet e tij vizionare u zhvilluan në bashkëpunim me profesorët Shyqyri Aliaj, Siasi Koçiaj, Betim Muço dhe shumë kolegë të tjerë, duke themeluar shkollën shqiptare të sizmologjisë.

Znj. Marku ftoi Kryetarin e Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushin për t’i dhënë çmimin akad. Rrapo Ormënit.
Akad. Ormëni u shpreh se është nder dhe privilegj për mua që kontribuova në përgatitjen e këtij volumi të akademik Sulstarovës dhe ky çmim që jepet sot nga akademia e Shkencave të Shqipërisë është një vlerësim jo vetëm institucional, por për mua është edhe personal pasi tregon se puna e bërë kontributi i përkushtimit ndaj shkencës dhe mësuesit asnjëherë nuk humbet. Akademik Sulstarova ka dhe një kontribut të jashtëzakonshëm për sizmologjinë shqiptare.
Ai ka kontribuar si në rang lokal, por edhe rajonal europian edhe më gjerë, për arsye se ai ka qenë Kryetar Komisioni i Zvogëlimit të Riskut Sizmik për Ballkanin Perëndimor, anëtar i asamblesë të sizmologjisë, dhe këto tituj ai i përdori për të zhvilluar shkencën e sizmologjisë shqiptare që e ngriti atë në një nivel evropian. Në fund ai shprehu falënderime për Kryesine për këtë nderim ceremonial që i bëhet veprës së tij.

