Y.Popa (1)

Ylli POPA

Fusha: Mjekësi

Ylli Popa (1930–2017). Mjek kardiolog, profesor, akademik. Lindi në Elbasan, ku kreu dhe Shkollën Normale. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Institutin Mjekësor-Farmaceutik të Bukureshtit (1948–1954). Filloi punën si përgjegjës i katedrës së biokimisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës (1954–1957), më pas pedagog në katedrën e terapisë spitalore (1957–1958). Në vitin 1958 filloi studimet pasuniversitare për kardiologji në Moskë, të cilat i përfundoi më 1961. Më pas shërbeu si kardiolog në Spitalin Klinik nr. 1, ku bashkë me Petrit Gaçen ngritën shkollën e kardiologjisë shqiptare. Në vitet 1967–1970 qe përgjegjës i katedrës së terapisë spitalore, përgjegjës i pavijonit të kardiologjisë në klinikën e propedeutikës (1970–1973), përgjegjës i katedrës së propedeutikës (1973–1983), përgjegjës i katedrës së kardiologjisë (1983–1993). Ka botuar një varg artikujsh dhe është bashkautor në tekstet “Leksione të kardiologjisë” (1986, 1988) dhe “Kardiologjia” (1991). Më 1972 futi për herë të parë në vendin tonë konceptin mbi miokardiopatitë idiopatike, çka u referua në një konferencë ndërkombëtare kardiologjike në Paris. Ka qenë kryetar për Shqipërinë i “Union Medicale Balcanique” (1987–1993) dhe anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit që nga themelimi i tij (1990). Për 10 vite me radhë ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1997–2007). Ylli Popa ka qenë deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë për dy legjislatura (1982–1990). Për veprimtarinë e tij shumë të dobishme në shërbim të shkencës dhe popullit është nderuar me titullin “Hero i Punës Socialiste” dhe me urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës i kl. I”.