IMG-20210118-WA0006

Petraq PETRO

Fusha: Matematikë

Petraq PETRO(1944–2021). Matematikan, profesor, akademik. Lindi në fshatin Prodan të Kolonjës. Arsimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” të Korçës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në degën e matematikës të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1965). Mbas diplomimit filloi punën si pedagog në Katedrën e Matematikës së Specialitetit. Në vitin 1981 fitoi gradën “Kandidat i Shkencave”, në vitin 1984 mori titullin Docent, në vitin 1986 fitoi gradën “Doktor i Shkencave” dhe në vitin 1991 mori titullin “Profesor”. Në vitin 2008 zgjidhet anëtar i asocuar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga viti 2011 është anëtar i rregullt i Asamblesë së saj.

Petraq Petro ka qenë që nga viti 1972 deri në 2013 titullar i lëndëve algjebrike, përgjegjës i Katedrës së Algjebrës dhe Gjeometrisë (1987–1992) dhe në vitet 1993–2012 përgjegjës i Seksionit të Algjebrës në Departamentin e Matematikës të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës. Ka qenë promotor për modernizimin e lëndëve algjebrike dhe ka botuar një varg tekstesh universitare dhe pasuniversitare.

Ndër më të spikaturit janë: “Baza të Algjebrës Moderne” (1984), “Ushtrime të Algjebrës Moderne” (1985), “Algjebra 1, 2” (1987, bashkautor), “Ushtrime të Algjebrës Lineare” (2000) “Koncepte Themelore Matematike” (2005), “Strukturat Algjebrike” (2007) etj.

Veprimtaria e tij e mirëfilltë kërkimore shkencore është fokusuar në fushën e strukturave algjebrike të gjysëmgrupeve dhe unazave, si dhe në përgjithësime të tyre, e në mënyrë të posaçme në drejtimin e Relacioneve të Grinit në këto struktura; ai vetë i ka futur dhe studiuar këto relacione në unaza. Në disertacionin e doktoratës së tij, ndër të tjera ka zgjidhur edhe dy probleme në teorinë e kuazi-idealeve në unaza Këtë veprimtari kërkimore e ka pasqyruar në botimin e një vargu artikujsh shkencorë në revista kombëtare dhe ndërkombëtare prestigjioze si dhe e ka reflektuar dhe implementuar atë në udhëheqjen shkencore të dhjetë studentëve pasuniversitarë nga të cilët tetë kanë fituar gradën “Doktor i Shkencave”, ndërsa dy janë në procesin e doktorimit.

Gjatë gjithë karierës së tij, Petraq Petro është angazhuar në drejtimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve të arsimit të lartë duke marrë pjesë në Këshillin Shkencor të Fakultetit të Shkencave Natyrore (1990–2007) dhe më pas në Këshillin e Profesorëve të Fakultetit të Shkencave Natyrore (2008–2013). Në vitet 1992–1994 ka qenë anëtar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës dhe gjatë viteve 1993–1997 anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor. Ka qenë anëtar i Senatit të Universitetit të Tiranës në vitet 1999–2012. Gjatë viteve 2007–2013 ka qenë anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

Petraq Petro ka hedhur bazat e kërkimit algjebrik në Shqipëri dhe ka qenë drejtues i shkollës pasuniversitare në fushën e studimeve algjebrike që prej krijimit të saj deri në vitin 2013. Ka marrë pjesë dhe ka referuar në kongrese dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare të Matematikës dhe ka qenë një ndër organizatorët e disa prej tyre. Ka qenë anëtar i bordeve të disa revistave shkencore dhe aktualisht është anëtar i bordeve të revistave shkencore “Journal of Natural and Technical Sciences” dhe“Mathematica Balkanica”.