Hamit BEQJA
Fusha: Psikologji
BEQJA Hamit (1929–2011). Historian i arsimit, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Shkodër, ku kreu gjimnazin dhe shërbeu po aty si mësues (1947–1949). Studimet e larta për pedagogji e psikologji i kreu në Moskë (1953). Veprimtaria e tij shkencore shtrihet në fushën e pedagogjisë, të psikologjisë, të sociologjisë, historisë së arsimit e të kulturës. Autor i një vargu librash e i shumë artikujve studimorë; bashkautor i teksteve të psikologjisë e pedagogjisë për shkollat e mesme e të larta. Ndër veprat kryesore të tij janë: “Mbi karakterin kombëtar të edukatës” (1979), “Rreth edukatës qytetare” (1981), “Si të sillemi, ç’zakone ndjekim?” (1986), “Kë edukojmë, si edukojmë?” (1987), “Rrjedhave të sociologjisë së edukatës dhe kulturës” (1989), “Edukata me syrin e popullit” (1988), “Për rininë e me rininë” (1991), “Edhe engjëlli edhe djalli janë brenda tek i gjalli” (1995), “Dashuria, seksi, studentët e mi” (1999), “Tranzicioni demokratik dhe psikologjia e Shqiptarëve të sotëm” (2001), “Galeria dhe plateja” (2002) etj. Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.