B.Daja (1)

Besim DAJA

Fusha: Ndërtim

Besim DAJA (1923–2006). Arkitekt, profesor, akademik. Lindi në Tiranë, ku kreu dhe gjimnazin. Studimet e larta për arkitekturë i filloi në Lubjanë (1945–1948) dhe i përfundoi në Leningrad (1951). Ka qenë përgjegjës i sektorit të Arkitekturës në Ndërmarrjen e Projektimeve (1951–1953), zv.drejtor i Institutit të Lartë Politeknik (1953–1957), zv.dekan (1957–1965), dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (1965–1970), zv.rektor i UT (1970–1983) dhe themelues e përgjegjës i katedrës së arkitekturës (1951–1983). Është autor dhe bashkautor i teksteve universitare “Bazat e projektimit të shtëpive të banimit” (1986), “Projektimi arkitektonik i godinave social-kulturore” (Vëll. I, 1991) dhe “Gjeometria deskriptive” (1970), “Fjalor terminologjik i arkitekturës” (1968). B.D. është autor dhe bashkautor në vepra të rëndësishme të arkitekturës shqiptare, si: Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Pallati i Madh i Kulturës, plani urbanistik i Qytetit “Studenti”, projekte të konvikteve universitare, klubi “Studenti”, shtëpi banimi, shkolla etj. Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”; ka marrë titullin “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë e të dytë.