Andromaqi GJERGJI

Fusha: Etnologji

Andromaqi GJERGJI (1928–2015). Etnologe, profesore, akademike. Lindi në Korçë, ku kreu dhe shkollën e mesme. Në vitin 1947–1949 ndoqi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Tiranës dhe filloi punën në sektorin e etnografisë në Institutin e Shkencave. Më vonë plotësoi studimet e larta dhe u diplomua në degën e historisë të UT. Vijoi punën si etnologe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe më vonë në Institutin e Kulturës Popullore. Andromaqi Gjergji është studiuese e specializuar në fushën e veshjeve popullore shqiptare. Rezultatet e kërkimeve të gjata shkencore në terren (1949–1981) dhe të studimeve të saj i ka pasqyruar në një varg artikujsh dhe në vepra përgjithësuese: “Veshjet shqiptare në shekuj” (Tiranë, 1988); “Mënyra e jetesës në shekujt XIII–XX” (Tiranë, 2002); “Histori e artit shqiptar” (1990) (bashakutore); “Veshje Popullore Shqiptare – Albanian Popular Costumes” (vëll. I, 1999; vëll. III, 2005), (bashakutore); “Albania a Patrimony of Europian Values” (2000), (bashakutore); Bashkëautore në tekstet mësimore: “Historia e artit shqiptar” (1990), “Veshje popullore” (1989) dhe “Ligjërata për etnologjinë shqiptare” (2001, ribotim 2005); “Veshje popullore shqiptare në shekuj: origjina, tipologjia, zhvillimi” (2005) “Arti i zbatuar popullor” (2006). Një numër studimesh të saj i kushtohen mënyrës së jetesës, kushteve materiale të jetës familjare e shoqërore, sidomos në fshat, duke trajtuar edhe disa mbijetoja të hershme. Andromaqi Gjergji ka dhënë ndihmesë me vlerë edhe në fushën e muzeologjis. Ajo është e para grua anëtare e ASHSH (1999). Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.