Alfred UÇI
Fusha: Estetikë
Alfred Uçi (1927-2016). Pedagog i filozofisë dhe i estetikës në Universitetin e Tiranës, profesor, akademik. Lindi në Korçë. Në moshë të re mori pjesë në Luftën ANÇ, në radhët e Brigadës IX S . Kreu studimet e larta për filozofi në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1954). Për një periudhë të gjatë dha lëndët e filozofisë dhe estetikës në UT. Iu kushtua që në fillim studimit të trashëgimisë së mendimit filozofik shqiptar, duke botuar monografi për jetën dhe veprën e Jani Vretos dhe të Theodhor Kavaliotit. Në vitin 1979–1986 ka qenë drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, kryeredaktor i revistës “Kultura popullore” dhe i një vargu botimesh shkencore e dokumentare të atij instituti; në vitin 1987–1990 kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve dhe ministër i Kulturës. Pas kësaj iu kushtua tërësisht punës shkencore duke botuar një varg studimesh nga fusha e estetikës dhe duke marrë në vështrim jo vetëm autorë shqiptarë, po edhe autorë nga më të njohurit e letërsisë botërore. Ka marrë tri herë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë si dhe titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” (2016).
Ndër veprat kryesore të tij janë: “Estetika, jeta, arti” (1970), “Probleme të estetikës” (1976), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982) , “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986) , “Estetika” (në tri vëllime, 1986–1988), “Shekspiri në botën shqiptare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1997), “Ferr-Parajsa danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti”, (greqisht, Athinë 1998), “Grotesku kadarean” (1999),, “Estetika e groteskut” (4 vëll., 2000), “Estetika në letërsinë shqipe” (2001), “Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi (N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni)” Shkup (2003), “Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit” (2004), “Estetika e folklorit” (2007), “Universi estetik” (3 vëll. 2004–2007), “Estetika e folklorit” (2007), “Estetika metateorike mbi artin: klasika apo nonklasika?” Vëllimi I, 464 f. (2008), “Estetika metateorike mbi artin: klasika apo nonklasika?” Vëllimi II, 484 f. (2008), “Filozofia e DonKishotizmit” (2010), “Petro Nini Luarasi, mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare: 1865-1911: jetëshkrimi, studime, vepra” (2011), “Estetika Migjeniane: fryma moderne në letërsinë shqipe” (2013), “Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare” (2015), “Ese dhe etyde filozofiko-estetike” (2015).