U zhvillua workshop-i me temën “Certifikimi i materialit mbjellës të varieteteve autoktone të vreshtit dhe qasjet shkencore për zhvillimin e brandeve të verës në Shqipëri”

Veprimtaria u zhvillua më 10 shtator 2026 nga Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, përmes Komisionit të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Workshop-i shkencor me temën: “Certifikimi i materialit mbjellës të varieteteve autoktone të vreshtit dhe qasjet shkencore për zhvillimin e brandeve të verës në Shqipëri” u moderua nga prof. dr. Magdalena Cara, një nga drejtueset shkencore të projektit VINECERT. Në këtë veprimtari morën pjesë Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së, përfaqësues të institucioneve akademike e bujqësore, përfaqësues të sektorit të prodhimit të verës, përfaqësues nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) si dhe partnerë ndërkombëtarë. Nga sektori i prodhimit pjesë ishin z. Rigers Kacorri, përfaqësues i Kantinës Arbëri, dhe z. Artan Balaj, përfaqësues i Kantinës Balaj, të cilët përfaqësuan eksperiencën e kantinave shqiptare në kultivimin dhe promovimin e varieteteve autoktone, përkatësisht Kallmetit, Vloshit dhe Sheshit të Bardhë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, akad. Gjinushi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Akademisë me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Ministrinë e Bujqësisë, duke nënvizuar se kërkimi shkencor duhet të jetë i zbatueshëm dhe i lidhur ngushtë me sektorin e prodhimit. Ai vlerësoi rolin e qendrës kërkimore të bioteknologjisë dhe gjenetikës pranë ASHSH-së, për të cilën synohet që të kthehet në qendër të mirëfilltë të kërkimit shkencor. Akad. Gjinushi nënvizoi se bujqësia shqiptare nuk mund të konkurrojë me sasi, por me cilësi dhe me specifikat e varieteteve autoktone.
Kryetari i Akademisë përshëndeti gjithashtu konsolidimin e bashkëpunimit me partnerët italianë, duke e cilësuar këtë si një rrugë të sigurt për integrimin e kërkimit shkencor shqiptar në hapësirën evropiane. Ai theksoi se ruajtja e fondit gjenetik të varieteteve autoktone dhe mbrojtja e tyre nga patogjenët është një detyrë e kërkimit shkencor, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë midis laboratorëve, qendrave të transferimit të teknologjisë, fermerëve dhe institucioneve ekzekutive.
Në vijim, zëvendësministri i Bujqësisë, z. Arian Jaupllari, në fjalën e tij përshëndetëse, nënvizoi se workshop-i prek një çështje me rëndësi të veçantë për të ardhmen e bujqësisë shqiptare: ruajtjen, identifikimin, mbrojtjen dhe certifikimin e varieteteve autoktone të hardhisë. Vreshtaria për Shqipërinë nuk është thjesht një aktivitet ekonomik, ajo është pjesë e historisë, e territorit, e traditës dhe identitetit tonë bujqësor.


Akad. Ilia Mikerezi, kryetar i Komisionit të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë falënderoi partnerët italianë për bashkëpunimin dhe organizmin e kësaj veprimtarie. Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të ruajtjes së trashëgimisë dhe kulturave autoktone të vreshtarisë dhe krijimit të bazave shkencore për zhvillimin e verës me identitet kombëtar, duke e pozicionuar Shqipërinë në hartën e vendeve që investojnë në cilësi, autenticitet dhe inovacion në sektorin e bujqësisë dhe agroturizmit.
Sesionin e hapi akad. Efigjeni Kongjika, gjithashtu drejtuese shkencore e projektit VINECERT, e cila prezantoi objektivat, aktivitetet dhe rezultatet e pritshme të kësaj nisme që synon krijimin e bazave shkencore për certifikimin e varieteteve autoktone të hardhisë shqiptare. Akad. Kongjika theksoi se projekti VINECERT përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi kombëtar certifikimi, duke bashkuar ekspertizën e institucioneve kërkimore shqiptare dhe italiane në fushën e bioteknologjisë, virologjisë dhe mbrojtjes së bimëve. Më tej ajo prezantoi rrjetin e bashkëpunimit institucional që përfshin Qendrën Kërkimore “Bioteknologji & Gjenetikë” të Akademisë së Shkencave, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë, si dhe partnerët italianë të CIHEAM Bari dhe CNR, duke nënvizuar se ky bashkëpunim ka krijuar bazën për zhvillimin e një infrastrukture moderne laboratorike, e aftë të garantojë standarde evropiane në testimin fitosanitar dhe në ruajtjen e identitetit gjenetik të varieteteve autoktone.
Sesioni i dytë solli rezultatet konkrete të projektit, duke përfshirë kontrollin virologjik të varieteteve autoktone, karakterizimin morfologjik dhe ampelografik, si dhe protokollet e shëndetësimit e ruajtjes në kriobankë. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u përqendrua te lidhja mes origjinës territoriale, certifikimit dhe zhvillimit të brandeve të verës shqiptare si Shesh i Bardhë, Shesh i Zi, Vlosh dhe Kallmet.
Në sesionin e tretë, tryeza e rrumbullakët trajtoi hapat institucionalë dhe teknikë për ngritjen e një skeme kombëtare të certifikimit, duke theksuar rolin e laboratorëve diagnostikues, fidanishteve dhe institucioneve publike në garantimin e identitetit varietor dhe autenticitetit gjenetik.
Workshop-i vijoi me sesionin e katërt, ku u formuluan rekomandime për kontrollin virologjik, ngritjen e fushave koleksionuese dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm për zhvillimin e një skeme pilot të certifikimit në kuadër të projektit VINECERT.
