Akad. Skënder Gjinushi: Me largimin nga jeta të Artan Boriçit humbëm një përfaqësues të dijes që i kishte të rrallë shokët në brezin e tij
Fjala e lamtumirës e akademik Skënder Gjinushit në homazhet e mbajtura nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në nderim të akademikut të asociuar Artan Boriçi
“Të dashur familjarë e të afërm të Artanit tonë, i dashur Hamit dhe Myzejen, Mirela dhe Dalin,
Të dashur kolegë e miq të Artanit, akademikë e profesorë,
Morëm një lajm tronditës e të dhimbshëm me humbjen e fizikanit të talentuar, akademikut Artan Boriçi, i cili u nda prej nesh nga një goditje e pabesë e jetës njerëzore, që na ka lënduar e do të na lëndojë gjithnjë e më rëndë.
Kemi qenë të gjithë të shqetësuar për shëndetin e tij, por këtë ditë nuk e kishim menduar.
Kemi besuar se Artani do t’ia dalë, siç ua ka dalë aq e aq sfidave të jetës e të shkencës. Kemi jetuar me shqetësim e ankth çdo ditë të jetës së tij, qëkurse u gjend në zonën e rrezikut. Por nuk e kishim menduar kurrë këtë helm, që po provojmë prej ditës së djeshme.
Kishim besim në fuqinë fizike të Artanit, po aq sa kishim besim në fuqinë mendore dhe intelektuale të tij.
Jemi bashkë këtu të ndajmë sadopak dhimbjen me njëri-tjetrin. Humbëm një përfaqësues të dijes që i kishte të rrallë shokët në brezin e tij. Prof. Artani ishte prej atyre intelektualëve që jo vetëm u formuan, por arritën të bëhen konkurrentë të suksesshëm të nivelit europian.
Prof. Artani u bë anëtar i Akademisë sonë të Shkencave, në saje të nivelit dhe cilësive të tij, të një studiuesi të spikatur të nivelit të kohës. Ardhja e tij në radhët e Akademisë ishte një ogur i mirë për vetë Akademinë, ishte e do të mbetet një vlerësim për tërë anëtarët e saj e të komunitetit të fizikanëve. Ajo u mirëprit nga të gjithë ne me vlerësimet maksimale, e veçanërisht nga ish-profesorët e tij Mejdani e Vila, ashtu siç e meritonte ish-studenti i tyre i shkëlqyer. Ai bën pjesë në atë grupim shumë të kufizuar njerëzish që zakonisht quhen të mbikualifikuar dhe kjo e bën më të pazëvendësueshme humbjen e tij; humbje e pazëvendësueshme për familjen, humbje shumë e rëndë për ne, humbje po aq e rëndë për bashkësinë e studiuesve fizikanë në Shqipëri dhe në një kuadër europian.
Iku prej nesh në mënyrë të papritur – ai që gjithkush e vlerësonte si mbështetës i së ardhmes së Akademisë. Prisnim që shumë shpejt, bashkë me kolegë të tjerë të së njëjtës fushë, të ngrinim institutin kombëtar të fizikës, që do të bashkonte fizikanë shqiptarë këtu e në botë, ide të cilën ai e përkrahte me po atë entuziazëm e këmbëngulje siç qe pasioni i tij, në tërë veprimtarinë si pedagog e shkencëtar.
Artan Boriçi la një trashëgimi që nuk hyn dot në kornizën e viteve. Nuk është ngushëllim për ne fakti që ai iku nga kjo jetë si një njeri i realizuar me punimet e tij të shumta e cilësore në fizikën moderne, pasi po aq të shumta ishin pritshmëritë për rezultatet e tij në vazhdimësi, çka e kuptonte gjithkush që kishte rastin të diskutonte e debatonte me të, për projektet e planet e tij për të ardhmen.
Tani, fitoi gradën doktor i shkencave matematike në një prej institucioneve më të njohura universitare federale të Zvicrës. Bashkëpunoi me sukses me disa qendra të mirënjohura të fizikës dhe matematikës në Zvicër, Gjermani e më gjerë. U bë pjesë e ekipeve të specializuara për kërkime bërthamore europiane. Ishte një prej vlerësuesve dhe paravlerësuesve të konkursit të përvitshëm për çmimin Nobel në fizikë.
Institucionet shkencore europiane kishin bindje t’i mirëbesonin buxhete për projektet që propozoheshin prej tij si individ apo në emër të Universitetit të Tiranës, ku bashkoi energjinë e tij mendore. U ftua të bashkëpunonte dhe bashkëpunoi siç dinte ai edhe me NATO-n e CERN-in, përveç agjencive kërkimore të specializuara ngushtë nga Zvicra në Skoci. Artikujt e tij janë botuar në revista nga më me prestigj në botë.
Nuk është momenti tani t’ju flas me gjuhë teknike për kërkimet e para të Artanit qysh kur ishte student për të analizuar të dhëna eksperimentale dhe më pas për ndërtimin e pikës dhe të vijës në gjuhë makine; për simulimin e modelit dypërmasor të Izingut (nën udhëheqjen e profesor Rexhep Meidanit). Segregimi në sipërfaqe e bëri Artanin njeriun që kishte mundësi të zgjidhte midis ofertave të shumta për studime doktorale: në fushën e kimisë kuantike llogaritëse, në studimet për grimcat elementare. Fusha kuantike e kuarkeve dhe e gluoneve të tyre e drejtoi nga nënhapësirat e Krilovit, ku dha kontribute origjinale.
Le të lejohemi të nderojmë veprën e Artanit tonë edhe me fjalë e terma që ai do t’i dëshironte. Lanços me dy kalime ishte hapi tjetër i tij, mbështetur në realizimet e mëparshme. Pa një algoritëm të tillë fermionet kirale rrjetore, që sapo ishin propozuar, do të ishin të pamundura për t’u simuluar – kështu ka shkruar ai vetë në jetëshkrimin e tij. Duhet të shtojmë se ky algoritëm dhe variacionet e tij janë në përdorim edhe sot.
Artani punoi me sukses të merituar e të shpërblyer për të studiuar optimizimin numerik të kontratave të tipit amerikan. Ai dha kontribute matematikore në mjedise ku kishte përfunduar procesi i superkompjuterizimit, duke pajtuar sistemet klasike përllogaritëse me programimin në inteligjencën artificiale. Ai është propozues i një formulimi të ri, që sot citohet me emrin Boriçi-Krojc. Studimet e tij janë pika reference brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar të pranishëm, Artani na la, por vepra e tij është pjesë e vyer e trashëgimisë akademike të Shqipërisë. Arritjet e tij shkencore janë e do të jenë në duart e studiuesve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai e shkroi jetën e tij në këto arritje.
I dashur Artan, na ike kur s’e prisnim, shumë pak kohë bashkudhëtuam në Akademinë e Shkencave. Por emri yt është duke u shkruar në Librin e Artë të Shkencës sonë.
Ikja jote është zi për familjen tënde, por edhe për të gjithë ne miqtë e kolegët e tu, kujtimi yt, vlerat e tua të veçanta njerëzore, kontributi yt i shquar në fizikë si një shkencëtar i vërtetë e mësimdhënës i pasionuar janë një ngushëllim i madh për familjen tënde, të cilët do të krenohen për çdo hap e sukses të jetës tënde, po aq krenar do të jemi të gjithë ne, që patëm rastin, kënaqësinë e nderin të të kishim student, koleg, a bashkanëtarë të Akademisë së Shkencave. Ti padyshim do të mbetesh një nga modelet më të spikatura të gjeneratës sate e një simbol për t’u arrirë nga gjeneratat më të reja, të studentëve e ish-studentëve të tu.
Lamtumirë i dashur Tani.
I ndrittë shpirti ashtu siç ndrin ky diell sot, ashtu siç ndrinin sytë e Tanit kur fliste për shkencën.
Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!”
Akad.Skënder Gjinushi
Kryetar i Akademisë së Shkencave