Shkencëtari i talentuar, akademik i asociuar, prof. Artan Boriçi përcillet me homazhe dhe nderime nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Akad. Skënder Gjinushi e quan largimin e parakohshëm nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit “një humbje e pazëvendësueshme për familjen, humbje shumë të rëndë për akademikët dhe humbje po aq e rëndë për bashkësinë e studiuesve fizikanë në Shqipëri dhe në një kuadër europian”

Personalitete të shquara të shkencës, akademikë, përfaqësues të universiteteve të vendit, kolegë, politikanë, përfaqësues të medias e studentë kanë qenë pjesëmarrës në homazhet e mbajtura sot më 26 mars nga ora 13.00-14.00 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në nderim të akademikut të asociuar, fizikanit Artan Boriçi

Homazhet u mbajtën në praninë e familjarëve të tij në mjediset e ASH, pranë Librit Akademik.

Të ardhur grupe-grupe për shkak të kufizimeve të pandemisë, me kurora e tufa lulesh në duar, e me lot në sy, të pranishmit kanë ngushëlluar familjarët dhe akademikët, duke shprehur dhimbjen për humbjen e madhe, por edhe vlerësimin e nderimin më të thellë për shkencëtarin e talentuar që la gjurmë në shkencën shqiptare e atë europiane.

Në homazhet e mbajtura në nderim të akad. Asoc. Artan Boriçit, kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi mbajti fjalën e lamtumirës në emër të kryesisë dhe kolegëve të këtij institucioni, ku e quan largimin e parakohshëm nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit një humbje e pazëvendësueshme për familjen, humbje shumë të rëndë për akademikët dhe humbje po aq e rëndë për bashkësinë e studiuesve fizikanë në Shqipëri dhe në një kuadër europian.

“Të nderuar të pranishëm, Artani na la, por vepra e tij është pjesë e vyer e trashëgimisë akademike të Shqipërisë.

Arritjet e tij shkencore janë e do të jenë në duart e studiuesve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai e shkroi jetën e tij në këto arritje.

I dashur Artan, na ike kur s’e prisnim, shumë pak kohë bashkudhëtuam në Akademinë e Shkencave. Por emri yt është duke u shkruar në Librin e Artë të Shkencës sonë.” – tha Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi.

Ngushëllime të ndjera ka shprehur sot edhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri në postimin e faqes zyrtare të facebook, ku shkruhet:

“Sot vajtojmë humbjen e Profesor Artan Boriçit si pasojë e Covid-19. Ai ishte një fizikant i shkëlqyer dhe anëtar i respektuar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Artan Boriçi ishte gjithashtu një anëtar aktiv i Klubit Zviceran në Shqipëri. Ai studioi në ETH Zürich dhe kreu punë kërkimore me Institutin Paul Scherrer në Zvicër. Ekipi i Ambasadës Zvicerane shpreh trishtim të thellë dhe i dërgon ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve.”

Pas homazheve të mbajtura nga Akademia e Shkencave, trupi i shkencëtarit të ndjerë Artan Boriçi nesër në orën 11.00 do të niset drejt Shkodrës, për t’u prehur në vendlindje.

Akad.asoc Artan Boriçi u nda jeta mbrëmjen e 25 marsit, në prag të 56-vjetorit të lindjes së tij (19 prill 1965) pas një beteje të javëve të fundit me Covid-19.