Viti 2024 - Vit i Gjuhës Shqipe
Takim i akad. Skënder Gjinushit, kryetar i ASHSH, me znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Të pranishëm studiues të gjuhës shqipe të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë ASHSH dhe anëtarë të komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe letërsisë.
Akad. Skënder Gjinushi tha në hyrje të takimit se ky bashkëbisedim për gjuhën shqipe sot në universitete e në sistemin arsimor në tërësi është i mirëpritur.
Shpallja e vitit 2024 si vit i gjuhës shqipe është një arsye plus për të shtuar vëmendjen ndaj saj dhe për të ndërmarrë nisma shkencore të reja, që, nga ana jonë, u shtohen tre projekteve madhore në albanologji: “Fjalorit të madh të shqipes”, që është në vitin përmbyllës; “Historisë së shqiptarëve”, që është dorëzuar për redaktim; dhe “Enciklopedisë shqiptare”, që tashmë është në fazë pune. Në këto tre projekte, në redaksi e si bashkautorë, janë të përfshirë mbi 200 studiues (vetëm nga Shqipëria dhe pa bashkëpunëtorët). Si një nga institucionet propozues, e vlerësojmë nismën për shpalljen e Ditës së Alfabetit (22 nëntor) si festë zyrtare që bashkon shqiptarët.
Znj. Ogerta Manastirliu theksoi se vendimi për “Vitin e Gjuhës Shqipe” është marrë pikërisht për të rritur përgjegjësinë ndaj gjuhës amtare në të gjitha nivelet e arsimit, duke filluar prej programeve (kurrikulave), teksteve, mësimdhënësve dhe nxënësve e studentëve. Jemi në përpjekje për një plan veprimi të gjerë, na duhet bashkëpunimi i ASHSH dhe i instituteve të saj, i universiteteve, i qendrave albanologjike jashtë vendit.
Në takim u bënë propozime të vlefshme që Viti i Gjuhës Shqipe të mos mbetet në një nivel nderimi simbolik, por të jetë vit pune për ndryshime pozitive.
Znj. Manastirliu tha se ky do të jetë vit konkursesh kombëtare për shqipen, vit i shkollave verore të rikualifikimit të mësuesve, vit për nisma të përbashkëta për hartim tekstesh të njësuara.
U shtrua problemi i rritjes së përgjegjësisë shtetërore për gjuhën, i nevojës për hartimin dhe miratimin e një ligji për përdorimin e shqipes në funksionet publike (K. Jorgaqi), për redaktorët e shqipes në institucione (S. Mansaku); për ngritjen e një strukture për njësimin e terminologjisë (A. Jubani), e cila, me rreth 40 fjalorët e botuar nga ASHSH, nuk pasqyron gjendjen e sotme, sepse janë botuar herët, dhe ndërkaq është detyrim ndaj kapitujve të anëtarësimit në BE, posaçërisht ndaj “acquis communautaire” (vendet e pranuara tashmë kanë dëshmuar përvoja të mbara e të dështuara); u theksua se roli i inteligjencës artificiale në këtë proces varet shumë nga baza e të dhënave që ka vënë në dispozicion mendja njerëzore.
Propozime u bënë për ridaljen në shtyp të revistave të specializuara si “Gjuha jonë” dhe “Gjuha dhe letërsia në shkollë” (V. Memisha); për rivendosjen e gjuhës dhe letërsisë shqipe në peshën e merituar në kushtet e rrudhjes së vendit të tyre në programet shkollore krahasuar me gjuhët e huaja dhe letërsinë e huaj (A. Omari, B. Qose); që gjuha shqipe të jepet në shkolla jo si teori, por si për perdorues (T. Toska, Sh. Rrokaj); që dija shkencore të shërbehet me sukses si dije didaktike (T. Plangarica); që të mbështetet mësimi i shqipes në katedrat e albanologjisë jashtë (B. Suta); për nevojën e librit të mësuesit, doracakëve metodikë, për një rregullim më të studiuar të hartimit të teksteve etj.
Akad. Gjinushi, në mbyllje të këtij bashkëbisedimi, duke rikonfirmuar mbështetjen për nismat e MAS për të ndryshuar pozitivisht mësimdhënien e saj në universitete, theksoi se ky duhet të jetë një kujdes i shkallëshkallshëm, që lidhet me stadin e shqipes sot, si gjuhë që po shuhet (në brezat e emigrantëve që kané lindur e formohen jashtë vendit); si gjuhë për t’u mbrojtur e inkurajuar (tek arbëreshët e gjetkë) dhe si gjuhë amtare me përdorim të njësuar.
Në përfundim u ra dakord që mendimet e shprehura të sistemohen me shkrim si një dokument që do të shërbejë për të programuar bashkëpunimin në vijim.