Marrveshje Bashkëpunimi

Sot, më datë 11 dhjetor 2020, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi finalizoi dy marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi dhe konkretisht:

  1. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit të Tiranës  (UT).
  2. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT).

Rektorët e të dy universiteteve, atij të UT-së, prof. dr Artan Hoxha, si dhe atij të UPT-së, prof. dr Andrea Maliqari ishin të pranishëm për nënshkrimin e marrëveshjeve respektive në ambientet e Akademisë së Shkencave.

Secila nga marrëveshjet e bashkëpunimit ka si qëllim kryesor rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis palëve dhe strukturave përbërëse të tyre; përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe mënyrën e zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi e në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta. Parim themelor rregullues për bashkëpunimin e palëve është autonomia akademike dhe universitare. Ato bashkëpunojnë duke respektuar njëra-tjetrën në vetëveprimin e tyre, të rregulluar me ligje dhe me akte nënligjore.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi,  sqaroi për mediat se të dyja marrëveshjet e bashkëpunimit me këto dy universitete janë një hap shumë i rëndësishëm dhe konkretizues lidhur me të gjitha fushat e dijes. Gjithashtu, qëllim është edhe bashkëpunimi për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume, kryerja e studimeve të  përbashkëta, aplikimi dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe europiane, nxitja dhe promovimi i studiuesve të rinj, si dhe hartimin i strategjive të zhvillimit dhe të akteve normative në zbatim të tyre.

Akad. Gjinushi veçoi përparësitë për marrëveshjen e bashkëpunimit të lidhur me UPT-në, duke përmendur: shkencat inxhinierike, energjetikën, teknologjinë e informacionit, inteligjencën artificiale, burimet ujore, shkencat e tokës, urbanistikën e ndërtimtarinë. Palët do të bashkëpunojnë gjithashtu në disiplinat që lidhen me çështje imperative, si tërmetet etj.

Ndërsa, për sa i përket marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur me UT-në, përparësi mbeten shkencat albanologjike: gjuhësia, arkeologjia, historia, antropologjia kulturore, trashëgimia shpirtërore e identitare, studimet letrare e kulturore; në disiplinat e reja të shkencave natyrore dhe teknike: nanoshkencë dhe nanoteknologji; bioshkencë, bioteknologji dhe shkenca të jetës; inteligjencë artificiale; si dhe në disiplinat imperative, si sizmologjia dhe pandemitë.

Për më tepër, në secilën prej marrëveshjeve të lartpërmendura parashikohen edhe bashkëpunime të veçanta.