Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit të Mjekësisë

Një kornizë e nevojshme ligjore ndërveprimi institucional dhe nxitje për projekte dhe pjesëmarrje të përbashkëta.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), e përfaqësuar nga kryetari akad. Skënder Gjinushi, ka lidhur këtë të hënë, më 11 janar 2021, marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës (UMT). Pas nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, rektori, prof. dr. Arben Gjata, u shpreh se ajo i hap rrugë bashkëpunimit në shumë fusha të dijes dhe shkencës.

Marrëveshja vë në baza ligjore lidhjet midis studimeve akademike dhe kërkimeve universitare në shkencat mjekësore. Kjo përfshin si programet universitare, ashtu edhe formimin e profesionistëve të rinj në këto fusha, ku secila prej palëve propozon rrugët më të mira e më të suksesshme përmes projekteve dhe veprimtarive të përbashkëta akademike e universitare, tha rektori i UMT-së, prof. dr. Arben Gjata.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi e cilësoi të rëndësishëm lidhjen e kësaj marrëveshjeje, e cila ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të strukturave kërkimore, duke u mbështetur në hapësirën e re ligjore të institucionit, me akte nënligjore dhe me projekte e veprimtari të përbashkëta akademike e universitare.

“Universiteti i Mjekësisë përballon detyrat kryesore të aktivitetit të kërkimit shkencor që lidhet me shëndetin e popullsisë, faktorët e ndotjes së mjedisit e shumë kërkime të tjera të rëndësishme për jetën dhe shëndetin e popullsisë së vendit, tha akad. Skënder Gjinushi. Ai theksoi se falë kësaj marrëveshjeje, ASHSH-ja dhe UMT-ja do të jenë shumë më të pranishëm tek njëri-tjetri, deri tek bashkëdrejtimi i njësive kërkimore që funksionojnë pranë saj.

Në aktin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit të Mjekësisë të Tiranës (UMT) ndër të tjera parashikohet që njësitë bazë dhe Senati akademik i UMT-së marrin pjesë në procesin e promovimit të kandidatëve për anëtarë të Asamblesë së ASHSH-së. Gjithashtu, përfaqësues të trupës akademike të UMT-së do të përfshihen sipas fushave në komisionet e përhershme që funksionojnë pranë ASHSH-së.

Ndërsa është bërë traditë që ASHSH-ja u dhuron periodikisht koleksione të botimeve të saj bibliotekave të UMT-së, sipas deklaratës së nënshkruar, palët do ti sigurojnë njëra-tjetrës shkëmbimin e ndërsjellë dhe të pakushtëzuar të informacionit shkencor, të periodikëve që botojnë, të studimeve, monografive dhe më gjerë.