U zhvillua veprimtaria “Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes”

Në këtë ditë të shënuar Akademia e Shkencave botoi dhe promovoi veprën me tri volume “Kadareja në kritikën botërore”.

Veprimtaria u zhvillua në datën 28 janar 2026 me pjesëmarrjen e kryetarit të ASHSH-së akad. Skënder Gjinushi; zv. kryetarit të ASHSH-së akad. Vasil Tole; kryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akad. Justina Shiroka – Pula; sekretares shkencore akad. Anila Hoda dhe akademikëve, studiuesve e miqve të letërsisë.
Veprimtarinë e hapi akad. Anila Hoda. Ajo falënderoi pjesëmarrësit dhe organizatorët dhe i uroi punime të mbara konferencës.
Akad. Gëzim Hoxha mbajti fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave. Ai tha se promovimi i veprës madhore me tri volume “Kadareja në kritikën botërore” përfaqëson një moment të rëndësishëm jo vetëm për studimet letrare shqiptare, por edhe për afirmimin ndërkombëtar të kulturës sonë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë e konsideron këtë jubile si një akt kujtese kulturore, por njëkohësisht edhe si një përgjegjësi shkencore: përgjegjësinë për të studiuar, sistemuar dhe transmetuar trashëgiminë intelektuale të një autori që i ka dhënë identitet dhe dinjitet letërsisë sonë në botë..
Akad. Justina Shiroka Pula përshëndeti në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ajo tha se botimi në tri vëllime “Kadareja në kritikën letrare botërore” pasuron studimet letrare shqiptare dhe njëkohësisht shërben si një dëshmi e fuqishme e pranisë dhe e vlerësimit të veprës së Kadaresë në mendimin letrar ndërkombëtar.
Më tej ajo u ndal në raportin e Kadaresë me Kosovën. Për Kadarenë, Kosova ka qenë dhe mbetet një pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Si intelektual me autoritet të lartë letrar dhe moral, Ismail Kadareja e bëri çështjen e Kosovës të pranishme në një dimension më të gjerë ndërkombëtar, duke denoncuar dhunën, mohimin e të drejtave dhe përpjekjet për shuarjen e identitetit shqiptar.
Studiuesi dhe profesori Pirro Misha e vlerësoi tërësinë e veprës së Ismail Kadaresë si një monument të pazëvendësueshëm për kulturën kombëtare dhe si pjesë të identitetit tonë kombëtar. Ai falënderoi Akademinë e Shkencave për festimin e veçantë të ditëlindjes me promovimin e veprës “Kadareja në kritikën botërore” dhe autorin Bashkim Kuçuku.

Akad. Floresha Dado mbajti kumtesën me temën “Filozofia e veprës së Kadaresë: intuitë artistike dhe vetëdije shkencore”. Ajo e vlerësoi veprën e Kadaresë si shkencë të jetës dhe të shpirtit njerëzor dhe bëri një vështrim të thelluar të dukurive në procesin krijues, duke e vënë theksin në qasjen origjinale të Kadaresë ndaj mendimit shkencor. Krijimtarinë e Kadaresë akad. Dado e vlerësoi si dëshmi të një mendjeje shumëplanëshe, ku figura e trillimit dhe logjika e mendimit nuk do të mund të qëndronin veçmas, të dyja formësojnë njëra- tjetrën. Më tej ajo paraqiti një analizë të detajuar të strukturave përgjithësuese tematike e artistike të veprës së Kadaresë.

Prof. dr. Persida Asllani vlerësoi këmbënguljen e admirueshme të prof. Bashkim Kuçukut, që përkon natyrshëm me vetëdijen e Akademisë së Shkencave për t’i bërë pjesë të leximeve kritike në mbarë botën shqiptare e kudo tjetër përvojat e larmishme kritike të leximit dhe vlerësimit të veprës kadareane në mbi 50 vjet.
Ajo tha se sot ato vijnë me një kumbim të ri, në këtë homazh për shkrimtarin, por njëkohësisht dhe për autorët e këtij korpusi specifik, falë pasionit dhe punës së të cilëve mori udhë historia e gjatë e receptimit të veprës së Kadaresë, por edhe e Shqipërisë letrare në botë. Prof. dr. Asllani vuri në dukje se te ky korpus kritik në gjuhë të huaj gjetën shprehjen më të mirë leximet dhe interpretimet në liri të një vepre që shkruhej paradoksalisht në mungesë të saj. Shkrimtari që po zbulonin dinte ta rrëfente këtë me forcën e pashtershme që i falte liria brendashkruar letërsisë. “Liria ime ka qenë letërsia” u pohoi ai sapo mundi të gjithëve.
Akad. Matteo Mandalà mbajti kumtesën “Kur Kadareja fliste italisht”. Ai u ndal në rezultatet e studimeve të kryera gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit në Itali. Ai tha se është më e rëndësishme të përqendrojmë vëmendjen te kundërvëniet e mirëfillta që vazhdojnë të karakterizojnë përkthimet e veprave të Kadaresë dhe natyrisht të kushtëzojnë receptimin dhe analizën kritike të tyre. Aspekt ky i fundit që “enciklopedia” e re e mikut dhe e kolegut të palodhshëm Bashkim Kuçuku shqyrton më së miri.
Në fund, prof. dr. Bashkim Kuçuku, autori i veprës “Kadareja në kritikën botërore”, tha se metavepra kadareane tashmë është disa mijëra shkrime të llojeve më të ndryshme në gjuhën shqipe dhe në shumë gjuhë të tjera.
Ai e vlerësoi akad. Ismail Kadarenë si një shkrimtar me përmasa shekspiriane. Gjatë gjithë jetës së tij ai është vërtitur në orbitën e veprave të shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë europiane dhe botërore, sidomos të Eskilit, Dantes, Shekspirit, për të cilët ka shkruar edhe nga një ese.
Prof. dr. Kuçuku foli më tej për përbashkësitë mes Shekspirit dhe Kadaresë, të cilat kanë qenë edhe objekt studimesh në gjuhën frënge; tema e pushtetit, krimet për ta fituar ose për ta mbajtur. Motivet dhe toposet e saj mitike, eskiliane, danteske, shekspiriane shpërfaqen gjerësisht edhe nëpërmjet trajtimit në veprën e tij.