U zhvillua konferenca e dytë ndërkombëtare me temën: “Çështjet e strehimit, planifikimit, zhvillimit rezilient urban dhe territorit: drejt një qasjeje euro-mesdhetare”
Konferenca që u mbajt sot, më 16 tetor 2025, është e dyta në serinë e bashkëpunimeve të Akademisë së Shkencave me Universitetin Polis, COPLAN dhe partnerëve të tjerë vendës dhe ndërkombëtarë në kuadër të kërkimit shkencor e zhvillimit të arkitekturës dhe urbanistikës.
Dita e parë u zhvillua në mjediset e Akademisë së Shkencave me pjesëmarrjen e studiuesve, praktikuesve dhe ekspertëve nga fusha të ndryshme me tematika që ndërthuren në mënyrë organike në ndërtimin e qyteteve dhe territoreve të së ardhmes.
Konferencën e hapi dr. Doriana Musaj, zëvëndësdekane e Fakultetit Planifikim, Mjedis dhe Menaxhim Urban, Universiteti Polis.
Dr. Llazar Kumaraku, dekan i Fakultetit Planifikim, Mjedis dhe Menaxhim Urban, Universiteti Polis, përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu falënderimet e mirënjohjen për organizatorët. Veçanërisht, ai falënderoi kryesinë e Akademisë së Shkencave për bashkëpunimin në organizimin e veprimtarisë.
Akad. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, mbajti fjalën përshëndetëse në emër të institucionit. Ai u shpreh se në një kohë kur qytetet tona përballen me sfida të shumta nga ndryshime klimatike e deri te presioni i urbanizimit dhe krizat e banesave, forume si ky bëhen hapësira të çmuara reflektimi dhe dialogu shkencor.
“Kontributet e punimeve shkencore që do të paraqiten këto dy ditë, pasqyrojnë përpjekjen për të kuptuar jo vetëm qytetin si strukturë fizike, por si organizëm të gjallë, që ndërlidh historinë, mjedisin ekonominë dhe kulturën njerëzore. Në këtë kuptim konferenca nuk është thjesht një ngjarje akademike por një ftesë për të menduar ndryshe për qytetet tona- si hapësira të bashkëjetesës, inovacionit dhe përgjegjësisë ndaj brezave të ardhshëm.” – tha akad. G.Hoxha.
Në fund, ai falënderoi pjesëmarrësit dhe organizatorët dhe u uroi suksese në punimet e kësaj konference.
Seanca e parë plenare nisi me referatet kryesore nga Pantoleon Skayannis, profesor emeritus, Universiteti i Thesalisë dhe Universiteti Polis, Tiranë; Sokol Dervishi, profesor i dizajnit të qëndrueshëm dhe ndryshimeve klimatike në Universitetin Epoka dhe Doris Andoni, eksperte për Politikat e Strehimit dhe Zhvillimin Urban.
Tri seancat e tjera vijuan me prezantimet e punimeve shkencore me tematika të detajuara.
Punët e prezantuara dëshmuan për një frymën kërkimore bashkëkohore dhe ndërdisiplinore në fushën e zhvillimit urban dhe territorial me problematika që shtrihen nga modelet e planifikimit deri te arkitektura klimatike; nga morfologjia urbane historike e qyteteve tona bregdetare si Vlora e Durrësi, tek metropoli ynë Tirana; nga çështjet urgjente të strehimit, planifikimit dhe zhvillimit të tokës në rajonet euromesdhetare te sfidat bashkëkohore të qëndrueshmërisë, lëvizshmërisë së ndërtimeve tona në kohë zhvillimi normal apo në situata përballë krizash.
Konferenca e dytë ndërkombëtare “Çështjet e strehimit, planifikimit, zhvillimit rezilient urban dhe territorit: drejt një qasjeje euro-mesdhetare” do të vijojë punimet edhe në datën 17 tetor 2025 në mjediset e Universitetit Polis, Tiranë.