Mbyll punimet Konferenca Ndërkombëtare: Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon
Konkluzionet kryesore
1. Ndryshimet demografike dhe sfidat e reja të zhvillimit
Konferenca nxori në pah se ndryshimet demografike në Shqipëri, Kosovë dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor kanë hyrë në një fazë kritike, me pasoja të ndjeshme mbi zhvillimin ekonomik, social dhe institucional.
Në dekadën e fundit, emigracioni masiv, plakja e popullsisë dhe tkurrja e bazës së fuqisë punëtore aktive janë shndërruar në faktorë që kërcënojnë strukturën e qëndrueshmërisë ekonomike dhe perspektivën e rritjes afatgjatë.
Në Shqipëri, të dhënat e reja demografike dëshmojnë për një shkallë të lartë të emigracionit të të rinjve me arsim të lartë, ndërsa në Kosovë, pavarësisht një norme më të lartë lindshmërie, intensiteti i emigrimit ekonomik dhe arsimor ka prodhuar një boshllëk të ndjeshëm në tregun e punës dhe në sektorët publikë.
Një konstatim i përbashkët i studiuesve ishte se tranzicioni demografik nuk është më një dukuri pasive që mund të përballohet me masa të pjesshme, por një sfidë sistemike që kërkon koordinim ndërsektorial: demografi, arsim, punësim, mirëqenie dhe teknologji.
Ky tranzicion po shoqërohet gjithashtu me depopullim rural, humbje të territoreve bujqësore dhe rënie të qëndrueshmërisë mjedisore, duke e bërë edhe më të nevojshëm rikonceptimin e zhvillimit territorial në funksion të demografisë.
Një element veçanërisht i theksuar ishte potenciali i diasporës shqiptare dhe kosovare – një rezervuar i rëndësishëm i kapitalit njerëzor, shkencor dhe financiar, i cili deri tani mbetet i nënshfrytëzuar. Konferenca theksoi nevojën për të kaluar nga qasja e nostalgjisë së diasporës drejt një qasjeje të aktivizimit strategjik të saj në politikat e zhvillimit dhe inovacionit.
Ekonomia shqiptare në dekadën e fundit ka pasur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe stabilitet makroekonomik duke siguruar një rritje ekonomike prej 3-4 për qind në vit. Por kjo rritje ekonomike nuk është reflektuar si duhet në mirëqenie duke evidentuar mangësi në transformimin e rritjes ekonomike në mirëqenie duke reflektuar pabarazi sociale dhe territoriale. 20 për qind e popullsisë më të varfër merrte vetëm 7.7 % e të ardhurave totale të disponueshme të vendit, ndërkohë që 20 % e popullsisë më të pasur merrte 41.7 % e të ardhurave totale.
2. Evolucioni dhe sfidat e tregut të punës
Në dritën e ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe integruese në rajon, tregu i punës po pëson një transformim të thellë strukturor. Shqipëria dhe Kosova po kalojnë nga një ekonomi tradicionale, e mbështetur mbi punën manuale dhe industrinë fason, drejt një ekonomie të dijes dhe teknologjisë digjitale, ku kërkesa për aftësi të reja është rritur ndjeshëm.
Megjithatë, ky tranzicion nuk po shoqërohet me përgatitjen e duhur institucionale. Sistemi arsimor dhe ai i formimit profesional mbeten të fragmentarizuar dhe të pakoordinuar me nevojat e tregut të punës. Papunësia strukturore tek të rinjtë, pabarazitë gjinore, dhe mungesa e trajnimeve praktike po thellojnë hendekun midis kërkesës dhe ofertës për punë.
Një tjetër tendencë që u nënvizua është shfaqja e formave të reja të punës, veçanërisht puna në distancë dhe punësimi përmes platformave digjitale, të cilat po e lidhin rajonin me tregun evropian e global. Në Kosovë, veçanërisht, sektori i TIK-ut dhe i shërbimeve online ka treguar potencial të madh rritjeje, por mungesa e kuadrit ligjor për punën digjitale dhe mbrojtjen sociale mbetet një boshllëk serioz.
Në nivel rajonal, u theksua se ekonomia informale dhe emigracioni sezonal po dëmtojnë ndjeshëm strukturën e tregut të punës dhe të ardhurat publike, duke e bërë të domosdoshme ndërtimin e një arkitekture të re të politikave të punësimit me bazë evidencash dhe parashikime të qarta demografike.
3. Profesionet tradicionale dhe lindja e profesioneve të reja
Një debat i gjerë u zhvillua mbi krizën e profesioneve tradicionale dhe sfidën e përshtatjes me profesione të reja që lindin nga epoka e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale. Sektore si bujqësia, ndërtimi, përpunimi artizanal dhe fasoneria po përballen me mungesë dramatike të punonjësve të rinj, duke rrezikuar trashëgiminë e profesioneve manuale dhe një pjesë të kulturës prodhuese kombëtare.
Në të kundërt, tregu po kërkon profile të reja profesionale në fusha si analiza e të dhënave, inteligjenca artificiale, dizajni digjital, siguria kibernetike, energjia e rinovueshme dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve.
Por kërkesa për këto profesione nuk po përputhet si dhe sa duhet me ofertën e sistemit arsimor, duke krijuar një “vakuum aftësish” të theksuar.
Universitetet dhe qendrat e formimit profesional në Shqipëri dhe Kosovë duhet të kalojnë nga modeli klasik i mësimdhënies teorike drejt një modeli integrues, praktik e ndërdisiplinor, ku bashkëpunimi me biznesin, industrinë dhe sektorin publik të jetë organik. Kjo kërkon krijimin e mekanizmave të parashikimit të profesioneve të së ardhmes dhe përfshirjen e kompetencave digjitale e të gjelbra në çdo program studimi.
4. Politikat publike dhe qasja institucionale
Konferenca evidentoi se shumë prej sfidave të mësipërme nuk burojnë vetëm nga mungesa e burimeve, por nga mungesa e koherencës së politikave publike dhe dobësia e koordinimit ndërinstitucional. Në të dy vendet, strategjitë për punësim, arsim, zhvillim rural apo digjitalizim veprojnë shpesh në mënyrë të shkëputur, pa një bosht të përbashkët strategjik.
Për të përballuar krizën demografike dhe sfidat e tregut të punës, nevojitet një Strategji e Integruar e Kapitalit Njerëzor, që lidh reformat në arsim, politikat fiskale, investimet publike dhe zhvillimin rajonal. Në këtë kontekst, arsimimi dhe kërkimi shkencor duhet të trajtohen jo si kosto buxhetore, por si investime afatgjata në zhvillim. Një ekonomi e qëndrueshme e së ardhmes do të bazohet mbi bashkëpunimin midis qeverisë, universiteteve, bizneseve dhe diasporës, duke krijuar një ekosistem kombëtar inovativ.
ii. Rekomandimet shkencore
 
A. Për zhvillimet demografike dhe migracionin
Hartimi i një Strategjie Kombëtare të Rimëkëmbjes Demografike në Shqipëri dhe Kosovë, që përfshin politika stimuluese për lindshmërinë, rikthimin e të rinjve dhe stabilizimin e popullsisë aktive.
Krijimi i një Observatori Rajonal për Demografinë dhe Migracionin, për monitorim dhe analizë të vazhdueshme të flukseve demografike dhe ndikimit të tyre ekonomik.
Zhvillimi i politikave për rikthimin e diasporës profesionale dhe shkencore, përmes instrumenteve fiskale, fondeve të bashkëfinancuara dhe projekteve të mobilitetit qarkor.
Rritja e investimeve në zonat rurale, në infrastrukturë, bujqësi moderne dhe shërbime publike, për të frenuar depopullimin dhe emigracionin strukturor.
 
B. Për tregun e punës dhe formimin profesional
Themelimi i një Platforme Kombëtare për Aftësitë dhe Punësimin, që lidh kërkesën e tregut me ofertën arsimore në kohë reale.
Zbatimi i politikave aktive të punësimit për të rinjtë, gratë dhe grupet në tranzicion, përmes subvencioneve për punësim dhe programeve të mentorimit.
Nxitja e sipërmarrjes së gjelbër dhe digjitale, përmes fondeve të inovacionit dhe partneriteteve publike–private.
Hartimi i një kuadri ligjor për punën në distancë dhe sigurimin social të punëtorëve të ekonomisë digjitale.
Zhvillimi i një sistemi kombëtar të mësimit gjatë gjithë jetës (lifelong learning), me platforma online dhe certifikime fleksibël.
C. Për profesionet tradicionale dhe të reja
Krijimi i Qendrave të Trashëgimisë Profesionale për modernizimin e profesioneve tradicionale përmes teknologjisë dhe inovacionit.
Futja e parashikimit të profesioneve të së ardhmes në strategjitë arsimore kombëtare.
Promovimi i programeve duale arsim-punë, në bashkëpunim me industrinë.
Integrimi i kompetencave digjitale, të gjelbra dhe sipërmarrëse në çdo cikël studimi, duke e lidhur edukimin me zhvillimin e qëndrueshëm.
 
D. Për politikat publike dhe bashkëpunimin rajonal
Hartimi i një Strategjie Rajonale për Kapitalin Njerëzor dhe Inovacionin në Ballkanin Perëndimor, të harmonizuar me agjendën e BE-së 2030.
Krijimi i një Fondi Rajonal të Inovacionit dhe Punësimit Rinor për Shqipërinë dhe Kosovën.
Përshtatja e politikave fiskale për rritje të gjelbër, duke lidhur buxhetin publik me objektivat demografikë dhe ato klimatikë.
Ndërtimi i mekanizmave të koordinimit ndërinstitucional midis arsimit, ekonomisë, bujqësisë dhe teknologjisë.
 
E. Për arsimin, kërkimin dhe kapitalin njerëzor
Rikonceptimi i universitetit si motor i zhvillimit ekonomik, duke u bërë pjesë aktive e inovacionit dhe tregut të punës.
Rritja e bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare dhe kosovare për projekte kërkimore mbi demografinë, migracionin dhe inteligjencën artificiale.
Përfshirja e teknologjive të IA dhe mësimit inteligjent në formimin e mësuesve, ekonomistëve dhe menaxherëve publikë.
Ndërtimi i programeve për kthimin e kapitalit njerëzor përmes mobilitetit qarkor, mentorimit ndërkombëtar dhe projekteve të përbashkëta kërkimore.
 
III. PËRFUNDIME – REKOMANDIME
Në përfundim të punimeve, Konferenca Ndërkombëtare “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon” konkludoi se proceset demografike dhe ekonomike që po ndodhin aktualisht në hapësirën shqiptare dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor përbëjnë një fazë të re dhe kritike të tranzicionit zhvillimor. Plakja e popullsisë, emigracioni masiv, reduktimi i bazës aktive të punës, polarizimi urban–rural dhe ristrukturimi teknologjik i tregut të punës po ndërveprojnë në mënyrë të ndërlikuar, duke vënë në provë kohezionin social, kapacitetet institucionale dhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.
Në Shqipëri, reduktimi i popullsisë aktive dhe emigracioni i të rinjve të arsimuar kanë nisur të reflektohen në mungesë të fuqisë punëtore, në rënie të produktivitetit në sektorët tradicionalë dhe në ngadalësim të ritmit të rritjes potenciale.
Në Kosovë, dinamika demografike paraqet një dualitet: nga njëra anë një strukturë e re e popullsisë me moshë të re, që mund të jetë burim zhvillimi; nga ana tjetër, emigracioni ekonomik dhe arsimor po zbraz tregun vendas nga kapitali më cilësor njerëzor. Në të dy vendet, proceset migratore po ndryshojnë profilin e shoqërive: ato nuk janë më vetëm lëvizje fizike të individëve, por rrjete qarkullimi të kapitalit njerëzor, dijes dhe inovacionit, që kërkojnë politika të reja të menaxhimit dhe integrimit.
Në nivel rajonal, Ballkani Perëndimor po përballet me një valë të sinkronizuar transformimesh strukturore, ku dinamika demografike, integrimi europian dhe transformimi digjital po zhvillohen në mënyrë të pabarabartë. Kjo pabarazi krijon tensione të brendshme në tregjet e punës dhe nxit flukse migratore të njëanshme, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, sfidat demografike dhe ekonomike nuk mund të trajtohen më si çështje kombëtare, por si pjesë e një agjende rajonale të përbashkët, që kërkon koordinim të politikave dhe harmonizim të standardeve në fushat e arsimit, punësimit, inovacionit dhe zhvillimit social.
Rekomandime për politika dhe modele të reja për Shqipërinë sugjerohet krijimi i një indeksi kombëtar të mirëqenies (IKM) të ndërtuar mbi modele të njohura dhe të ngjashme në disa vend të BE-së, por i përshtatur me realitetin dhe prioritetet shqiptare. Ky indeks duhet të bëhet baza kryesore për draftimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave publike në të gjitha fushat.
Politika të fokusuara në reduktimin e pabarazisë: rritja ekonomike duhet të shoqërohet me mekanizma efikase rishpërndarëse. Sistemi tatimor: Forcimi i tatimit progresiv mbi të ardhurat dhe lufta kundër shmangies fiskale. Theksi duhet të vihet te drejtimin e investimeve publike në shëndetësi, arsim të cilësisë së lartë dhe mbrojtje sociale, veçanërisht në zonat e margjinalizuara.
Kërkohet ndërtimi i institucioneve të forta dhe të besueshme, pasi mirëqenia sociale është e lidhur pandashëm me besimin që qytetarët kanë ndaj institucioneve. Forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe transparenca në vendimmarrje janë parakusht për çdo model të ri zhvillimi. Një shtet i drejtë dhe efikas është garantues i shpërndarjes së drejtë të burimeve.
Modeli i ri i zhvillimit për Shqipërinë duhet të jetë në harmoni me mjedisin. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik nuk mund të arrihet nëse shkurtohen mbulimet natyrore dhe degradohet mjedisi, pasi kjo godet drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve (shëndeti, cilësia e jetës).
Në mënyrë të veçantë, konferenca vuri në dukje se kapitali njerëzor është faktori përcaktues i zhvillimit në shekullin XXI. Në një epokë të revolucionit teknologjik dhe automatizimit, aftësia e vendeve të vogla si Shqipëria dhe Kosova për të ruajtur dhe zhvilluar potencialin e tyre njerëzor do të jetë determinante për konkurrueshmërinë e tyre ekonomike dhe për mbijetesën e tyre institucionale. Kjo nënkupton domosdoshmërinë e reformimit të thellë të sistemeve arsimore dhe kërkimore, duke i lidhur ato ngushtë me nevojat reale të tregut të punës dhe me prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Universitetet duhet të marrin një rol aktiv në hartimin e politikave të punësimit, në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes dhe në ndërtimin e një kulture të mësimit gjatë gjithë jetës. Vetëm në këtë mënyrë mund të kalohet nga modeli reaktiv në një model proaktiv të menaxhimit të ndryshimit.
Një tjetër përfundim i rëndësishëm ishte se migracioni nuk duhet parë vetëm si humbje, por edhe si potencial zhvillimi nëse trajtohet në mënyrë strategjike. Diaspora shqiptare dhe kosovare përfaqëson një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor, financiar dhe intelektual, i cili mund të kontribuojë në zhvillimin e inovacionit, të kërkimit shkencor dhe të ndërmarrjeve të reja, përmes politikave të mobilitetit qarkor dhe partneriteteve të strukturuara.
Në këtë kontekst, bashkëpunimi rajonal del si domosdoshmëri historike. Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të zhvillojnë një arkitekturë të re të politikave të kapitalit njerëzor, që harmonizon objektivat kombëtare me procesin e integrimit evropian dhe me tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër e digjitale. Vetëm përmes një qasjeje të integruar – që lidh demografinë me arsimin, tregun e punës, zhvillimin rural dhe politikat sociale – mund të ndërtohet një model zhvillimi gjithëpërfshirës dhe rezilient.
Në përfundim, konferenca riafirmoi bindjen se sfidat demografike dhe ato të tregut të punës janë jo vetëm një provë për ekonomitë tona, por edhe një test për kapacitetin institucional, për bashkëpunimin shkencor dhe për vizionin strategjik të politikave publike. Nëse tranzicioni demografik dhe ekonomik menaxhohet me inteligjencë, koherencë dhe guxim politik, atëherë Ballkani Perëndimor mund të shndërrojë sfidat e sotme në shtylla të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Nëse jo, rreziku i boshatisjes demografike, i varfërisë strukturore dhe i polarizimit social mund të minojë themelet e stabilitetit dhe të integrimit evropian të rajonit.
Gjatë 10 viteve të fundit, Shqipëria ka realizuar arritjet të konsiderueshme në zhvillimin ekonomik dhe social: stabiliteti makroekonomik u konsolidua, infrastrukturë dhe mjedisi i biznesit u përmirësua në mënyrë të ndjeshme, dhe turizmi ka njohur një rritje kolosale duke krijuar shumë vende të punës dhe duke ulur varfërinë dhe papunësinë. Këto arritje kanë ndërtuar një platformë për një strategji të re të rritjes ekonomike, e cila mund të krijojë kushtet të përshtatshme për parandalimin e emigracionit dhe në këtë mënyre ndihmoje qëndrueshmërinë e suksesit ekonomik të vendit. Objektivi kryesor i strategjisë së re të rritjes ekonomike është mbështetja e rritjes në disa sektorë kyç, të cilët kanë potencialin më të madh për përmirësimin e produktivitet ndërmjet masave të synuara me objektiv të heqë pengesat madhore për zhvillimin e tyre.
4 sektorët kyç janë: Bujqësia premium, turizmi i nivelit të lartë dhe turizmi i kaltër, sektori i prodhimit të pjesëve të këmbimit të makinave dhe IT.
Shtyllat e strategjisë së mund të jenë:
– përmirësimi i sistemit arsimor duke marrë parasysh në mënyrë sistematike nevojat e tregut të punës, veçanërisht në sektorët e rinj. Kjo mund të realizohet vetëm ndërmjet një partneriteti me sektorin privat dhe investitorët të huaj.
– Përmirësimi i sistemit shkencor dhe kërkimor: Shqipërisë i duhet një zgjerim i kërkimeve të veta në fushën kryesore, edhe për të realizuar këtë objektiv duhet një partneritet i ri me sektorin privat.
– Përmirësimi i mjedisit të biznesit. Administrata tatimore dhe doganore, licencat dhe të tjera.
– Bashkëpunimi me diasporën shqiptare duke krijuar kushtet e përshtatshme për të tërhequr investimet në sektorët kyç.
Konferenca përmbylli punimet me thirrjen për ndërtimin e një paradigme të re të zhvillimit, të bazuar në dije, në bashkëpunim shkencor e institucional dhe në investim të qëndrueshëm në kapitalin njerëzor – si burimin më të rëndësishëm të progresit ekonomik e shoqëror në hapësirën shqiptare dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.