U mbajt veprimtaria “Përkujtimore në nderim të Ismail Kadaresë”
Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh dhe akademikut Ismail Kadare, Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë sot, më 1 korrik 2025, mbajtën veprimtarinë përkujtimore në nderim të tij.
Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha, në hapje të veprimtarisë, i uroi mirëseardhjen: Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali; Kryetarit të Akademisë Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi; ambasadorit te Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi; bashkëshortes së shkrimtarit, zonjës Helena Kadare, si dhe akademikëve e miqve të pranishëm në këtë veprimtari.
Akad. Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “Humbja fizike e Kadaresë është pa dyshim humbja më e madhe e letërsisë sonë; është një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë europiane e botërore, e akademizmit shqiptar e atij europian. Vepra e Kadaresë do të ruhet si një nga thesaret e kulturës sonë e të shkencave albanologjike”.
Më tej, Kryetari i ASHSH-së foli për personalitetin e shkrimtarit dhe vendin e rolin që zë vepra e tij në letërsinë shqiptare e atë europiane, në orientimin e identitetit të shqiptarëve dhe lëvrimin e gjuhës shqipe. Ai theksoi se: “Kadareja është një busull e përcaktimit europian të Shqipërisë, avokati më me influencë i pranimit të Shqipërisë në familjen europiane, i mbështetjes së zgjidhjes së çështjes së Kosovës e pavarësimit të saj. Kontributi i Kadaresë si lëvrues i gjuhës është po aq i çmuar sa ai i Çabejit e plejadës së tij si studiues të saj.”.
Nëpërmjet një letre të dërguar nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja, Ismail Kadareja vlerësohet si simbol dhe personifikim i ndërgjegjes kolektive. Zëri i Kadaresë, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues. Në mbështetje të Kosovës, ai ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar.
Për veprën dhe personalitetin e Ismail Kadaresë foli edhe Këshilltari i Parë në Ambasadën e Francës në Shqipëri, z. Samuel Richard. Ai u shpreh për marrëdhëniet e shkrimtarit me Francën, vlerësimet dhe krijimtarinë e tij si një ndër zërat më të veçantë në letërsinë europiane.
Z. Bujar Hudhri, president i shtëpisë botuese “Onufri”, botues i Kadaresë, u shpreh për marrëdhëniet miqësore me shkrimtarin, udhëtimin me veprën e tij dhe kujtimet e çmuara me shkrimtarin e madh, deri në çastet e fundit të jetës.
Z. Pirro Misha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, MEKI, foli për vendin që zë vepra e shkrimtarit në historinë e letërsisë, përfaqësimin e saj në letërsinë ballkanike e atë europiane. Ai e vlerësoi Kadarenë si një fenomen letrar për qasjet disidente dhe rolin e tij në emancipimin e letërsisë shqipe e më gjerë.
Akad. Shaban Sinani bëri një interpretim të veprës “Kur sunduesit grinden”, të cilën e cilësoi si një vepër që është krijuar për fatin e shkrimtarit me mision, i cili duhet t’i thotë vetes: Mbaje kryqin! Ndryshe mos hyr në këtë urdhër të lartë”. Ai theksoi se “Kadareja krijoi një Shqipëri paralele, fisnike, të denjë për familjen europiane që i kishte takuar që nga epoka e Rilindjes.”.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Elisa Spiropali, e cilësoi Kadarenë si simbol të dinjitetit dhe mendimit vetjak, që ndërtoi një univers të thellë letrar dhe një botë mitike, ku shqiptaria gjeti hapësirë të veçantë. Ajo u shpreh se Kadareja ishte një kolos i madh, i cili mbijetoi edhe nga kritikët më të ashpër dhe u shndërrua në “pasaportën e Shqipërisë” në botë. Trashëgimia e tij i përket jo vetëm Shqipërisë, por gjithë njerëzimit. Ky përvjetor është një moment nderimi për jetën dhe veprën e tij të paharrueshme.
Në vijim, akad. asoc. Gëzim Hoxha, kryeredaktor i revistës “Studia Albanica” bëri prezantimin e numrit special 2024, 2, dedikuar Ismail Kadaresë. Ai tha se redaksia ka synuar të shpalosë nderimin solemn për këtë personalitet të madh, që për dekada të tëra frymëzoi një komb të tërë me fjalën, mitin dhe mendimin e tij.
Akad. Hoxha shprehu mirënjohjen e thellë për kontributet e vyera dhe për bashkëpunimin akademik, që e bëri të mundur këtë numër. Ai theksoi se ky është një nder i vogël për një figurë të madhe – por është një nder që do të mbetet, si gur kujtese dhe frymëzimi, në faqet e shkencës sonë shqiptare.
Veprimtaria vijoi me poezi të recituara nga vetë Ismail Kadare (regjistrime audio).
Në fund të veprimtarisë përshëndeti bashkëshortja e shkrimtarit Helena Kadare, e cila shprehu mirënjohjen për organizatorët, Akademinë e Shkencave e Kuvendin e Shqipërisë, dhe me këtë rast kujtoi disa nga cilësitë dhe vlerat e veprave të shkrimtarit.
“Kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadaresë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folësve dhe vlerësimit për veprën e tij. Ishte një shkrimtar shqiptar që ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare, që përshkroi me veprën e tij fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërë rrjedhën e saj. Ashtu si mbijetuan shqiptarët, mbijetoi edhe vetë Ismaili, jeta e të cilit ishte në thelb jeta e shqiptarëve që kërkuan liri, barazi dhe progres…”, tha ndër të tjera, shkrimtarja Helena Kadare.
1.Bashkëlidhur fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi:
2. Pasqyrimi i veprimtarisë në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë: https://www.facebook.com/100068304113048/posts/1062783159341811/?mibextid=wwXIfr&rdid=YkYWJzNwkZChNtnB#
3. Pasqyrimi i veprimtarisë në media: