U mbajt simpoziumi “Lëvizja e 1968-s për revolucionarizimin e jetës në Shqipëri”
Sot, në datën 29 maj 2025, u mbajt simpoziumi “Lëvizja e 1968-s për revolucionarizimin e jetës në Shqipëri”.
Veprimtaria u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Komisioni i përhershëm i antropologjisë dhe i trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me Departamentin e shkencave politike, Universiteti i Tiranës, dhe Autoritetin e Dosjeve (AIDSSH).
Simpoziumi synon njohjen e dinamikave dhe studimeve të kryera deri më sot mbi ndikimin që ka pasur Lëvizja e 1968-s në Shqipëri; vështrimin analitik të ndikimit të Revolucionit Kulturor Kinez (mëvetësia e rastit shqiptar), si dhe paraqitjen e disa rasteve studimore mbi këtë argument, përfshi dhe risitë e sjella nga botimi “Antikultura e ‘68-s në Shqipëri” të autorit Albert Nikolla.
Akad. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ASHSH, hapi veprimtarinë dhe vlerësoi programin e simpoziumit për interesin dhe rëndësinë që kanë tematikat e trajtuara për ta analizuar fenomenin në kuptimin e studimit shkencor antropologjik dhe i uroi pjesëmarrësit për mbarëvajtjen punimeve të kësaj konference.
Kryetari i Komisionit të përhershëm të antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore, akad. Albert Doja, tha se kjo është veprimtaria e parë e këtij komisioni të ri. Me këtë rast, ai e falënderoi autorin për nismën e tij për organizimin e simpoziumit “Lëvizja e 1968-s për revolucionarizimin e jetës në Shqipëri” dhe për kontributin që sjell trajtimi i kësaj tematike në zgjerimin e fokusit të qasjeve antropologjike.
Seanca nisi me kumtesën e prof. dr. Enika Abazit me temën “Revolucioni i 1968-s në Shqipëri: Revolucionarizimi i mendimit dhe identitetit: Ideali i ‘Njeriut të Ri’ dhe procesi i transformimit ideologjik”. Ajo vuri në dukje se gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, kultura u rikonceptua si një superstrukturë e kontrolluar nga shteti, duke u fokusuar në ndërtimin e një identiteti kolektiv në përputhje me doktrinën marksiste-leniniste. Me metodën e realizmit socialist u çmontuan vlerat tradicionale, duke i zëvendësuar me një diskurs të ri ideologjik. Ajo tha se trashëgimia e kësaj përvoje kërkon analiza të vazhdueshme për të kuptuar sfidat e ndërtimit të një shoqërie të lirë dhe demokratike. Pavarësisht rënies së regjimit në vitin 1991, ndikimi i këtij modeli vazhdon të ndjehet. Studimet tregojnë se individët vazhdojnë të tregojnë prirje për konformizëm, mungesë iniciative dhe pasiguri përballë ndryshimeve, si pasojë e socializimit të gjatë totalitar.
Më tej, prof. asoc. Klodiana Beshku mbajti një kumtesë të përgatitur në bashkëpunim me prof. as. Klejd Këlliçin me temën “Viti 1968: Vala e dytë e feminizmit në Perëndim dhe ‘emancipimi si sakrificë’ në Shqipëri”. Kjo analizë shtrihet përgjatë viteve 1945-1979, vite kur diskursi emancipues është në pikun e tij dhe do të ndalet në periudhën 1968-1969, nëpërmjet një vështrimi krahasues me atë çka ndodhte në Europë dhe në SHBA në të njëjtën kohë. Ajo tha se në periudhën e komunizmit politikat emancipuese u përshtatën, në mos replikuan me modelin sovjetik, e përshtatën atë aq sa të mos trondiste thelbësisht themelet e shoqërisë tradicionale. Gruaja mund të çlirohej dhe të emancipohej, por vetëm brenda familjes dhe nën efektin dhe drejtimin e partisë-shtet.”
Prof.asoc. Albert P. Nikolla paraqiti një analizë për tragjedinë e imitimit të revolucionit kulturor kinez në kontekstin shqiptar, dhe posaçërisht në shkatërrimin e kishës katolike, si dhe dokumentet që nxjerrin në dritë qëndrimin e regjimeve komuniste ndaj kishës katolike. Më tej, ai paraqiti një rast studimor antropologjik në fshatin Hajmel të Shkodrës. Pikënisja e studimit zuri fill nga një botim i vitit 1967, ku grupe njerëzish nga krahina të ndryshme të vendit i shkruanin Enver Hoxhës mbi vendimet që kishin marrë për shkatërrimin e kishave dhe “demaskimin” e priftërinjve. Ai vuri në dukje se veprat e E. Hoxhës përbëjnë një burim interesant antropologjik, pasi qëllimi i tyre, më shumë sesa njohje teorike e zhvillimeve të socializmit shqiptar, ishte “të udhëzonin mënyrën e sjelljes” së “njerëzve të rinj të socializmit”, ku përgjatë hulumtimit dalin në pah udhëzimet konkrete se si duhen sulmuar kishat dhe si duhen “demaskuar” priftërinjtë. Ai theksoi se ka mjaft elementë antropologjikë që na shtyjnë të mendojmë se Revolucioni Kulturor Kinez ka patur një ndikim të madh në ngjarjet e vitit 1967. Në fjalimin e 6 shkurtit të vitit 1967, që shënon edhe vendimmarrjen kryesore për orientimin e Shqipërisë si provincë kineze nën eksperimentimin e revolucionit kulturor, gjithçka që kumtohet në këtë fjalim është nën shenjën e dhunës.
Prof. asoc. Majlinda Keta mbajti një kumtesë për profilin filozofik të njeriut të ri në socializëm përballë demokracisë postkomuniste të viteve ’90 në Shqipëri.
Mrs. Elona Baçi bëri një paraqitje interesante të disa dosjeve të Arkivit të Dosjeve mbi Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, ku veçoi rastin e dosjeve të përpunuara për këngëtarin Sherif Merdani, një ndër artistë e dënuar me burg për frymën moderne të këtij festivali. Më tej ajo foli për lëvizjen e Spaçit.
Në fund u bënë diskutime dhe konkluzionet rreth tematikës së simpoziumit, ku u theksua se viti 1968 në historiografinë botërore tashmë ka hyrë si “viti i demonstratave”. Lëvizja botërore e vitit 1968 në Francë ndikoi edhe në revolucionarizimin e jetës në Shqipëri, por nuk ishte thjesht një pasqyrim i lëvizjeve globale. Më shumë se drejtësi sociale dhe civile, emancipim të shoqërisë, ajo ishte një projekt i kontrolluar për të krijuar një shoqëri të re, ku krijimi i “Njeriut të ri” revolucionar ishte qëllimi kryesor.