U mbajt ligjërata me temën “Veçori tipologjike të sintaksës shqipe: rasti i nyjave të përparme" nga prof. asoc. Aristotel Spiro
Sot, më 29 prill 2025, u mbajt ligjërata me temën “Veçori tipologjike të sintaksës shqipe: rasti i nyjave të përparme” nga prof. asoc. Aristotel Spiro.
Veprimtaria u organizua nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Departamenti i gramatikës dhe i historisë së gjuhës, pjesë e ASHSH-së. Në këtë veprimtari morën pjesë akad. asoc. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ASHSH; prof. dr. Anila Omari, kryetare e Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe të letërsisë, ASHSH; akad. Kristina Jorgaqi, si dhe studiues nga Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë dhe nga departamente të gjuhës në universitete të Shqipërisë etj.
Në ligjëratën e tij prof. asoc. Aristotel Spiro, pas një përshkrimi të disa dukurive tipologjike të gramatikës së shqipes, theksoi se gjuha shqipe, si pjesë e familjes indoevropiane, ka një pozicion të veçantë ndër gjuhët e tjera të rajonit dhe më gjerë, për shkak të krijimit të një sistemi të dyfishtë eptues emëror, që e bën të dallohet qartë nga gjuhët e tjera sintetiko-analitike.
Ai solli një analizë diakronike të zanafillës së gramatikalizimit të përemrave të dikurshëm dëftorë deri në përftimin e nyjave të prapme e të përparme.
Studiuesi doli në përfundimin se gjuha shqipe karakterizohet nga një prirje për morfologjizim të strukturave sintaksore në masën që intuita gjuhësore i percepton këto si fakte morfologjike, ndërsa analiza e thellë dallon një realitet gjuhësor të ndryshëm, ku elementet klitike sillen si entitete gramatikore të veçanta, morfologjikisht të ndryshme, por që janë të domosdoshme për të plotësuar pamjaftueshmërinë funksionale të emrave dhe sidomos të mbiemrave.
Kjo veçori i rezervon gjuhës shqipe një pozicion tipologjik të veçantë në grupin e gjuhëve sintetiko-analitike.
Kryetari i SSHSHA-së akad. asoc. Gëzim Hoxha përgëzoi autorin e ligjëratës për këndvështrimin interesant dhe theksoi nevojën që ligjërata të tilla duhet të zhvillohen më shpesh.
Nga të pranishmit fizikisht dhe virtualisht pati mjaft pyetje e diskutime rreth ligjëratës, por dhe rreth çështjeve të tjera gjuhësore të lidhura me të.