U zhvillua simpoziumi me temën “Trashëgimia e ADN-së: Nga zbulimi në inovacionet e ardhshme”
Në datën 25 prill, në Ditën Botërore të ADN-së, Komisioni i biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi një simpozium me temën “Trashëgimia e ADN-së: Nga zbulimi në inovacionet e ardhshme”.
Veprimtaria u organizua në saj të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përmes Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Komisionit të biologjisë bujqësisë dhe veterinarisë; departamentit të biologjisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universitetit të Tiranës, si dhe Shoqatës Shqiptare të Gjenetikës Molekulare Humane.
Ishin të ftuar lektorë, ekspertë të gjenetikës në vend dhe përfaqësues të bizneseve që operojnë në fushën e bioteknologjive dhe testeve gjenetike.
Akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave, eksperte e fushës, u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe i falënderoi për kontributin që sjellin në këtë festë të shkencës. Në fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë ajo theksoi se ASHSH-ja si institucioni më i lartë shkencor në vend ka një rol thelbësor në mbështetjen e kërkimit shkencor në fushën e gjenetikës. Në këtë drejtim, Qendra e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, e ngritur pranë ASHSH-së, përfaqëson një strukturë të rëndësishme për zhvillimin e kërkimeve të avancuara në biologji molekulare për trajnim profesional dhe për nxitjen e zbatimeve të dijes në fushat jetike për shëndetin.

Më tej, akad. Hoda e vuri theksin tek misioni dhe qasja vizionare e ASHSH-së për mbështetjen e brezit të ri shkencor. Akademia e Shkencave ka themeluar edhe Akademinë e të rinjve një nismë e dedikuar për fuqizimin e kërkuesve të rinj përmes aktiviteteve formuese; përfshirjes në projekte dhe krijimit të urave me akademitë dhe rrjetet ndërkombëtare të shkencës. Ajo theksoi se kjo veprimtari është një platformë edukimi, ndërgjegjësimi dhe frymëzimi. Pjesëmarrja e studentëve në diskutime dhe prezantime, si dhe përvoja e kërkuesve tanë e kthejnë këtë ditë në një hapësirë të gjallë bashkëbisedimi mes dijes dhe pasionit për shkencën.
Në fund, akad. Hoda përshëndeti veçanërisht prof. Doncho Donev nga Maqedonia e Veriut dhe prof. Peter McGrath nga Italia për ndarjen e përvojës së tyre në këtë aktivitet dhe për mbështetjen që i japin zhvillimit të shkencës dhe të rinjve në rajon.
Veprimtaria u moderua nga prof.dr. Mirela Lika (Cekani) përgjegjëse e Grupit mësimor kërkimor gjenetikë- mikrobiologji, Departamenti i Biologjisë, FSHN dhe zv. presidente e Shoqatës Shqiptare të Gjenetikës Molekulare Humane dhe prof. dr. Etleva Hamzaraj, zv. dekane për kërkimin shkencor, FSHN, Departamenti i Biologjisë.

Prof. dr. Lika ftoi kryetarin e Komisionit të biologjisë dhe veterinarisë, akad. Ilia Mikerezin që të mbante një fjalë përshëndetëse, duke e vlerësuar si një nga ekspertët më të specializuar në fushën e gjenetikës.
Akad. Mikerezi e vuri theksin tek rëndësia e të dhënave gjenetike. Ai u shpreh se të dhënat gjenetike hedhin dritë në historinë e njerëzimit dhe foli për të dhëna të reja të marra nga ADN-ja e zbulimeve të lashtësisë, të cilat tregojnë historinë e migrimeve të popullatave të lashta. Ai shprehu mirënjohjen për zbuluesit dhe përmendi historinë e zbulimeve të para gjenetike që nisin me heliksin e dyfishtë të ADN-së në vitin 1953 nga Watson, e vijojnë me përfundimin e Projektit të Gjenomit Njerëzor në vitin 2003. Gjithashtu, ai solli në vëmendje të të pranishmëve faktin e zbulimit të mëtejshëm të gjeneve të tipareve që nuk njiheshin më parë. Ai tha se zbulimi i ADN-së është nga zbulimet më transformuese.

Zbulimet mbi ADN-në dhe në tërësi mbi fushën e gjenetikës dhe biologjisë molekulare kanë bërë të mundur implementimin e tyre në diagnostikimin e sëmundjeve kanceroze apo të sëmundjeve gjenetike dhe falë hulumtimeve në dekadat e fundit dhe zhvillimin e inxhinierisë gjenetike dhe terapisë gjenike.
Forumin e përshëndeti prof. dr. Anila Paparisto, zv.rektore e Universitetit të Tiranës, e cila bëri prezantimin e studimit me temë “Heliksi i dyfishtë dhe ndikimi i tij në shkencën moderne”. Gjithashtu, fjalë përshëndetëse mbajti edhe prof. asoc. Merita Xhetani, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Gjenetikës Shqipëri (ASHMG), Presidente e Shoqatës Shqiptare të Gjenetikës Molekulare Humane, koordinatore e projektit.

Seanca plenare vijoi me prezantiment e disa temave si: Gjenetika molekulare, shkenca biomjekësore dhe shëndeti publik, që u trajtua nëpërmjet një studimi të rastit për sëmundjet e rralla në Maqedoni” nga dr. Donço Donev; “Heliksi me dy tehe: ADN, AI dhe sfida e biosigurisë” që u prezantua nga dr. Peter McGrath, InterAcademy Partnership, TWAS, Trieste, Itali; Sëmundja mendore dhe zhvillimet në biologjinë molekulare” që u prezantua nga prof. dr. Anila Mitre; përdorimi i STR-ve për identifikimin e njerëzve në fushën e mjekësisë ligjore” që u prezantua nga dr. Ela Zaimi, Instituti i Policisë Shkencore, Tiranë.
Në fund, prof. asoc. Etleva Hamzaraj paraqiti konkluzionet e simpoziumit. Pas kësaj u bënë diskutimet për promovimin e kërkimit në gjenetikë, forcimin e politikave shkencore dhe ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e biologjisë molekulare në shëndetësi dhe inovacion, si dhe angazhimin e të rinjve dhe studentëve në hulumtimin dhe qasjet e reja në fushën e Gjenetikës, për të qenë konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre në Europë e më gjerë.