U mbajt leksioni i hapur me temën “Vdekja e (pa)shpjegueshme e teatrit radiofonik shqiptar”
Qendra e Studimit të Arteve, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Fakultetin e Artit Skenik (FAS) pranë Universitetit të Arteve (UART), në datën 23 prill 2025, organizoi leksionin e hapur me temën “Vdekja e (pa)shpjegueshme e teatrit radiofonik shqiptar”.
Veprimtaria u moderua nga prof. asoc. Alert Çeloaliaj, shef i departamentit dhe pedagog në Fakultetin e Artit Skenik.
Leksioni u mbajt nga studiuesja e teatrit e QSA-së dr. Anxhela Çikopano. Kërkimi studimor është realizuar në bashkëpunim me prof. as. dr. Majlinda Hala (UART) dhe është prezantuar në Simpoziumin Evropian të Historisë së Dramaturgjisë 2024, Budapest.

Në ligjëratën e saj, dr. Çikopano ndau me studentët e pedagogët historinë e zhanrit të teatrit radiofonik në Shqipëri, transmetimin e të cilit Radio Tirana e filloi zyrtarisht më 28 nëntor 1938. Ajo prezantoi disa nga shfaqjet e para në këtë zhanër, rrugën e zhvillimit, mbërritjen kulmore në vitet ’70-’90, etj. Ecuria e teatrit radiofonik do të lidhej fort me zhvillimin e proceseve teknike në radio, të cilat pastaj do të sillnin të reja artistike.

Më tej, dr, Çikopano foli për specifikat e këtij zhanri të transmetuar drejtpërdrejt në radio, të përshtatjes së teatrit skenik për radio dhe teatrit radiofonik. Ajo theksoi se, edhe pse përdorej nga shteti si mjete propagande, Radio Tirana kishte programacion të larmishëm, ku gjeje edhe libra, sport, humor, histori dhe shfaqje teatri, që shumë individë, për arsye të ndryshme, nuk mund t’i përjetonin në vetë të parë.

Pasi përshkoi uljet dhe ngritjet e zhvillimit të këtij zhanri në Shqipëri, dr. Çikopano theksoi se teatri radiofonik përjetoi shumë “vdekje prej heshtjes”, fillimisht në fund të regjimit dhe më pas me mbylljen e çdo tentative pas saj, që solli humbjen e gjithë përvojës dhe trashëgimisë së akumuluar. Megjithatë, teatri radiofonik vazhdon të jetë një domosdoshmëri për radion, për të zgjeruar ofertën e saj dhe për t’u përqendruar tërësisht te tingulli.
Në fund, dr. Çikopano paraqiti problematikat dhe sugjerimet për të ardhmen, këto të fundit, të ngritura në bazë të një anketimi të gjerë online. Të pranishmit diskutuan rreth këtyre problematikave dhe dhanë sugjerimet e tyre.