Panairi mbarëkombëtar i librit akademik e shkencor, 23-25 prill 2025, Prishtinë
Sot, më 23 prill 2025, në Prishtinë, Panairi mbarëkombëtar i librit akademik e shkencor nisi edicionin e tij të katërt.
Të pranishëm në sesionin e hapjes ishin akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; akad. Mehmet Kraja, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së dhe ASHAK-ut; rektorë e drejtues; përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi; si dhe botues të librit shkencor, kërkues, studiues, autorë dhe lexues të interesuar.
Kryetari i ASHAK-ut akademik Mehmet Kraja, në ceremoninë e hapjes së veprimtarisë, mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmit, ku theksoi domosdoshmërinë për vëmendjen, mbështetjen dhe përkujdesjen e veçantë shtetërore dhe institucionale që kërkon libri shkencor. Ai vlerësoi punën e bërë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga themelimi i saj, këtu e 50 vjet të shkuara.

Akad. Kraja tha se botimet janë konsideruar parësore në punën e ASHAK-ut dhe përbëjnë njërën nga shtyllat kryesore të programit vjetor të punës. Pasi vlerësoi nivelin e mirë të këtyre botimeve, ai theksoi se duhet punuar më shumë për ta hapur veprimtarinë botuese ndaj autorëve jashtë Akademisë, jo sipas rastit, por sipas një koordinimi dhe të një vlerësimi publik. Ai u shpreh se ky Panair, që sivjet mbahet në Prishtinë, vitin tjetër në Tiranë, kështu gjithnjë, do të bëhet i rëndësishëm nëse arrin të tërheqë vëmendjen e opinionit, nëse jo të opinionit të gjerë, së paku të botës akademike, duke nxjerrë në pah vlera të qëndrueshme shkencore dhe duke promovuar autorë dhe arritje gjithnjë e më të mëdha dhe më domethënëse.
Në fund të fjalës së tij, akad. Kraja i uroi pjesëmarrësit për një zhvillim të suksesshëm të Panairit IV të librit shqip, shkencor dhe akademik, dhe falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit si bashkëorganizatore për kontributin e tyre, për këtë eveniment të shkëlqyer.
Me këtë rast, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, mbajti një fjalë përshëndetëse. Ai foli për traditën e krijuar me Panairin mbarëkombëtar të librit akademik e shkencor që përkon me një ditë të rëndësishme për autorët e botuesit, Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit.

Akad. Gjinushi theksoi se Panairi i librit akademik e shkencor është shprehje e vullnetit të qartë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të cilat bashkëpunojnë ngushtësisht në të gjitha fushat, veçanërisht në albanologji. Fryt i këtij bashkëpunimi dypalësh është edhe puna për projektet e mëdha, si ai i “Enciklopedisë shqiptare” dhe “Historisë së shqiptarëve”. Ky panair është vendi i duhur për promovimet e atyre botimeve, të cilat na bashkojnë në origjinën tonë të përbashkët dhe njëherësh në sfidat drejt integrimit në Bashkimin Europian. Si rrallë organizim tjetër, ky panair i jep vëmendjen e merituar figurës së kërkuesit shkencor.
Akad. Gjinushi u shpreh më tej se panairi synon që botimet akademike e shkencore ta gjejnë lehtësisht rrugën drejt lexuesit, para së gjithash atje ku kërkimi është institucional, në bibliotekat shkencore, universitare, por edhe publike, të institucioneve arsimore e kulturore, brenda e përtej kufijve. Në përmbushje të këtij misioni, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhuron botimet e veta për pasurimin e fondeve të këtyre bibliotekave, në mënyrë që libri akademik të jetë sa më pranë lexuesit të vet.
Kryetari i ASHSH-së tha se së shpejti, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të ketë entin e saj botues, nëpërmjet të cilit do të botojë si periodikët, ashtu edhe veprat e studimet e kryera (mbi 65 tituj), përfshirë edhe ato nga personeli akademik jashtë institucionit, çfarë do të ndihmojë në rritjen e rolit tonë promovues e divulgues për të rejat në çdo lëmi të shkencës, për veprimtaritë dhe figurat tona kryesore.
Në fund të fjalës së tij, akad. Gjinushi e vlerësoi Panairin si një rast të shkëlqyer për të krijuar marrëdhënien e mezipritur midis botuesve e lexuesve, dhe kjo shkon në përputhje me strategjinë tonë të hapjes së përgjithshme ndaj sistemit të kërkimit shkencor dhe ndaj të gjithë faktorëve që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e tij, duke shmangur ishullizimin, izolimin, e duke rritur bashkëpunimin dhe konkurrencën.
Panairi do të qëndrojë i hapur deri në datēn 25 prill 2025, ora 11:00.