Prof. asoc. Selami Xhepa prezantoi një ligjëratë me temën “Sistemet e inovacionit: një vështrim krahasues”
Prof. asoc. Selami Xhepa prezantoi për diskutim në Komisionin për çështjet ekonomike, juridike e sociale të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë studimin me temën “Sistemet e inovacionit: një vështrim krahasues”.
Veprimtaria u zhvillua në datën 17 prill 2025, në prani të anëtarëve të Komisionit në sallën “Akademikët”, ASHSH.
Akad. Anastas Angjeli, Kryetar i Komisionit u uroi mirëseardhjen dhe theksoi rëndësinë e temës që do të trajtohet në këtë mbledhje, duke u fokusuar në kontekstin shqiptar.

Prof. asoc. Selami Xhepa prezantoi tezat për inovacionin dhe R&D si burim kryesor i rritjes ekonomike, të cilat fokusohen në çështjet e lidhura ngushtë me raportin e Shqipërisë kundrejt vendeve konkurruese (rajonit) dhe largësia nga BE-ja në disa nga treguesit kryesor të konkurrueshmërisë, si dhe në politikat dhe instrumentet e ndërhyrjeve publike.
Në këtë prezantim u trajtuan problematikat e strukturës ekonomike, si: mungesa e planeve të integruara në politikat industriale; mungesa e kritereve dhe objektivave për mbështetje publike dhe perspektivat për ndryshimin; nevoja për një politikë të re industriale, ku procesi vetë duhet të jetë i strukturuar me një dokument integral dhe rrjet institucionesh etj.

Anëtarët e Komisionit dhe pjesëmarrësit e tjerë shtruan pyetje dhe diskutuan për disa çështje të trajtuara nga prof. Selami Xhepa, duke përfshirë dobësitë e tranzicionit, integrimin e dobët në zinxhirin global të vlerës – veçanërisht të manifakturës, strukturën ekonomike me dominim nga aktivitete me vlerë të ulët të shtuar, ndryshimet demografike dhe presionin mbi tregun e punës, zhvillimet pas pandemisë dhe ato aktuale gjeopolitike.