Akademia e Shkencave dhe kryesia e saj i urojnë akademikes Aurela Anastasi: Gëzuar 60-vjetorin e lindjes!
Akademia e Shkencave dhe kryesia e saj, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe kolegët i urojnë akademikes Aurela Anastasi:
Gëzuar 60-vjetorin e lindjes! Jetë të gjatë dhe suksese në krijimtari!
Akad. Aurela Anastasi është anëtare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesoreshë e të drejtës kushtuese dhe aktiviste e shquar e shoqërisë civile.
Lindi më 7 prill 1965 në Vlorë. Ajo ka dhënë kontributin e saj për zhvillimin e institucioneve dhe të së drejtës shqiptare në raport me standardet më të përparuara të së drejtës ndërkombëtare.

Akad. Anastasi është autore e studimeve me karakter historik, duke aktualizuar dobishmërinë e tyre në lidhje me zbatimet në praktikë të legjislacionit të ri shqiptar dhe të jurisprudencës gjyqësore, ku ka dhënë një ndihmesë të veçantë edhe përmes përfaqësimit si avokate në raste gjyqësore strategjike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe përmes analizës së vendimeve gjyqësore. Ajo ka drejtuar dhe ka marrë pjesë në projekte studimore, kombëtare e ndërkombëtare. Është një nga themelueset dhe hartueset e lëndës “E drejta kushtetuese e krahasuar”, “Barazia gjinore dhe ligji”, si dhe e disa prej disiplinave mësimore që zhvillohen në programet “Master” dhe “Doktoraturë” dhe bashkautore e teksteve mësimore. Ka botuar artikuj studimorë në revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare; ka realizuar referate e kumtesa në aktivitetet shkencore, si brenda edhe jashtë vendit; ka ligjëruar si pedagoge vizitore në disa universitete, brenda dhe jashtë vendit. Është anëtare e redaksive botuese në disa revista shkencore. Është njohëse e tri gjuhëve të huaja, anglisht, frëngjisht, italisht.
Akad. Anastasi është zgjedhur për dy mandate rresht përgjegjëse e departamentit të së drejtës publike në Fakultetin e Drejtësisë në UT, ndërsa në periudha afatshkurtra është emëruar zv.dekane e dekane e këtij fakulteti. Ajo është pedagoge e jashtme dhe eksperte në trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve pranë Shkollës së Magjistraturës, si dhe e avokatëve pranë Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Është iniciatore dhe drejtuese e disa aktiviteteve shkencore për të rinjtë juristë dhe e krijimit të organizatave pro bono të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, me qëllim ofrimin e ndihmës ligjore falas për shtresat në nevojë.
Ka qenë anëtare në disa komisione dhe ka drejtuar disa grupe pune në kuadrin e reformave kushtetuese e ligjore kombëtare. Ka spikatur në inicimin, hartimin dhe lobimin e paketës së ligjeve të barazisë gjinore në shoqëri, për mbrojtjen nga diskriminimi dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje. Ka qenë ndër hartueset e marrëveshjeve të komuniteteve fetare me Këshillin e Ministrave.
Nga viti 2004 e në vijim është zgjedhur në forumet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe pedagoge pranë Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Është anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Konstitucionalistëve (nga viti 2014), si dhe anëtare e “Komisionit Europian për Demokraci nëpërmjet Ligjit”, Komisionit të Venecias në emër të Shqipërisë (2016-2020).