Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt ceremonia solemne për t’i dhënë lamtumirën e fundit akademik emeritus Jani Vangjelit
Më 11 janar 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua ceremonia solemne për t’i dhënë lamtumirën e fundit akademik emeritus Jani Vangjelit (23 qershor 1945-10 janar 2025).
Dita e homazheve nisi me një Akademi Solemne nga Kryesia e ASHSH-së në nderim të figurës së tij.
Akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave, mbajti fjalën e lamtumirës në emër të Kryesisë.
Ajo tha se akademik emeritus Jani Vangjeli, një nga figurat më të spikatura të shkencës shqiptare, ishte një studiues i shquar, një akademik i përkushtuar dhe një qytetar shembullor. Me përkushtimin dhe vizionin e tij, ai kontribuoi në avancimin e shkencës në fushën e florës dhe vegjetacionit të Shqipërisë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur që do të vazhdojë të frymëzojë breza të rinj. Punimet e tij, të vlerësuara gjerësisht si brenda, ashtu edhe jashtë vendit përfaqësojnë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndriçimin e çështjeve komplekse dhe në nxitjen e përparimit shkencor.
Në fund, në emër të Kryesisë së ASHSH-së, akad. Hoda shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e tij dhe për të gjithë ata që ndajnë këtë humbje të madhe. Në vijim të kësaj akademie solemne, ajo ftoi kolegët akad. Ilia Mikerezi, prof. Liri Dinga, prof. Zamir Dedej, si dhe akad. Efigjeni Kongjikën e akad. Nazim Grudën të ndajnë fjalë mirënjohjeje dhe kujtime për akademik Jani Vangjelin.
Akad. Ilia Mikerezi foli për kontributet shkencore të akad. emeritus Vangjelit dhe veprën shkencore si autor i 37 botimeve. Ai tha se akad. Vangjeli është vlerësuar nga akademikët e kolegët si e ardhmja e shkencës së sistematikës së bimëve, ku ai, ndër të tjera, ka dhënë kontributin e tij edhe për hartimin e strategjive të bimëve të rrezikuara.
Prof. Liri Dinga foli për bashkëpunimin e hershëm si kolegë, duke kujtuar përvojat profesionale dhe skrupulozitetin e tij në shkrimin e termave dhe në shprehësinë gjuhësore, si dhe miqësinë e pandashme familjare.
Prof. Zamir Dedej tha se akad. emeritus Vangjeli ka lënë një nga pasuritë më të mëdha me studimet e tij për bimët. Ai solli në vëmendje kujtimet për risitë dhe projektet për botanikën gjatë veprimtarive të përbashkëta. Prof. Dedej vlerësoi, ndër të tjera, edhe shpirtin e bukur e të ndjeshëm të akad. Vangjelit.
Dy akademikë, Efigjeni Kongjika e Nazim Gruda, (për arsye të qëndrimit të tyre jashtë Shqipërisë) përshëndetën në distancë. Ata kujtuan bashkëpunimet e shumta në veprimtaritë shkencore dhe veprën që la pas akad. Jani Vangjeli.
Gjithashtu, Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dërgoi një telegram ngushëllimi për akad. emeritus Jani Vangjelin. Në këtë telegram, mes të tjerash, shkruhej: “Ndarja nga jeta e akad. Jani Vangjelit është humbje jo vetëm për familjen, por edhe për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin e Tiranës dhe Institutin e Kërkimeve Biologjike, si dhe për shkencën kombëtare në përgjithësi.”
Në fund të akademisë solemne, e bija e akad. emeritus Jani Vangjelit shprehu mirënjohjen ndaj Akademisë së Shkencave për mbajtjen e ceremonisë solemne dhe për të gjithë të pranishmit që ndanë së bashku me familjen dhimbjen e largimit të tij nga jeta.
Më pas u mbajtën homazhet me pjesëmarrjen e Kryesisë së ASHSH-së, akademikëve dhe studiuesve të njohur, miqve dhe kolegëve.
Pas nderimit me homazhe nga të pranishmit, akad. Gjinushi mbajti fjalën e përmotshme të përcjelljes nga Kryesia e ASHSH-së. Në fillim ai përshëndeti pjesëtarët e familjes së akad. emeritus Jani Vangjelit, si dhe miqtë, të afërmit e kolegët e tij.
Akad. Skënder Gjinushi tha: “Kjo është një ditë e trishtë për të gjithë ne, për familjen e tij, për bashkëshorten, dy vajzat, motrat e nipërit, për tërë komunitetin akademik e universitar në Shqipëri e Kosovë, e veçanërisht për ata që i janë kushtuar shkencës së florës e të faunës, të cilët humbën një zë autoritar, drejtues e bashkëpunëtor të vyer në studimet e tyre.” Ai e vlerësoi akad. Vangjelin si një nga vazhduesit e trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të veprimtarisë kërkimore e shkencore në fushën e shkencave botanike, të plejadës së profesorëve e studiuesve të shquar Kolë Paparisto, Sali Mborja, Xhaferr Qosja, Ilia Mitrushi, të cilët hodhën themelet e kësaj fushe. Më tej, akad. Gjinushi e vlerësoi edhe për ndihmesën e tij të veçantë në njohjen dhe ruajtjen e biodiversitetit, për kontributin dhe punën e tij këmbëngulëse në botimet shkencore, duke përfshirë veprat dhe botimet më të shquara, si “Flora e Shqipërisë” e “Flora ekskursioniste e Shqipërisë”, dhe veçanërisht veprën e tij madhore “Atlas i florës së Shqipërisë”. Në fund të fjalës së tij, ai i shprehu ngushëllimet më të përzemërta familjes së akad. Vangjelit, bashkëshortes Shpresa, dy vajzave të tij, Amantina dhe Jona, motrave, miqve, kolegëve e bashkudhëtarëve të tij.
Në nderim e respekt të jetës së anëtarit të ASSH-së akad. emeritus Jani Vangjelit, si falënderim e mirënjohje për veprën e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Gjinushi i ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje.
Akad. emeritus Jani Vangjeli ishte një profesor e drejtues frymëzues dhe një shembull i përkushtimit të pashoq ndaj dijes dhe vlerave njerëzore për të gjithë. Kujtimi dhe veprimtaria e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë dhe e ndërgjegjes kolektive të komunitetit shkencor.