Akademia e Shkencave prezanton projektin e veprës “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”
Sot më 22 nëntor 2024, një ditë pas çeljes së Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe më temë: “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”, u prezantua projekti i veprës “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”.
Prezantimi u bë në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Kuvendi u çel, dje, më 21 nëntor 2024, me pjesëmarrjen e gjerë të akademikëve gjuhëtarëve, pedagogëve e mësuesve të gjuhës shqipe nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.
Sot me rastin e prezantimit të projektit të veprës “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi mbajti një fjalë përshëndetëse, në të cilën shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për drejtuesit e projektit, autorët e bashkëpunëtorët e veprës, të cilët bënë një punë sfiduese 4-vjeçare të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me të gjitha institucionet e kësaj fushe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, etj.
Akad. Gjinushi shprehu mirënjohjen dhe falënderimet edhe për qeverisë dhe Kryeministrin Edi Rama që ia besoi Akademisw së Shkencave dhe financoi këtë projekt madhor, duke mundësuar fillimin e punës e kryerjen me kompetencë e në kohën e duhur të kësaj vepre madhore.
Projekti i veprës “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” nisi në kuadër të reformimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, së bashku me dy projektet e tjera madhore “Enciklopedia shqiptare” dhe “Historia e shqiptarëve”.
Fjalë përshëndetjeje në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Sot, në Vitin e Gjuhës Shqipe, në ditët e Alfabetit, kemi kënaqësinë të paraqesim Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, vepër e një pune 4-vjeçare, të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me tërë institucionet e kësaj fushe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Nevoja për një fjalor të madh të shqipes kish lindur me kohë. Shqipja ishte ndër gjuhët e pakta që i mungonte një fjalor i tillë.
Akademia, në kuadër të reformimit të saj, ku një nga synimet kryesore ishte kthimi në një institucion aktiv të kërkimit e studimeve shkencore e jo mbetja thjesht si një institucion honorifik e në kryerje të një prej misioneve e detyrave të saj kryesore: si nxitëse e koordinuese e kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e albanologjisë, zgjodhi të ideojë e drejtojë tri projekte madhore në këtë drejtim, përfshirë dhe hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.
Për ndërmarrjen e këtyre iniciativave ajo bashkëpunoi me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke e përfshirë atë në protokollin e përbashkët.
Fillimi i punës e konturimi i projektit u mbështet mbi përvojën e hershme historike të Akademisë së Shkencave, Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë e Departamentit të Gjuhës në hartimin e një sërë fjalorësh deri tek ai i mesëm i vitit 1980.
Për këtë, hartimi i platformës paraprake iu besua akademik Jani Thomait e akademik Valter Memishës, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e kryetar i komisionit të përhershëm të gjuhës dhe letërsisë në atë kohë.
Për të hartuar këtë vepër u ftuan tërë specialistët e fushës në trojet shqiptare e Arbëri, përgjigjja e gatishmëria e tyre, si dhe e qeverisë dhe Kryeministrit për të na besuar e financuar këtë projekt madhor, mundësoi fillimin e punës e kryerjen me kompetencë e në kohën e duhur të kësaj vepre madhore.
Për hartimin e saj u ngrit një grup i përbërë nga 55 bashkautorë e 25 hartues, të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme, si një organ administrativ e profesional.
Pra, u ngrit një trupë e krahasueshme me dy institute; Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë ka sot 21 punonjës kërkimorë-shkencorë.
Kjo, përbëhet nga punonjësit akademikë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Universitetit të Prishtinës, të Tiranës e universitetet e tjera publike në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut si dhe të Universitetit të Palermos e të Kozencës.
Për hartimin e tij u krijua një bazë të dhënash elektronike me një fond prej 800 milion njësish, në të cilat u përfshinë tërë fjalorët e mëparshëm e veprat e autorëve më në zë shqiptarë nga Buzuku, Fishta e deri tek Kadareja, si dhe u krijua njësia me specialistë IT dhe të gjuhësisë kompjuterike për të mundësuar hartimin e tij sipas teknologjive më të përparuara të kohës.
Fjalori i madh nuk plotëson vetëm këtë detyrë e përgjegjësi të marrë nga Akademia e Shkencave e gjuhëtarëve, nën drejtimin e akad. Thomait e Memishës, por, përvoja e fituar, baza e të dhënave e krijuar mundëson jo vetëm mbarëvajtjen e tij të vazhdueshme e pasurimin e tij sipas zhvillimit të gjuhës sonë, por vazhdimin e punës për krijimin e thesarit të shqipes; këtë rol ka qendra e re e leksikografisë e themeluar me vendim të Këshillit të Ministrave e të Asamblesë.