Konferencë shkencore ndërkombëtare me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë
Në 11 nëntor 2024, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri zhvilluan një konferencë shkencore ndërkombëtare.
Konferenca u mbajt me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e studiuesve të akademive të të dyja vendeve.
Seanca plenare u çel nga akad. asoc. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe i dha fjalën akad. Skënder Gjinushit, Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akad. Gjinushi vlerësoi kontributet në trashëgiminë tonë të përbashkët jo vetëm në shkencat shoqërore, por edhe me ekspeditat arkeologjike, shkëmbimet arkivistike dhe formimin e ekspertëve për disiplinat e identitetit, si dhe në projektimin e ndërtimin e veprave të mëdha hidroenergjetike e industriale në vend. Ai vuri në dukje, mes të tjerash, kujdesin e Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës në fillimin e viteve 1970 për “shërimin” dhe shpëtimin e dy dorëshkrimeve më të hershme të Shqipërisë dhe nga më të hershmit në shkallë botërore, të njohur si Kodikët e Beratit, shpallur prej dy dekadash nga UNESCO si pjesë e regjistrit të vlerave më të rëndësishme të Njerëzimit, në programin “Memoire du Monde”.
Në fund të fjalës së tij, akad. Gjinushi foli për mundësitë e evokimit, rizgjimit e ringritjes së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të Akademisë sonë të Shkencave me qendrat më të rëndësishme kërkimore-shkencore kineze, duke nënshkruar marrëveshje e protokolle ndërakademike e ndërinstitucionale që krijojnë perspektiva të sigurta dhe korniza ligjore të qarta.
Më pas konferencën e përshëndeti znj. Pang Chunxue, ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri. Ajo foli për misionin e promovimit të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në fjalën e saj, ambasadorja Chunxue theksoi se “Kina mbron barazinë midis vendeve të mëdha dhe të vogla, respekton rrugën e zhvillimit të zgjedhur në mënyrë të pavarur nga populli shqiptar, mbështet përpjekjet e palës shqiptare për t’u integruar në Europë dhe është e kënaqur që sheh përfundimin e hershëm të negociatave për anëtarësimin në BE.”
Konferenca u përshëndet dhe nga zv.ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme znj. Megi Fino, e cila shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë manifestim të 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ajo tha, mes të tjerash, se miqësia mes Kinës dhe Shqipërisë ka në themelet e saj jo vetëm marrëdhëniet diplomatike, por edhe vlerat në fushën e arsimit, sportit, kulturës dhe shkencës. Znj. Fino kujtoi kontributet e Republikës së Kinës dhe popullit kinez për vendin tonë dhe vuri në dukje punën që po bëhet për forcimin e bashkëpunimeve dypalëshe për zhvillimin ekomomik dhe në drejtime të tjera, si në teknologji, në turizëm edhe më gjerë. Në fund, znj. Fino falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademinë e Shkencave të Shangait që bënë të mundur organizmin e kësaj veprimtarie.
Përshëndetën konferencën në emër të grupit të studiuesve pjesëmarrës nga Kina, prof. Wang Jian nga Akademia e Shkencave Shoqërore e Shangait (SASS) dhe drejtori i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare; z. Spartak Nano, president i Shoqatës Shqipëri-Kinë.
Seanca e parë e konferencës u drejtua nga prof. dr. Hamit Kaba dhe prof. dr. Wang Jian.
Punimet u hapën me kumtesën e prezantuar nga prof.dr. Ksenofon Krisafi, anëtar i komisionit të përhershëm të historisë pranë Akademisë së Shkencave dhe dr. Kejsi Rizon (UET) me titull “Protagonizmi diplomatik i Shqipërisë për rivendosjen e të drejtave të ligjshme të RP të Kinës në OKB”.
Prof. Dai Yichen, zëvendësdrejtore e Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Shangait -SASS, paraqiti punimin me titull “Marrëdhëniet Kinë-Shqipëri në kuadër të bashkëpunimit Kinë-CEEC”.
Prof. asoc. dr. Gjon Boriçi, nga Instituti i Historisë, pranë ASHSH trajtoi temën “Vlerësimet e diplomacisë britanike mbi marrëdhënien e ngushtë shqiptaro-kineze pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës”.
Prof. dr. Ma Sai nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit prezantoi punimin me titull “Pranimi i letërsisë bashkëkohore shqiptare në Kinë”.
Sesioni i parë u mbyll me punimin e prezantuar nga dr. Gëzim Podgorica, nënkryetar i Këshillit Drejtues të RTSH, me titull “Kina, një gravitet i epokës së re”.
Seanca e dytë e konferencës u drejtua nga prof. Ma Sai dhe prof. dr. Ksenofon Kristafi.
Punimet vijuan me kumtesën e prezantuar nga prof. dr. Hamit Kaba, drejtor i Institutit të Historisë, ASHSH, i cili paraqiti punimin me titull “Dilemat e Perëndimit për ndarjen e Shqipërisë nga Kina”.
Prof. Li Min nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Shangait – SASS referoi temën me titull “Për një të ardhme të gjelbër: Zhvillimi i energjisë së rinovueshme në Kinë dhe bashkëpunimi me Shqipërinë”.
Më tej, dr. Iljaz Spahiu, nga Shoqata Kulturore Alb-China, prezantoi punimin me titull “Disa nisma shkencore-albanologjike në Kinë”.
Seanca e dytë u përmbyll me referimin e prof. Zheng Baoguo, drejtor i Institutit Confuci pranë Universitetit të Tiranës, me titull “E kaluara dhe e tashmja e mësimdhënies së gjuhës kineze në Shqipëri”.
Në fund të veprimtarisë, prof. dr. Kristafi bëri konkluzionet e konferencës, të cilën e cilësoi si një ngjarje të rëndësishme që e spikat 75- vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës Popullore të Kinës dhe Shqipërisë me një histori pozitive. Optimizmi i shprehur për këto marrëdhënie ka karakter shkencor, tha prof.dr. Kristafi, sepse karakteristikat e këtyre marrëdhënieve janë të studiuara nga akademikë e studiues të njohur të Kinës dhe të Shqipërisë.
Përgjatë kësaj konference u veçuan momentet më të rëndësishme të historisë 75-vjeçare të marrëdhënieve tona ndërshtetërore, duke filluar prej nismave diplomatike shqiptare për rinjohjen e Kinës në organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në OKB; deri te bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet shkencore, teknologjike e kulturore, të cilat patën shtrirjen e tyre në të gjitha fushat në vitet ’60-’70.