Tryeza shkencore ndërkombëtare: "Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj"
Në datat 4 dhe 5 nëntor u zhvillua tryeza shkencore ndërkombëtare: “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj” / “Albanian among the Indo-European Languages: origins and antiquity”
– Veprimtaria u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane, si dhe të Albanologjisë, pranë Universitetit “Ludwig Maximilian” të Mynihut-
***
Në këtë tryezë shkencore referuan mbi 25 studiues e personalitete të rëndësishme të shkencës nga vendi dhe Bota.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi çeli ditën e parë të tryezës shkencore. Ai tha se “Akademia jonë e Shkencave, albanologjinë, shkencat e identitetit, i ka pasur dhe i ka prioritet konstant. Zhvillimi e promovimi i tyre përbëjnë rolin e misionin kryesor të ASHSH sipas ligjit të saj”.
Më tej, akad. Gjinushi tha se studimi që kanë realizuar prof. Paul Heggarty dhe 33 bashkautorët e nderuar në revistën “Science”, duke i njohur shqipes si origjinë të përbashkët e pikënisje të identifikimit të saj një hershmëri relative prej 6-8 mijë vjetësh, zgjoi vëmendjen, jo vetëm ndër dijetarët albanologë, duke nxitur interesin te ne, që ta ftonim e organizonim këtë dëgjesë me profesorin e këtë diskutim shkencor së bashku.
“E vërteta shkencore ka nevojë të njihet e të pohohet. Shkenca, në dallim nga të tjerët, nuk rend të deklarojë, a ca më keq, të deformojë e vulgarizojë një hipotezë, por punon fort ta provojë atë. Fatkeqësisht, teknologjitë e reja, ashtu siç kanë mundësuar e mundësojnë shkencëtarët të studiojnë evoluimin e universit, të njeriut, specieve e të gjuhëve që në zanafillë, ashtu dhe kanë bërë që shpesh faktet e rreme të besohen më shumë se e vërteta; që deklarimet abuzive e amatoreske të prevalojnë ndaj mendimit e provave shkencore; që edhe teza e hipoteza me bazë shkencore të kthehen në vulgare e qesharake.”-theksoi akad. Gjinushi.
Konferencën e përshëndetën edhe profesor Olav Hackstein, profesor Paul Heggarty dhe Giulio Imberciadori.
Më pas vijuan prezantimet shkencore.
Kjo tryezë erdhi si vazhdim i rezultateve shkencore që u paraqitën në Kuvendin e Dytë të Studimeve Albanologjike, organizuar në Tiranë në nëntor të vitit 2022, me shkas nga arritjet e fundit në fushën e gjuhësisë filogjenetike indoeuropiane, të mbështetura në metoda të kombinuara ndërdisiplinore.
Fjala është në radhë të parë për artikullin e revistës amerikane “Science”, me autor të parë studiuesin gjerman Paul Heggarty (Max Planck Institute) dhe 33 bashkautorë nga disiplina të ndryshme të interesuara për këtë projekt, i cili, duke u mbështetur në të dhënat e gjuhësisë historike-krahasuese e filogjenetike dhe duke përdorur një bazë të dhënash shumë të gjerë nga të gjitha gjuhët e familjes indoeuropiane, arriti në një hipotezë të re mbi origjinën e këtyre gjuhëve dhe mbi rrugët dhe kronologjinë e përhapjes së tyre.
Kjo hipotezë e re kombinon aspekte të dy tezave të deritanishme për origjinën e gjuhëve indoeuropiane: asaj të “stepës ponto-kaspike” dhe asaj të “gjysmëhënës pjellore” ose “hapësirës në formë gjysmëhëne”, që fillon nga Deti Mesdhe e mbaron në Gjirin Persik, duke rindërtuar një teori hibride që i bashkon të dyja: pra, indoeuropianishtja e ka origjinën në harkun verior të “gjysmëhënës pjellore” dhe vetëm disa degët e saj kryesore në Europë kaluan në veri përmes stepës, si një pikë kalimi dytësore.
Edhe për sa i përket kohës së formimit të kësaj gjuhe, duke u mbështetur në analizat statistikore të njohura si “bayesiane” për evolucionin e fiseve, studimi arrin në një përfundim të ndërmjetëm midis dy tezave, që përcakton një origjinë 8100-vjeçare të gjuhës së përbashkët indoeuropiane, e cila, 1000 vjet më pas, filloi të degëzohet e të shpërndahet.
Studimi përfshin specifikisht edhe gjuhën shqipe, me tre variante të saj: shqipen standarde, dialektin e gegërishtes dhe arbërishten, ku analizat krahasuese dhe statistikore njoftojnë për një shkëputje të hershme 6000 vjet më parë të gjuhës shqipe.
Këto përfundime për gjuhën shqipe, një vit më parë, kur u botua artikulli në “Science”, ngjallën një interes të madh në opinionin publik shqiptar, duke shkaktuar edhe përdorime popullore.
Në konferencë referoi autori kryesor i studimit të revistës “Science” për arritjet dhe rezultatet e punës së tyre, duke u përqendruar në të dhënat e shqipes.
Rikonfirmohet ndarja e hershme 6000-vjeçare e shqipes dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës, por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit ballkanik.
Një tjetër prezantim nga një bashkëpunëtor i studimit (U. Geupel) ofroi një përmbledhje të punës praktike mbi shqipen që qëndron pas rezultateve të punimit “Heggarty et al.” (2023), botuar në “Science”; si u realizua mbledhja e burimeve dhe kodimi i afërisë gjenetike për bazën e të dhënave të marrëdhënieve indoeuropiane të afërisë, duke paraqitur edhe problemet specifike të shqipes në këtë studim, siç janë dëshmimi i vonë shkrimor, pasiguritë në studimin e parahistorisë së saj, prurjet e shumta të huazimeve etj.
Kumtesa të tjera vunë në dukje kontaktet parahistorike dhe përkimet gjuhësore midis dialekteve fqinjë të indoeuropianishtes, duke u përqendruar në kontaktet e hershme të dialekteve para-paleoballkanike me dialektin para-prototokarian dhe dallimet mes tyre (O. Hackstein), ose në përkimet tripalëshe shqipe-greqishte-armenishte në kontekstin e “indoeuropianishtes ballkanike”, duke e testuar këtë hipotezë nga këndvështrimi i morfologjisë dhe i semantikës, sipas materialeve të reja të “Fjalorit digjital etimologjik-historik të shqipes së vjetër” (shek. XV-XVIII) të Mynihut (G. Imberciadori).
Në një tjetër referim u dhanë argumente e shpjegime në lidhje me pyetjen që bëhet për vjetërsinë e gjuhëve, duke vërejtur se, nëse vjetërsia relative e një gjuhe mund të përcaktohet në bazë të inovacioneve gjuhësore që e dallojnë nga gjuhët e tjera, vjetërsia (kronologjia) absolute nuk mund të datohet, pra, gjuhët nuk kanë një datë lindjeje, por kronologji të dallimit (shkëputjes). U diskutua gjithashtu çështja e emrit të gjuhës shqipe, kur e mori shqipja këtë emër (Michiel de Vaan).
Ndërkohë, metodat e reja në studimet gjuhësore, të kombinuara me metodat arkeologjike dhe gjenetike, u kanë dhënë shtysë projekteve të tjera për studimin e lëvizjeve të popullsive dhe gjuhëve indoeuropiane, që janë zhvilluar e po zhvillohen në institucione të ndryshme shkencore në botë. Në konferencë u prezantua një tjetër projekt i kësaj natyre, që merr në trajtim indoeuropianizimin e Europës Juglindore (Ballkanit), duke ndjekur lëvizjet migratore me pikënisje Kaukazin verior e stepat ponto-kaspike drejt Perëndimit e duke arritur në përfundimin, në bazë të të dhënave gjuhësore të mbështetura edhe nga gjetjet arkeologjike e metodat gjenetike, se zhvendosjet drejt Ballkanit kanë filluar përpara migrimeve masive të popullsive indoeuropiane “Yamnaja” nga stepat. Studimi dallon një zonë konvergjence kulturore në Ballkanin qendror, që ka çuar edhe në zhvillime të përbashkëta gjuhësore mes disa prej gjuhëve IE paraballkanike, si shqipja, armenishtja, mesapishtja, me lidhje edhe me disa dialekte të greqishtes e të frigjishtes. Punimi gjurmon rrugët e ardhjes së folësve të protoshqipes në Ballkan, të cilët qendruan në Ballkanin Qendror mbas largimit të mesapëve drejt Perëndimit dhe të armenëve drejt Lindjes (J. Matzinger, K. Ackermann).
Si dy popuj që ndajnë një substrat të përbashkët ballkanik-mesdhetar dhe kanë lidhje të hershme në “atdheun” e hershëm ballkanik, grekët dhe shqiptarët kanë elemente të përbashkëta kulturore, por edhe dallime, siç është figura mitologjike e gjarprit / dragoit, e cila u trajtua në një nga kumtesat e tryezës (Dh. Qiriazi).
Ndër dukuritë e përbashkëta gjuhësore që ndajnë gjuhët e “Lidhjes gjuhësore ballkanike” (“Balkan Sprachbund”) mjaft interesante është nyja e prapme shquese që haset në gjuhën shqipe, rumanishte, bullgarishte e maqedonishte. Autori i kumtesës përqendrohet në burimin e kësaj dukurie në këto gjuhë dhe e kërkon te shqipja pikënisjen e këtij procesi ose rolin ndihmës në përhapjen e tij (A. Spiro).
Një çështje tjetër ishte receptimi ose pritja e artikullit të revistës “Science” në debatin publik dhe në media në mjediset shqiptare (A. Vehbiu) dhe në ato të sferës balto-sllave (M. Majer).
Një temë me interes erdhi nga fusha e fonetikës eksperimentale, që mat evolucionin dhe ndryshimin gjuhësor me metoda kompjuterike, duke sjellë për herë të parë zbatimin e metodës së “modelimit me bazë agjentësh” (MBA) në të dhënat e gjuhës shqipe. Punimi argumenton se modele si ky MBA, që përfshin si faktorë të brendshëm gjuhësorë ashtu edhe faktorë të jashtëm, mund të riprodhojnë me sukses evolucionin dhe ndryshimin gjuhësor në kohë dhe hapësirë (E. Kapia, J. Riverin).
Një grup kumtesash nga fusha e arkeologjisë dhe gjenetikës paraqiten rezultate nga gjetjet arkeologjike në territoret e Shqipërisë, si vendbanimet palafite të Linit, më të vjetrat në Europë; ose vendbanimi parahistorik i Maliqit me evidenca të tjera arkeologjike në Shqipëri dhe Kosovë, që dëshmojnë se nga bashkëjetesa e popullsisë vendase eneolitike (paraindoeuropiane) dhe asaj migracionere të “bronzit të hershëm” (indoeuropiane), që në mijëvjeçarin III para Kr. fillon procesi i gjatë i etnogjenezës së popullsive ilire në Ballkanin Perëndimor.
Risi e kësaj tryeze janë studimet e kryera me metoda të reja të kombinuara ndërdisiplinore, që nga njëra anë konfirmojnë rezultatet e arritura prej kohësh nga gjuhësia historike-krahasuese indoeuropiane dhe nga ana tjetër bëjnë hapa përpara në drejtim të saktësimit të kronologjisë relative të dallimit të gjuhëve nga trungu i përbashkët indoeuropian, duke hapur edhe shtigje për kërkime të mëtejshme e debate shkencore. Si një nga gjuhët e shkëputura herët nga ky trung i përbashkët, konfirmohet gjuha shqipe si një nga gjuhët më të lashta në Ballkan, ardhur ndoshta drejtpërdrejt nga rajoni anatolian (Heggarty et al.) ose nga stepat pontike (Matzinger, Ackermann et al.).
Në mbyllje tryeza u vlerësua një sukses cilësor dhe shprehje e avantazheve që ofron bashkëpunimi midis albanologëve dhe qendrave e institucioneve kërkimore të tyre.