Historiku dhe Misioni
Fillesat e Qëndrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës janë në shkurt 2020 kur pranë ASH-së u ngrit Njësia e kërkim-studimit të bioteknologjisë dhe gjenetikës, e cila kishte si qëllim kryesor evidentimin dhe krijimin e një rrjeti të njësive që punojnë në këto fusha në institucionet kërkimore dhe arsimore në vend. Krahas kësaj u krijua një bazë të dhënash për infrastrukturën e kërkimit në Shqipëri në këto disiplina, për kapacitetet intelektuale të angazhuara pranë tyre si dhe për drejtimet kryesore të kërkimit. Për këtë u organizuan edhe një sërë takimesh e konsultash të cilat kulmuan me dy konferenca shkencore me temë: “Mbi gjendjen e kërkimit shkencor dhe perspektiva në bioteknologji dhe gjenetikë në Shqipëri” si dhe Konferenca e parë ndërkombëtare shkencore “Bioteknologjia dhe gjenetika, zhvillimet dhe sfidat e së ardhmes”.
Nisur nga problematika e gjerë që shtronte pandemia e shkaktuar nga Covid-19, më datë 07.05.2020, Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me Vendimin Nr. 33, miratoi Projektin “Studimi seroepidemiologjik i gjëndjes imunitare ndaj virusit SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare” të paraqitur prej Genc Sulçebe dhe Alban Ylli nga Komisioni i Mjekësisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Për këtë, njësisë iu vunë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë mjediset si dhe një pjesë e aparaturave të ish-laboratorit të imunologjisë pranë QSUT-së dhe Universitetit të Mjekësisë. Njësia ndërmori realizimin e një projekti kombëtar për studimin e përgjigjes imunitare në popullatën shqiptare ndaj Covid-19, që u realizua në periudha të ndryshme kohore gjatë evolucionit të pandemisë.
Përvoja trevjeçare tregoi nevojën e krijimit të një qëndre kërkimore në fushën e bioteknologjisë dhe gjenetikës me ndikim e perspektivë në zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri.
Ngritja e Qëndrës kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës të ASHSH pranë QSUNT me afat dy vjecar, nëpërmjet VKA Nr. 2 datë 10.01.2022 ishte hapi tjetër i rëndësishëm në konsolidimin e punës kërkimore në fushën e Bioshkencës të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Punësimi me kontratë shërbimi i personelit kërkimor të kualifikuar në këtë qënder luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm për realizimin me sukses të projekteve kërkimore të Qëndrës.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave me Vendimin Nr. 298, datë 15.5.2024 vendosi për “Ngritjen e Njësisë së Kërkim-studimit me Aktivitet Afatgjatë “Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës” pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Kjo qendër e tillë do të shërbejë për koordinimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis njësive të ndryshme që punojnë në këto fusha në Shqipëri dhe në rajon; ajo ka qëllim të ndërmarrë projekte kërkimore me ndikim të rëndësishëm dhe që kërkojnë bashkëpunimin e disa institucioneve në vend e më gjerë; ajo do të mundësojë lidhjet me qëndra homologe jashtë vendit si dhe afrimin dhe angazhimin e mjaft shqiptarëve të suksesshëm që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë. Nëpërmjet punës së saj do të evidentohen dhe nxiten njësitë dhe kërkuesit më të suksesshëm në vend.
Në fushën e gjenetikës, qëllimet kryesore lidhen aktualisht me studime në fushën e imunogjenetikës, gjenetikës mjekësore e antropogjenetikës, duke synuar edhe lidhjet me shkencat albanologjike. Qëllime te tjera të kërkimit shkencor në bioteknologji lidhen me sfidat për vlerësimin dhe shfrytëzimin e resurseve gjenetike bimore e shtazore, veçanërisht atyre autoktone si detyrë për zhvillimin perspektiv të pasurisë biologjike në kushtet e progresit të ekoturizmit.
Qëndra është e vendosur në të njëjtat mjedise ku funksionon njësia sot, në mjediset e ish-laboratorit të imunologjisë pranë QSUT-së, asetet e të cilit i kanë kaluar Qendrës. Qëndra është e hapur ndaj studentëve të Mjekësisë dhe Biologjisë në realizim të programeve të tyre mësimore.
Struktura
Aktualisht QKBGJ është e përbërë nga tre seksione:
1- Seksioni i Imunogjenetikës dhe Gjenetikës së Popullatave.
2- Seksioni i Bioteknologjisë shtazore.
3 – Seksioni i Bioteknologjisë bimore.
Ajo ka drejtuesin e Qëndrës, tre drejtues seksionesh, një numër anëtarësh si dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve. Drejtimi kolegjial i Qëndrës për programin shkencor, kryhet nga bordi i saj i përbërë nga përfaqësues të ASH-së, Universitetit të Mjekësisë, Universitetit të Tiranës, Universitetit Bujqësor, ISHP dhe QSUT-së.
Qendra e Studimit të Arteve, pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë u ngrit në zbatim të vendimit Nr. 338, datë 31.05.2023 dhe vendimit Nr. 821, datë 28.12.2023, dhe përbëhet nga dy sektorë, i studimeve dhe ai i shërbimeve.
Ka për objekt kërkimi historinë e arteve të kultivuara (joanonime), të shprehura në muzikë, arkitekturë, pikturë, skulpturë, imazhin lëvizës, teatër, kinema, dance si dhe me fushat ndërvepruese. Po kështu, objekte interesimi për këtë qendërt janë edhe estetika dhe historiku i institucioneve artistike shqiptare.