Mblidhet në Bukuresht Asambleja e Përgjithshme dhe ajo e komitetit drejtues të Unionit të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës (UEAA)

Nga datat 9 deri më 12 tetor 2024 në Bukuresht, Rumani, u mbajt mbledhja e 12-të e Asamblesë së Përgjithshme dhe ajo e komitetit drejtues të Unionit të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës (UEAA). UEAA-ja lidh 26 akademi të vendeve evropiane, 13 akademi të specializuara të shkencave bujqësore dhe pyjore dhe 13 akademi kombëtare të shkencave. Ky union, që feston 25-vjetorin e krijimit, koordinon bashkëpunimin midis akademive europiane në fushat e bujqësisë, ushqyerjes dhe mjedisit, duke ofruar këshilla për Komisionin e BE-së dhe duke marrë pjesë në dialogët strategjikë për të ardhmen e bujqësisë së BE-së.

Më shumë rreth aktiviteteve të UEAA-s – shihni në faqen e internetit https://ueaa.info.
Një pjesë e rëndësishme ishte edhe simpoziumi shkencor me temë “Teknikat e reja në kërkimin shkencor dhe përparimi bujqësor”, ku u prezantuan zhvillime të rëndësishme, përfshirë teknologjitë e redaktimit të gjeneve dhe përdorimin e plehrave organike për ruajtjen e natyrës.
Në Asamblenë e Përgjithshme u vlerësua aktiviteti dyvjeçar (2022-2024) i UEAA-s, i cili u prezantua nga presidentja e deritanishme akad. Elena Horská nga Sllovakia. Ajo theksoi organizimin e takimeve dhe konferencave, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Drejtorinë e Shkencës të BE-së. Në këtë periudhë, UEAA ka punuar në mënyrë aktive për përfshirjen e teknologjive të editimit të gjeneve në bujqësi dhe ruajtjen e burimeve gjenetike, çështje që mbeten prioritare në programin e unionit.
Një prej pikave kryesore të mbledhjes ishte zgjedhja e presidentit të ri të UEAA-s për periudhën 2024-2026, që është akad. Ioan Jelev, njëherësh zëvendëspresident i Akademisë Rumune të Shkencave Bujqësore dhe Pyjore. Ai paraqiti një vizion ambicioz për bashkëpunim më të thellë midis akademive europiane dhe për përqendrimin në bujqësinë e qëndrueshme, ndryshimet klimatike dhe teknologjitë inovative. Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Nazim Gruda, u zgjodh zëvendëspresident i UEAA-s, me propozim nga Lituania dhe Rumania.
Në fjalën e tij zëvendëspresidenti Nazim Gruda këshilloi që t’i kushtohet më shumë vëmendje edukimit të brezit të ri të shkencëtarëve dhe përfshirjes së tyre në aktivitetet e UEAA-s. Ai propozoi krijimin e akademive të reja në fusha të specializuara, sikundër ajo e bujqësisë.
Një tjetër pikë thelbësore e komitetit të ri drejtues ishte zgjerimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i shpejtë i informacionit midis akademive anëtare. Kjo përfshinte diskutimin për adoptimin dhe përdorimin më të shpejtë të teknologjive digjitale në bujqësi, për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe cilësinë e prodhimit ushqimor.
Gjatë simpoziumit shkencor, folësit trajtuan tema të tilla si krijimi i varieteteve bimore rezistente ndaj patogjenëve, ruajtja e burimeve gjenetike, rëndësia e pyjeve të qëndrueshme dhe përdorimi i teknologjive digjitale në bujqësi. Këto prezantime përfaqësonin tendencat më të reja në fushën e kërkimit shkencor bujqësor dhe aplikimin e tyre praktik.
Duke vijuar me traditën rotative të UEAA-s mbledhja e ardhshme e Asamblesë së Përgjithshme do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2026.

Gjatë aktiviteteve, u bë e mundur të mësohej më shumë rreth Akademisë Rumune të Shkencave Bujqësore dhe Pyjore, e cila ka nëntë seksione dhe 22 komisione të specializuara. Akademia lidh 12 institute bujqësore, blegtorale, pyjore, mekanizuese dhe ushqimore, dy institute private të zhvillimit të kërkimit shkencor, 15 degë instituti dhe 57 stacione testimi rajonale. Në total, akademia ka 2494 punonjës, nga të cilët 840 janë studiues.
Akademia Rumune e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore administron 36 mijë ha tokë, nga të cilat 25 mijë ha zënë kulturat e arave, 4900 ha kopshte, 2900 ha tokë foragjere dhe 3100 ha janë për qëllime të tjera bujqësore.
Më shumë rreth Akademisë Rumune të Shkencave Bujqësore dhe Pyjore – në faqen e internetit https://www.asas.ro/.
Kjo ngjarje, e organizuar nga Akademia Rumune e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore, u vlerësua si një platformë e rëndësishme për inovacionet shkencore dhe praktikat e qëndrueshme në sektorin e bujqësisë.